Aktivistët e “Vetëvendosjes” presin vendimin e Gjykatës së Apelit

Kronika February 23, 2018 - 08:08

Gjatë ditës së djeshme u mbajt seanca nga Gjykata e Apelit për 4 aktivistët e “Vetëvendosjes”, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti, të akuzuar për “Sulm ndaj Kuvendit të Kosovës”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Edhe pas shqyrtimit të ankesave nga të akuzuarit, trupi gjykues e ka mbyllur seancën pa ndonjë vendim përfundimtar rreth rastit. Megjithëkëtë kjo Gjykatë ka njoftuar se aktivistët do të njoftohen me shkrim për vendimin që do ta marrin.

Gjyqtarja Tonka Berishaj ka thënë se vendimi do të merret brenda afatit ligjor, ndonëse nuk dha asnjë datë.

Prokuroria e Apelit ka deklaruar se qëndron prapa ankesës së Prokurorisë Speciale dhe njësoj edhe ajo kërkon që të akuzuarve t’u shpallen dënime më të larta, si dhe të hedhen poshtë ankesat e të akuzuarve, të dorëzuara në këtë Gjykatë.

Por, pavarësisht kësaj avokatët e 4 të akuzuarve shprehen optimistë se Gjykata e Apelit do të marrë vendim pozitiv për aktivistët e dënuar.

Krasniqi: Rasti ynë është rast politik

Frashër Krasniqi, nga “Vetëvendosja”, gjatë seancës së akuzimit të tij ka thënë edhe një herë se ky rast është politik. “Çdo dëshmi e dëshmitarëve është e ndikuar nga Policia.

Në këtë lëndë dëshiroj të shtoj se kemi prova ekzakte të pamohueshme dhe relative që të gjitha na shfajësojnë neve, ndërsa ato të dëshmitarëve të gjitha janë dyshuese", ka thënë Krasniqi.

Ai deklaratat e dëshmitarëve gjatë procesit në Gjykatën Themelore, në të cilën katër aktivistët u dënuan me 21 vjet burg për sulmin në Kuvend, i cilësoi kontradiktore.

“Provat materiale shkencore të këtij rasti për ne janë shfajësuese, ndërsa deklaratat e dëshmitarëve janë qartazi të pavërtetuara dhe kontradiktore”, ka thënë Krasniqi. Ai e ndërpreu fjalën e tij për shkak se të gjitha ato që kishte për të thënë janë thënë edhe nga avokati i tij.

Gashi: Dëshmitë kundër aktivistëve janë të pavërteta

Tomë Gashi, avokati i Frashër Krasniqit, ka thënë se ka kërkuar që aktivistët të lirohen nga paraburgimi për shkak se kjo masë është e panevojshëm. “Unë propozova që të ndalohet paraburgimi i tyre, ndërsa në seancë u tha se do të njoftohen pastaj për këtë çështje. Deri atëherë do të presim”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, dënimi nga shkalla e parë ka qenë për shkak të vdekjes së Astrit Deharit në burg.

“Dënimi i shkallës së parë ka qenë për shkak të vdekjes së Astrit Deharit. Të gjitha dëshmitë që janë përdorur kundër aktivistëve nuk kanë qenë të vërteta, e vërteta ka qenë vetëm se është sulmuar Kuvendi, por që kryerësit e kësaj vepre nuk kanë bërë asnjëherë”, ka thënë Gashi.

Gashi gjithashtu ka shtuar se gjatë seancës u është thënë se lidhur me këtë kërkesë do të vendoset më vonë dhe se do të njoftohen me shkrim.

Kastrati: Gjykata Themelore ka marrë vendim të gabuar

Në anën tjetër Emrush Kastrati, avokati i Egzon Halitit, ka vlerësuar se Gjykata Themelore ka ardhur në përfundim të gabuar në lidhje me aktivistët.

“Qartësimi i fotografive nuk është bërë, ADN-ja nuk është përputhur me asnjë nga të akuzuarit, Grafologjia e as Forenzika nuk e konfirmojnë fajësinë e të akuzuarve. Gjykata e shkallës së parë ka ardhur në përfundim shumë të gabuar”, ka thënë avokati Kastrati. 

Edhe Ali Beka, avokati i Adea Batushës, kundërshtoi aktgjykimin e Themelores për katër aktivistët. “Nuk është vlerësuar saktësia e provave kundërthënëse në aktgjykim. Në vend se aktgjykimi t’i vlerësojë provat materiale, ai merret me opinione, komente e herë-herë madje edhe me komplimente”, ka thënë avokati Beka. 

Ndërsa Ramiz Krasniqi, avokati i Atdhe Arifit, ka thënë se duke e njohur trupin gjykues është i bindur se ky trup do t’i marrë parasysh ankesat e tyre.