Dyshime për keqpërdorime në tenderin milionësh për mbytjen e rriqrave

Ekonomia May 10, 2018 - 08:16
Lexoni më shumë detaje

Përfaqësues të organizatave joqeveritare, që janë duke monitoruar tenderin gati njëmilionësh të Ministrisë së Bujqësisë për mbytjen e rriqrave, po dyshojnë se kompania e kontraktuar për këtë qëllim po përdor një preparat shumë të rrezikshëm që nuk i mbyt rriqrat, por që shkatërron gjallesat që gjenden në zonën epidemike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tenderi gati milionësh i Ministrisë së Bujqësisë për mbytjen e rriqrave në komunën e Malishevës dyshohet se po keqpërdoret nga konsorciumi i angazhuar për këtë qëllim.

Përfaqësues të Komunës së Malishevës, por edhe të shoqërisë civile, që janë duke e monitoruar këtë proces të prokurimit po dyshojnë se grupi i operatorëve ekonomikë “Zona Park”, “Flomed”, si dhe “Kosova ERH & Kotori”, që janë fituese të këtij procesi të prokurimit, janë duke përdorur preparate që nuk po i mbysin rriqrat, por që përdorimi i tyre po paraqet rrezik për jetën e gjallesave të cilat gjenden në ato vise, madje ata po alarmojnë se preparati që është duke u përdorur paraqet një rrezikshmëri të lartë, shkruan më tutje "Zëri".

Këta kanë vërejtje edhe për mënyrën sesi kompania e kontraktuar po kryen spërkatjen në zonën epidemike.

LEXO EDHE: Kushtetuesja në fazën e shqyrtimit të vendimit për rritje të pagave

Por në anën tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë thonë se preparati që është duke u përdorur nga kompania e kontraktuar është i licencuar dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe të gjallesave.

Kështu po shprehet edhe pronari i kompanisë “Zona Park”, e cila është duke e implementuar tenderin në terren.

Sipas tij, puna është duke u realizuar ashtu siç është paraparë me kontratë.

Gashi: Po përdoren preparate të rrezikshme

Gazeta “Zëri” gjatë një hulumtimi disajavor ka siguruar të dhëna se tenderi i Ministrisë së Bujqësisë: “Dezinsektimi i hapësirave të ekspozuara për ethet hemorragjike, Krime- Kongo, në fshatrat e komunës së Malishevës”, në vlerën e 819 mijë eurosh, po dyshohet se me çdo kusht është tentuar t’i jepet kompanisë që tashmë e ka fituar tenderin dhe është duke e realizuar në praktikë.

Duke u bazuar në të dhënat e siguruara, shihet se në fillim për këtë proces prokurimi autoriteti kontraktueses, në këtë rast Ministria e Bujqësisë kishte rekomanduar për kontratë një operator tjetër ekonomik, por situata ka ndryshuar pas disa seancave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Dyshimet e ngritura për keqpërdorime me mënyrën e realizimit të punëve nga kompania “Zona Park” i ka konfirmuar edhe drejtori ekzekutiv i rrjetit të organizatës joqeveritare “Avonet” Kenan Gashi, i cili njëkohësisht ka përcjellë për së afërmi procesin e dezinfektimit në komunën e Malishevës.

Gashi për gazetën “Zëri” ka sqaruar se projekti nuk është duke u realizuar në formën profesionale dhe sipas tij, preparatet cilësohen të jenë të rrezikut të lartë.

“Përgatitja e tenderit nuk ka qenë profesionale dhe nga operatorët është njoftuar se një përgatitje e tillë duhet të jetë më profesionale për shkak se ka çmimin e lartë të projektit të planifikuar. Ka elemente të dyshimta se ky tender është përgatitur enkas për kompaninë e caktuar dhe kjo ka shprehur shqetësimin tonë, forma se si po realizohet lë të kuptohet se nuk është duke u realizuar profesionalisht”, ka deklaruar Gashi.

Më tutje ai ka konfirmuar edhe dyshimet për rrezikshmërinë e përdorimit të preparatit me të cilin po kryhet dezinfektimi në këtë hapësirë.

“Vetë preparatet tregojnë se ka një rrezikshmëri të lartë të përdorimit në mjedis e që rrezikshmëria e preparatit duhet të jetë më e ulët. Preparati që aktualisht është duke u përdorur është një preparat me ndikim të rrezikshmërisë së lartë në mjedis. Ky preparat mund të ndikojë në mjedis, t’i dëmtojë bimët, kafshët e shpezët. Nuk është adekuat për rriqra, sepse ka ndikim anësor në mjedis dhe jo ndikim në rriqra”, ka treguar ai.

