Prokuroria e Ferizajt jep detaje për rastin e policëve të zhdukur

Kronika May 02, 2018 - 15:16
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Janë bërë katër ditë që kur dy zyrtarët policor, Malsor Dashi dhe Armend Trena janë zhdukur pas aksidentit që kanë pësuar natën e 28 prillit në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik, dhe të njëjtit ende nuk janë gjendur, raporton “Zëri.info”.

Prokuroria e Ferizajt ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti.

LEXO EDHE: Tri ditë kërkime, asnjë informatë për dy policët e zhdukur

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari thotë për “Zëri” se  prokuroria është duke i udhëhequr hetimet, por që për momentin ende nuk ka ndonjë të në këtë rast.

Kryeprokurori Jashari thotë se prokuroria  tash për tash dyshon  se rasti ka të bëj  me aksident.

Sipas tij se për momentin nuk ka ndonjë dyshim se mund të ketë qenë ndonjë inskenim në këtë rast.

“Dyshohet se është aksident dhe zyrtarët policor janë hedhur në ujë. E kemi bërë kërkesën për ekzaminimin e veturës. Njësitet relevante janë në vendin e ngjarjes po bëjnë gjurmimin. Në momentin kur ka ndodhur aksidenti, pas gjysmë ore, eventualisht pas 40 minutash unë kam qenë në vendngjarje”, shprehet Jashari.

Dy zyrtarët policorë, sipas tij po ktheheshin në stacionin policor në Kaçanik, pas dërgimit në paraburgim të një të burgosuri.

“Kanë qenë në detyrë dhe duke u kthyer në bazë, pasi që kanë qenë në Han të Elezit për ta dërguar një person që ka qen i arrestuar, pasi i është caktuar arresti shtëpiak dhe gjatë kthimit të tyre në bazë ka ndodhur aksidenti”, është shprehur kryeprokurori Jashari.

Ndryshe, zyrtarët policorë, Malsor Dashi dhe Armend Trena janë aksidentuar të shtunën rreth orës 20:45 në magjistralen Hani i Elezit-Kacanik. Njësitet e ndryshme hetimore tash e katër ditë po hetojnë për gjetjen e trupave të tyre. /Zëri