Mjekësia Ligjore: Kurti u vetëvra

Kronika April 26, 2018 - 09:26
Lexoni më shumë detaje

Një ditë pas vdekjes së tij, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsinë e trupit të pa jetë të aktorit dhe njëherësh të zyrtarit të Komunës së Gjakovës Art Kurtit. Raporti fillestar i autopsisë së Mjekësisë Ligjore thotë se Kurti u vetëvra.

“Pas autopsisë që është bërë sot, rasti fillimisht po cilësohet si vetëvrasje me armë zjarri”, kanë bërë të ditur burime të gazetës “Zëri” brenda IML-së.

Në anën tjetër, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, në një prononcim për “Zërin” të mërkurën tha se Kurti kishte dy telefona dhe se Hetuesia po i heton për të kuptuar nëse mund të zbardhet diçka prej tyre.

Kryeprokurori po ashtu ka mohuar raportimet në medie se për këtë rast po hetohen disa persona fajdexhinj, të cilët mund të kenë qenë të infiltruar në rast.

Në lidhje me disa raportime në medie se janë duke u hetuar edhe disa fajdexhinj, për të cilët dyshohet se mund të jenë të përfshirë në këtë rast, kryeprokurori Selimaj tha se ka kontaktuar me hetuesit e këtij rasti, duke shtuar se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këto raportime.

Gazeta ka kontaktuar edhe komandantin e Policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj, i cili ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës shumë shpejt do të dalë me një njoftim në lidhje me këtë rast.

Gjatë ditës së mërkurë është mbajtur edhe mbledhja përkujtimore për vdekjen e aktorit Kurti. Në këtë mbledhje familjarë, miq e kolegë kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e aktorit.

Motra e Artit, Mirjeta Kurti, mes lotësh ka kujtuar edhe momente gjatë jetës së tyre së bashku.

“Kur ka lindur Arti kam pasur gjashtë vjet e gjysmë, që nga momenti jam kujdesur gjithçka për të. Çdo gjë që e kemi bërë vetëm për ta gëzuar nënën, babën dhe vëllezërit e kemi bërë bashkë duke u munduar. Kemi jetuar bashkë, jemi përlarë dhe mua më ka vdekur krahu im i djathë”.

Ajo është shprehur se nuk ka mundur ta mbrojë atë siç duhet.

“Mua më vjen keq që nuk e kam mbrojtur më shumë, më vjen keq që nuk kam ditur ta mbroj më shumë prej sendeve që i paska pasur ose prej gjërave që e paskan munduar. Kisha dashur që të gjithë të luten për shpirtin e tij”. ka përfunduar ajo.

Edhe i pari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka folur në mbledhjen përkujtimore për Kurtin.

Gjini ka thënë se jeta e viteve të pasluftës ka pasur një inerci dhe ka sjellë goxha dhimbje.

“Ne duhet që të arrijmë të komunikojmë me njëri-tjetrin, që t’ia japim dorën njëri-tjetrit kur është në zor, për shkak se po e shohim se si mund të këputet një jetë e jashtëzakonshme”, ka thënë ndër të tjera kryetari Gjini, në zyrën e të cilit ishte i punësuar Arti.

Trupi i pajetë i aktorit 23-vjeçar Art Kurti është gjetur në mëngjesin e së martës, rreth orës 7:50. Policia ka treguar se trupi i viktimës është gjetur në rrugën Gjakovë – Goden, në vendin e quajtur “Qafa e Zabelit”, në një veturë./Zëri