AKP-ja flak uzurpatorët, vetëm edhe tre në Mitrovicë të Veriut

Ekonomia July 21, 2018 - 08:22
Detajet

Drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) thonë se nga qindra prona të uzurpuara në të gjithë Kosovën kanë mbetur vetëm tri në veri të Mitrovicës. Aksioni për largimin e uzurpatorëve kishte nisur në prill të vitit 2016, pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri”.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në Kosovë kanë mbetur vetëm edhe tri lokale të uzurpuara, përkatësisht në veri të Mitrovicës.
Që nga aksioni për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzuesit e paligjshëm zyrtarë të AKP-së thonë se kanë marrë nën administrim rreth 600 asete në pronësi shoqërore, si dhe 60 të tjera në pjesën veriore të Mitrovicës.

Në AKP paralajmërojnë masa të rrepta për shfrytëzuesit e paligjshëm të pronave shoqërore deri në dëbim me urdhra të Policisë së Kosovës (PK).
Përndryshe, aksioni i AKP-së për lirimin e pronave të uzurpuara në të gjithë Kosovën kishte nisur në prill të vitit 2016, pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri” në dhjetor të vitit 2015, me titull: Shteti “gjunjëzohet” para uzurpatorëve të lidhur me politikën.

LEXO EDHE: Pazari me territore

Kaloshi: Do të lirohen edhe tri lokalet e uzurpuara në veri

Ylli Kaloshi, zëdhënës për Informim në këtë institucion, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka sqaruar se AKP-ja e ka shtrirë autoritetin administrativ edhe në pjesën veriore, ku janë marrë në administrim rreth 60 asete prona ndërmarrjesh shoqërore.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga marrja e vendimit për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga shfrytëzues të paligjshëm ka arritur të marrë nën administrim rreth 600 asete në pronësi shoqërore. AKP-ja ka shtrirë autoritetin e saj administrativ edhe në Mitrovicë, në pjesën veriore, ku deri më tani janë marrë nën administrim 60 asete, prona të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të institucionit.

Ndërkohë, tri lokalet që figurojnë si të uzurpuara në Mitrovicën Veriore premtohet se do të lirohen së shpejti.

“Në tërë Kosovën kanë mbetur edhe tri lokale të uzurpuara në veri të Mitrovicës dhe këto lokale do të lirohen së shpejti. Ritheksojmë se të gjithë ata shfrytëzues të pronave shoqërore që nuk e njohin Agjencinë Kosovare të Privatizimit si administrues ligjor i këtyre pronave do të dëbohen me asistencë të Policisë së Republikës së Kosovës”, theksohet më tutje.

Policia: Për gjashtë muaj kemi iniciuar 80 raste për uzurpim

Në aksionin për lirimin e pronave shoqërore të uzurpuara ka asistuar edhe Policia e Kosovës.

Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti në Polici thonë se kanë iniciuar 80 raste për uzurpim të pronës, derisa vitin e kaluar 138 të tilla.

“Policia e Kosovës i inicion për hetim dhe procedim të mëtejmë rastet duke u bazuar në ligjet e vendit, konkretisht në Kodin Penal. Policia, duke u bazuar në këtë, gjatë vitit të kaluar ka iniciuar 138 raste, kurse gjatë gjashtëmujorit të parë (janar-qershor) të këtij viti janë iniciuar 80 raste”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë, e cila i është përcjellë gazetës “Zëri”.

Në anën tjetër, për shifrat zyrtare të AKP-së në lirimin e pronave shoqërore kanë krijuar mëdyshje të shumta njohësit e fushës së sundimit ligjor.

Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare për Transparencë dhe Llogaridhënie, përmend aferat me të cilat është përballur AKP-ja gjatë proceseve të privatizimit, duke përfshirë stërzgjaten e pagesave për ish-punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara dhe sfera të tjera të funksionimit.

“Më e rëndësishmja është mungesa totale e dhënies së llogaridhënies dhe mungesës  absolute të transparencës karshi institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një sferë ku përpos dështimit që të ketë kontroll mbi pronat e saj ky institucion nuk ka marrë as mundin më të vogël që të jetë transparent sa u përket pronave të uzurpuara”, ka thënë Kalaja.

Më tutje ai ka përmendur edhe mungesën e transparencës së këtij institucioni, duke mos bërë publike listën e pronave të uzurpuara.

“Ky institucion nuk e ka bërë publike listën e pronave të uzurpuara, nga kush dhe kur këto prona janë vënë nën kontroll të këtij institucioni. Në këtë kontekst Qeveria, mirëpo më shumë Kuvendi i Kosovës, do të duhej të kërkonte llogari në këtë kontekst nga kjo Agjenci, sepse çfarëdo të dhëne që ky institucion po ofron po ngrit dyshime në vërtetësinë e tyre”, ka deklaruar drejtori i “Kund16”.

Demhasaj: AKP-ja po e mashtron opinionin publik

Publikimin e listave të uzurpatorëve e ka kërkuar edhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

Demhasaj në një prononcim për gazetën “Zëri” ka komentuar mospublikimin e listave të uzurpatorëve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke e quajtur mashtrim publik qasjen e AKP-së në këtë aspekt.

“Derisa nuk ka publikim të një liste të tillë me prona që kanë qenë të uzurpuara e që kanë mbetur vetëm tri ne nuk mund t’i besojmë një të dhëne të tillë. Po ashtu derisa nuk ka një dokument publik që e tregon këtë”, ka shpjeguar Demhasaj.

Ai ka kërkuar publikimin e listave, në mënyrë që njerëzit që njohin pronat të cilat janë të uzurpuara të tregojnë se nuk janë vetëm ato, por një mori të tilla.

“Duhet të publikohen listat, në mënyrë që njerëzit që i njohin pronat të cilat janë të uzurpuara munden të raportojnë, të tregojnë se nuk janë vetëm këto tri prona, por edhe të tjerat. Mospublikimi i një liste të tillë me prona të uzurpuara është një lloj mashtrimi që po i bëhet opinionit, për shkak se nuk po i publikojnë listat”, ka theksuar në mes të tjerash Demhasaj.

Shqetësues mbetet fakti i ndëshkimit të uzurpatorëve të ndërmarrjeve publike e private në Kosovë. Gjoba më e madhe e shqiptuar ndonjëherë ndaj tyre, duke iu referuar të gjeturave zyrtare, është 600 euro, ndërsa pa raste të paraburgimit të uzurpuesve. /ZERI