Suspendohet një polic në veri të Mitrovicës

Kronika April 21, 2018 - 17:01
Kjo është arsyeja!

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) gjatë mëngjesit të sotëm ka pranuar një informacion lidhur më përfshirjen e dy zyrtarëve policorë në një incident në mes njëri tjetrit, transmeton "Zëri.info". 

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes në rrugën “Lole Ribara”në një lokal në Mitrovicën e Veriut ku kishte ndodhur edhe incidenti.

Hetuesit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse rasti nga prokurori kujdestar është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim i rëndë trupor.

Në bazë të informacioneve të para, si pasojë e këtij incidenti njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore (frakturë në hundë) dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Si pjesë e procedurave administrative, krahas hetimit penal që po zhvillohet, njëri nga zyrtarët policorë është suspenduar për 48 orë.

Hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriqimit të plotë të këtij rasti dhe motivit të incidentit në konsultim me prokurorin kompetent.