Ish-ministri Blerand Stavileci po hetohet nga Prokuroria

Kronika May 10, 2018 - 08:36
Lexoni më shumë detaje

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci për mosdeklarim të pasurisë. Ky rast ka shkuar në Prokurori në fillim të muajit prill të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik e tashmë anëtar i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për mosdeklarim të pasurisë.

Gazeta Zëri nga burime të saja brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka mësuar se rasti i Stavilecit është dorëzuar në këtë prokurori në fillim të muajit prill nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

“Janë duke u zhvilluar hetime ndaj Blerand Stavilecit për  mosraportim të pasurisë. Ky rast ka ardhur në Prokurori kah fundi i marsit, fillimi i prillit”, ka bërë të ditur ky burim.

LEXO EDHE: Dyshime për keqpërdorime në tenderin milionësh për mbytjen e rriqrave

Për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje gazeta ka provuar gjatë ditës së mërkurë ta kontaktojë disa herë Stavilecin për ta marrë qëndrimin e tij, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk kanë dhënë asnjë detaj rreth atyre zyrtarëve, të cilët nuk e kanë deklaruar apo edhe e kanë deklaruar rrejshëm pasurinë e tyre.

AKK: Rastet e mosdeklarimit të pasurisë janë bartur në prokuroritë kompetente

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit i ka thënë gazetës “Zëri” se ato raste ku zyrtarët nuk i kanë deklaruar pasuritë e tyre janë dërguar në Departamentin e Hetimeve dhe në prokuroritë përkatëse.

“Rastet e zyrtarëve në tabelën e publikuar, që kanë deklaruar me vonesë ose nuk kanë deklaruar ende pasurinë, janë bartur në Departamentin e Hetimeve, ku pastaj pas riverifikimit procedohen në prokuroritë kompetente”, ka bërë të ditur drejtori i AKK-së, Shaip Havolli.

Havolli ka thënë se afati i rregullt vjetor për deklarimin e pasurisë ka qenë nga 1-31 mars të çdo viti kalendarik, ndërsa këtë vit ka qenë deri më 3 prill për shkak se data e fundit e deklarimit ka qëlluar të jetë në ditë vikendi, e pasuar nga e hëna (2 prill) si festë zyrtare.

AKK-ja pohon se më shumë se 98 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë e tyre në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

Në listën e zyrtarëve të lartë publikë, sipas AKK-së, kanë qenë të përfshirë 4737, prej të cilëve 4651 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë apo 98,18 %.

Prej numrit të përgjithshëm të atyre që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë 49 zyrtarë të lartë publikë kanë deklaruar pasurinë pas afatit, 6 nuk e kanë deklaruar pasurinë me arsye, kurse 31 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, 12 prej zyrtarëve të lartë publikë nuk i kanë dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë gjatë afatit të rregullt vjetor, sepse të njëjtit kanë deklaruar pasurinë në dhjetor të vitit 2017 me marrjen e detyrës në pozitën e anëtarit në kuvendin komunal respektiv.

Gazeta ka 2 javë që ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit rreth rasteve që janë dërguar nga Agjencia Kundër Korrupsionit në prokuroritë kompetente, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kalaja: Asnjë zyrtar i lartë nuk është përballur me pasoja ligjore deri më tash

Fidan Kalaja, drejtor i Qendrës Kosovare Kundër Korrupsionit, pohon se si çdo deklarim tjetër i rrejshëm, gjithashtu edhe deklarimi i rrejshëm ose tendenca e fshehjes së pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë është vepër penale dhe si e tillë duhet trajtuar nga ana e AKK-së dhe e institucioneve të drejtësisë në vend.

Ai thotë se për shumicën e zyrtarëve të lartë çështja e deklarimit të pasurisë është bërë një proces qesharak dhe joserioz, sepse për më shumë se një dekadë nuk ekziston asnjë rast që një zyrtar është përballur me pasojat ligjore.

“Edhe më herët është deklaruar që deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë është komprometuar aq shumë saqë edhe për ta është një proces qesharak dhe joserioz, sepse pothuajse për më shumë se një dekadë nuk kemi asnjë rast serioz ku zyrtarët e lartë janë përballur me pasoja ligjore sa i përket mosdeklarimit ose deklarimit të rrejshëm të pasurisë së tyre”, është shprehur Kalaja.

Deri para më pak se 4-5 vjetësh, sipas tij, mosdeklarimi i pasurisë nuk ka qenë vepër penale me Kodin Penal të Kosovës dhe pas kësaj janë justifikuar institucionet e drejtësisë, sidomos Gjykata për ndëshkimet qesharake që i kanë dhënë.

Por tash, sipas tij, ekziston baza ligjore që kjo të ndiqet në bazë të procedurave të veprës penale.

“Nuk ka hezitim të zyrtarëve të lartë për mosdeklarim të pasurisë. Për shumicën prej tyre ky është një proces koti dhe i cili nuk i ballafaqon me asnjë rrezik e pasojë ligjore”, ka thënë Kalaja.

Ndryshe, në një intervistë për gazetën “Zëri” kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, pati deklaruar se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra, zëvendësministra e kryetarë komunash po hetohen  nga kjo prokurori për vepra të ndryshme penale.