Policia: Për gjashtë muaj kemi iniciuar 80 raste për uzurpim

Kronika July 21, 2018 - 11:22
Detajet

Në aksionin për lirimin e pronave shoqërore të uzurpuara ka asistuar edhe Policia e Kosovës. Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti në Polici thonë se kanë iniciuar 80 raste për uzurpim të pronës, derisa vitin e kaluar 138 të tilla, shkruan "Zëri.info". 

“Policia e Kosovës i inicion për hetim dhe procedim të mëtejmë rastet duke u bazuar në ligjet e vendit, konkretisht në Kodin Penal. Policia, duke u bazuar në këtë, gjatë vitit të kaluar ka iniciuar 138 raste, kurse gjatë gjashtëmujorit të parë (janar-qershor) të këtij viti janë iniciuar 80 raste”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë, e cila i është përcjellë gazetës “Zëri”.

Në anën tjetër, për shifrat zyrtare të AKP-së në lirimin e pronave shoqërore kanë krijuar mëdyshje të shumta njohësit e fushës së sundimit ligjor.

LEXO EDHE: AKP-ja flak uzurpatorët, vetëm edhe tre në Mitrovicë të Veriut

Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare për Transparencë dhe Llogaridhënie, përmend aferat me të cilat është përballur AKP-ja gjatë proceseve të privatizimit, duke përfshirë stërzgjaten e pagesave për ish-punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara dhe sfera të tjera të funksionimit.

“Më e rëndësishmja është mungesa totale e dhënies së llogaridhënies dhe mungesës  absolute të transparencës karshi institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një sferë ku përpos dështimit që të ketë kontroll mbi pronat e saj ky institucion nuk ka marrë as mundin më të vogël që të jetë transparent sa u përket pronave të uzurpuara”, ka thënë Kalaja.

Më tutje ai ka përmendur edhe mungesën e transparencës së këtij institucioni, duke mos bërë publike listën e pronave të uzurpuara.

“Ky institucion nuk e ka bërë publike listën e pronave të uzurpuara, nga kush dhe kur këto prona janë vënë nën kontroll të këtij institucioni. Në këtë kontekst Qeveria, mirëpo më shumë Kuvendi i Kosovës, do të duhej të kërkonte llogari në këtë kontekst nga kjo Agjenci, sepse çfarëdo të dhëne që ky institucion po ofron po ngrit dyshime në vërtetësinë e tyre”, ka deklaruar drejtori i “Kund16”. /ZERI