Preparati nuk është problemi i vetëm i cili po shoqëron këtë procedurë tenderuese.

Gazeta “Zëri” ka siguruar edhe pamje nga procesi i dezinfektimit të hapësirave të ekspozuara për ethet hemorragjike në fshatrat e Malishevës, në të cilën shihet se edhe forma e spërkatjes nuk është duke u realizuar në mënyrë profesionale, ndonëse ajo do të duhej të kryhej në çdo hapësirë të frekuentuar më së shumti nga banorët pa selektime.

Në pamjet e siguruara vërehet se ka pjesë në të cilat fare nuk kryhet spërkatja.

Komuna e Malishevës paralajmëron masa të rrepta për kompaninë

Tërë këto dyshime e alarmuan të martën Shtabin Komunal të Komunës së Malishevës që të dalë në terren për ta monitoruar punën.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në një prononcim për “Zërin” ka konfirmuar se nuk janë përzgjedhur vendet e duhura dhe hapësirat ku po kryhet dezinfektimi.

Berisha ka paralajmëruar se nëse nuk merren parasysh rekomandimet e dhëna mund të kërkohet nga kompania e përzgjedhur, që në këtë rast është “Zona Park” me pronar Besnik Hotin, që të mos dalë në terren më t’i kryejë punët, pasi siç thotë Berisha, kjo është një çështje jetike për banorët e Malishevës dhe nuk janë të interesuar për publicitet.

“Në terren kam parë se nuk janë përzgjedhur vendet e duhura, nuk janë përzgjedhur vendet ku frekuentohen prej qytetarëve më shumë, por është filluar të bëhet dezinfektim në zonat shumë më të larta, ku rreziku është më i ulët ose fare nuk ekziston në ato vende ku është kryer. Esenca është që t’i afrohemi më shumë brendësisë së fshatit, lëndinave, varrezave, lokacioneve të varrezave e të rrugës, të cilat frekuentohen më shumë nga qytetarët e jo në bjeshkë të larta ose në vende ku ka më pak frekuentim”, ka treguar nënkryetari i Komunës së Malishevës.

Nga monitorimi i afërt i punës në terren ai ka thënë se nuk është aspak i kënaqur me mënyrën sesi janë radhitur grupet në terren, për të cilën çështje thotë se ka dhënë rekomandime se si duhet bërë renditja, duke korresponduar grupi me grup, ndryshe ka paralajmëruar masa të rrepta.

“Saktësisht, në emër të Shtabit Komunal për Parandalimin e Etheve Hemorragjike ne mundemi t’i themi kompanisë të mos dalë më në terren, sepse nuk jemi të interesuar ta çojmë mundin poshtë, të bëjmë marketing e as publicitet. Por, kjo procedurë ta ketë efektin e vet dhe t’i eliminojë rriqrat. Nuk jemi të interesuar për reklamë”, ka shtuar Berisha.

Nënkryetari ka paralajmëruar se sërish do të dalin në terren me Shtabin Komunal për ta mbikëqyrur këtë proces dhe për të parë nëse po përfillen rekomandimet e tyre.

Krejt në fund Berisha ka përmendur se duhet të sqarohen edhe disa detaje të tjera, duke përfshirë sasinë e preparatit e cila po hidhet në ujë.

Memaj: Nëse sigurohen argumente për shkelje, do t’i marr të gjitha masat

Për këtë çështje thotë se nuk është në dijeni menaxheri i këtij projekti, Arsim Memaj.

Memaj në një prononcim për “Zërin” ka pretenduar se ende nuk ka marrë ndonjë informacion për këtë çështje.

“Deri më tani nuk kam ndonjë informacion lidhur me problemet që po flisni, të paktën si menaxher asnjë informacion zyrtar nga Drejtoria Komunale, por as nga ndonjë instancë e Komunës nuk kam pasur. Për momentin edhe sot jam në pushim, nga e enjtja do të jem në punë, por në e-malin zyrtar që e kontrolloj pavarësisht faktit se jam në pushim nuk më ka ardhur ndonjë informacion zyrtar për këtë çështje. Me nënkryetarin Berisha jemi dakordauar për çdo informacion, përpos anës së mediave të komunikimit, të kemi edhe komunikim, për çka do të duhej paraprakisht të isha njoftuar”, ka deklaruar Memaj.

