Kjo ishte arsyeja banale për të cilën u sulmua infermieri i Emergjencës në QKUK

Kronika July 23, 2018 - 11:55
Lexoni më shumë detaje

Sot rreth orës 03:05 të mëngjesit në Klinikën Emergjente në Prishtinë është sulmuar fizikisht një mjek i emergjencës.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se infermieri i kishte kërkuar pacientit që të merrte një udhëzim në hyrje të emergjencës, por që pacienti nuk ka pranuar andaj edhe ka ushtruar dhunë fizike tek infermieri.

Përndryshe, sipas Lenjanit pacienti kishte kërkuar trajtim pasi që ishte thumbuar nga bleta.

“Sot rreth orës 03:05 minuta, pra të mëngjesit, në turnin e natës në vendin e punës sulmohet fizikisht infermieri i klinikës emergjente nga pacienti. Shumica e personave të cilët vijnë në klinikë janë pa udhëzime pra të pa drejtuar nga mjeku familjarë. Në rastin në fjalë, infermieri i ka thënë të sëmurit meqenëse nuk ka udhëzim  shkoni  në hyrje të emergjencës dhe e merrni udhëzimin. Ai nuk ka pranuar. Bëhet fjalë për një rast të  thumbimi nga bleta që ka qenë në reaksion lokal. Përkundër kësaj, ka filluar sulmi fizik, personi nuk ka dashur as të respektoj urdhrin nga profesionistët e kujdesit shëndetësor”, ka thënë ai për "Zërin".

Ai ka deklaruar se dhuna ndaj mjekëve është një fenomen shqetësues dhe një gjë e tillë është e papranueshme.

Sipas Lenjanit, për shkak të mos sigurisë në vendet e punës, shumë mjek po largohen nga Kosova.

“Nëse bëhet presion i vazhdueshëm në këtë mënyrë atëherë do të krijojnë kushte që të paktën këta mjekë dhe infermierë shumë të devotshëm për punë të shohin mundësi për të ikur në Bashkimin Evropian për mossiguri në vendin e punës. Profesionistët e kujdesit shëndetësor në nivel vendi nuk kanë siguri në vendin e punës për shkak se janë disa persona që pengojnë edhe punën e mjekut në rastet kur kanë nevojë për shërbime emergjente mjekësore”, ka thënë ai./ZËRI