Numër i madh i rasteve të dhunës ndaj femrave në vetëm 24-orë!

Kronika August 13, 2018 - 10:31
Lexo tjera detaje

Në raportin e Policisë së Kosovës, vetëm në 24-orëshin e fundit kanë ndodhur shtatë raste të dhunës ndaj femrave, shkruan “Zëri.Info”.

Sipas Policisë së Kosovës, dje gjatë ditës në qytetin e Drenasit një person ka goditur një femër me grushte e shuplaka, viktima pas sulmit është dërguar për tretman mjekësor.

Edhe në Gjilan, dje është arrestuar një mashkull i cili ka sulmuar fizikisht një femër e cila po ashtu ka marrë tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit rajonal të Gjilanit.

Pas një mosmarrëveshje është sulmuar edhe një femër në Prizren  nga bashkëshorti i saj i cili pas raportimit është arrestuar, ndërsa viktima ka marrë tretman mjekësor nga goditjet e marra, njofton “Zëri.Info”.

Një ngjarje po ashtu e tmerrshme e dhunës në familje ka ndodhur dje edhe në Pejë, ku prindi dhe vëllezërit e kanë goditur me grushte vajzën/motrën e tyre dhe një mashkull me të cilin vajza kishte dashur të martohet. Në këtë rast Policia e Kosovës dy nga të dyshuarit i ka liruar ndërsa dy të tjetër janë dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë po ashtu është arrestuar një person i cili ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës të cilat edhe i ka kanosur, njofton Policia e Kosovës, përcjell “Zëri.Info”.

Një rast tjetër i dhunës ndaj femrave ka ndodhur edhe në Mitrovicën e Jugut, ku një person ka tentuar ta dhunojë një femër, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

LEXOJENI TË PLOTË raportin e Policisë së Kosovës për këto raste:

DRENAS: Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht duke goditur me shuplakë dhe grushte  viktimën femër K/Shqiptare, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima pas tretmanit mjekësor në QKMF-Drenas është liruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në prani të zyrtarit të QPS-së, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

GJILAN: Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht duke goditur  viktimën femër K/Shqiptare, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan, ndërsa i dyshuari pas intervistimit , me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

GJILAN: Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që me datën e lartcekur kishte sulmuar fizikisht viktimën femër K/Shqiptare . Po ashtu, i dyshuari kishte vazhduar  përmes rrjetit social Instagram  duke e kanosur seriozisht viktimën. Pas intervistimit , me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

PRIZREN: Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht gruan e tij viktimën femër K-shqiptare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.  

PEJE: Janë arrestuar katër (4) të dyshuar meshkuj K/ Egjiptian pasi të njëjtit kanë sulmuar fizikisht duke i goditur me grushte viktimën femër K/Egjiptiane-vajzën përkatësisht motrën e tyre dhe viktimën mashkull K/Rom, me të cilën viktima-vajza e tyre kishte dashur të martohet, por të dyshuarit kundërshtonin. Viktimat kanë pësuar lëndime, dhe u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy janë liruar, ndërsa dy tjerët janë dërguar në mbajtje.  

GJAKOVE:  Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimave femra K/Shqiptare bashkëshortes & vajzës së tij,  dhe të njëjtat dyshohet i ka kanosur. Viktimave iu është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

MITROVICË JUG: Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar i cili kishte hyrë në një shtëpin, dhe kishte tentuar ta dhunoi një femër. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, dërgohet në mbajtje.