Deklaratat e Memajt nuk po dalin të jenë në një vijë me ato të nënkryetarit të Komunës së Malishevës Hajdin Berishës.

Memaj thotë se ka marrë njoftimin zyrtar nga operatori se preparati i përdorur është i licencuar dhe gjendet në listën e preparateve. Derisa shprehet se tri herë ka vizituar punimet në terren në fshatin Shkarashnik dhe në një fshat tjetër të Malishevës.

“Sa i përket punës së preparateve, operatori më ka njoftuar zyrtarisht se është fjala për biocid, i cili është i licencuar nga Republika e Kosovës dhe është në listën e preparateve të Republikës së Kosovës. Është me rëndësi të përmendet se lista e preparateve që përdoren në Kosovë është e harmonizuar me atë të Bashkësisë Evropiane, por edhe kjo është një gjë që mund të verifikohet. Unë jam shumë i interesuar për mbarëvajtjen e këtij projekti, duke ditur se kam edhe nivelin e përgjegjësisë”, ka shpjeguar më tutje menaxheri i projektit.

Memaj thotë se është i interesuar të mos ketë fragmentim të dezinfektimit, por një procedurë e tillë të kryhet në mënyrë unike që të mbulohen 4 mijë hektarë.

“Përfaqësuesi i Komunës është vazhdimisht në terren me ekipin që nga momenti i përgatitjes së tretësirave me preparatin adekuat dhe në rast se Komuna ose përfaqësuesi ka vërejtur një gjë të tillë se nuk është duke u përdorur preparati i duhur dhe në qëndrimin e duhur është për të ardhur keq. E vetmja gjë që mund të them, për shkak të obligimeve të tjera nuk kam mundur ta përcjell vazhdimisht vazhdimësinë e kësaj, por e mira e kësaj  është që nëse arrini të siguroni argumente unë si menaxher i projektit, karshi kompetencave që kam, do t’i marr të gjitha masat. Konfrom informacionit që keni, konform deklaratës me të cilin ka dalë Kuvendi Komunal që nga e enjtja do t’i marr të gjitha masat që do të jenë të mundura për t’i verifikuar këto prova dhe konform mandatit për t’i marrë masat në mbarëvajtjen e këtij projekti”, ka përfunduar ai.

Rrezikshmërinë e preparatit e ka konfirmuar edhe një njohës i kësaj fushe, i cili ka dashur të mbetet anonim për redaksinë për shkak të disa problemeve kontraktuese.

“E di që preparatin që po e përdorin nuk është adekuat”, ka thënë ky burim, emër i njohur për redaksinë.

Hoti: E papranueshme të përmendet shkelja

Por pretendimet e ngritura për këto keqpërdorime po i mohon pronari i kompanisë “Zona Park” Besnik Hoti, i cili edhe ka fituar këtë tender.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me pronarin e kompanisë së përzgjedhur Besnik Hotin, i cili ka thënë se preparatet janë të licencuara, ndërsa sipas tij, është e papranueshme dhe e paqëndrueshme të përmendet shkelja në këtë procedurë tenderuese.

“Tenderi ka monitorues, ka ekip, ka organ mbikëqyrës, ka menaxher të kontratës prej anës së autoritetit kontraktues, gjithashtu është edhe menaxherja prej anës së kompanisë si operator ekonomik, të gjitha punët po ecin. Janë të përcaktuara të gjitha në kontratë, të gjitha janë konform rregullave dhe ligjeve nën fuqi, kontrata është duke u implementuar me përpikëmëri. Sigurisht, preparatet janë të licencuara, të importuara me leje importi e me analiza, të gjitha këto janë të përcaktuara kaherë, janë kryer këto gjëra”, ka deklaruar për “Zërin” pronari i kompanisë së përzgjedhur për ta kryer dezinfektimin e hapësirave të ekspozuara nga ethet hemorragjike.

Hoti ka përfunduar se gjithçka po ecën në formë efektive dhe procesi po monitorohet nga ekspertët dhe doktorët që merren me këtë punë.

“Absolutisht është e paqëndrueshme të përmendet shkelja, është krejtësisht diçka e papranueshme. Po shkon në formë efektive, po monitorohet çdo ditë, janë mbikëqyrësit, ekspertët  e doktorët që merren me këtë punë”, është shprehur pronari i kompanisë “Zona Park”.