Ç’po ndodh me kuksianët e arrestuar?

Kronika April 03, 2018 - 11:10
Gjykata merr vendimin e befasishëm

Edhe pse ishte njoftuar se ditën e sotme 23 kuksianët e arrestuar pas protestës kundër taksës për rrugën e Kombit do dilnin para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur.

Gjykata ka vendosur që seanca për ata të zhvillohet ditën e nesërme në orën 10:00, ndërsa ende nuk dihen arsyet e këtij vendimi.

Express mëson se të arrestuarit nuk kanë pranuar akuzat e prokurorisë për dhunim të pronës private si dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë, duke i kërkuar prokurorisë fakte të qarta, nëse ka, për përfshirjen e tyre në akte të dhunshme.

Edhe pse ata ndodhen në Tiranë, pasi policia i transferojë nga Kukësi për në kryeqytet për mungesë kapacitetesh në Komisariatin e qytetit, por ata do të dërgohen për në Kukës për të dalë para gjykatës.

Arrestimi i tyre erdhi pas protestës kundër taksë së vendosur nga qeveria, ku çdokush që kalon në rrugën e Kombit duhet të paguajë nga 5 euro deri në 44 euro.

Por, qytetarët të irrituar, i vunë flakën kabinës ku ishin të vendosura makineritë për pagesën e kësaj takse, ndërsa më pas, policia vuri në pranga 23 persona.

Po ashtu, lidhur me këtë protestë, janë shpallur në kërkim edhe 13 persona të tjerë, mes tyre edhe ish-deputeti i PD-së Azgan Haklaj.