Polici i dorëhequr kërkon nga Policia e Kosovës t’i mundësohet kthimi në punë

Kronika August 16, 2018 - 18:21
Lexo detajet

Ish-polici Arjanit Avdiu, po kërkon që t’i mundësohet kthimi në vendin e tij të punës në Policinë e Kosovës.

Një kërkesë të tillë, ai e ka bërë përmes padisë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pasi paraprakisht atij i ishte refuzuar kthimi në vendin e punës, nga e cila pozitë kishte dhënë dorëheqje.

Duke pretenduar se një gjë e tillë i është bërë e padrejtë, ai në nëntor të vitit të kaluar, ka ushtruar padi ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, respektivisht Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje civile, të enjten në këtë gjykatë është mbajtur seanca kryesore, ku paditësi Avdiu, kërkon kthimin e tij në vendin e punës në Drejtorinë Regjionale të Policisë së Kosovës, në Gjakovë.

I autorizuari i paditësit Arjanit Avdiu, avokati Florin Lata, ka deklaruar se mbetet pranë padisë së parashtruar në nëntor të vitit 2017, duke kërkuar kthimin në pozitën e njëjtë, pasi sipas tij, vendimi për ta refuzuar kthimin e tij në punë, siç ka thënë Lata, është i kundërligjshëm, raporton “Betimi per Drejtesi”.

LEXO EDHE: Lushtaku: Më ka intervistuar prokurori Blakaj, llogari të japin krerët e shtetit

Ndërsa, e autorizuara e të paditurës, avokatja shtetërore, Nexhmie Karaqi, ka deklaruar se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesën e saj si të pabazuar në ligj.

“Sepse duke u bazuar në udhëzimin administrativ ku janë të përcaktuara kriteret për ripunësim dhe rikthim, sipas të njëjtës afati kohor ka qenë deri në dy vite, ndërsa këtu paditësi nuk e ka respektuar afatin kohor prej dy viteve”, tha Karaqi.

E autorizuara e të paditurës, kërkoi nga gjykata që padinë dhe kërkesën e saj ta refuzojë si të pabazuar.

Palët ndërgjyqëse, fjalën e tyre përfundimtare do ta paraqesin pranë gjykatës me shkrim në afat brenda shtatë ditësh.

Sipas padisë, Arjanit Avdiu është punësuar në Policinë e Kosovës, më 1 gusht 2005, kurse më 10 maj 2013, ka dhënë dorëheqje vullnetare për arsye personale.

Ndërsa, më 27 tetor 2017, paditësi Arajanit Avdiu, parashtron kërkesë për rikthim në vendin e tij të punës.

Përmes kësaj padie, paditësi kërkon që të obligohet e paditura, Policia e Kosovës, që paditësin Arjanit Avdiu, ta kthen në pozitën e njëjtë në Drejtorinë Regjionale të Policisë në Gjakovë.