Siguron Policia, në veri është qetë

Kronika January 29, 2018 - 09:08

Pas rekomandimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë shtetasve të vet që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës, shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, ka siguruar qytetarët se nuk kanë asnjë arsye të frikësohen për sigurinë e tyre, “sepse gjendja është e qetë dhe stabile”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

“Qytetarët nuk kanë asnjë arsye të frikësohen për sigurinë e tyre. Gjendja e sigurisë në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është e qetë dhe stabile. Në këtë pjesë të Kosovës në disa ditë të fundit nuk është regjistruar asnjë incident”.

Me këto fjalë ka siguruar qytetarët e veriut të Kosovës Zhelko Bojiq, shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, duke folur pas një paralajmërimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë se në veri të Kosovës mund të ketë incidente pas vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, shkruan tutje "Zëri".

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë u ka rekomanduar shtetasve të vetë që të mos udhëtojnë në veri të Kosovës për shkak të rrezikut për incidente të reja pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

“Në veri të Kosovës, në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok situata është e tensionuar. Ndonëse dhuna nuk manifestohet ndaj të huajve, nuk mund të përjashtohen incidente që kufizojnë lirinë e përgjithshme të lëvizjes”, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Gjermanisë.

Verolub Petroniq, nga Qendra Humanitare në Mitrovicën Veriore, ka thënë se Gjermania ka mundur ta lëshojë një paralajmërim të tillë për dy arsye: “për shkak se viti i kaluar është shpallur ‘Vit i terrorizmit’ e Gjermania duhet të tregojë se ka një shoqëri të përgjegjshme dhe qeveri të përgjegjshme dhe se përcjell vazhdimisht situatën në Kosovë, duke drejtuar vëmendjen nga Ballkani, si dhe për faktin se Gjermania ka disa njohuri se diçka do të ndodhë në veri të Kosovës e nëse ka njohur të tilla duhet ta njoftojë Policinë e Kosovës. Por Gjermania nuk ka informacione të tilla, më shumë Gjermania dëshiron t’ua tërheqë vërejtjen qytetarëve të vet që të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në veri të Kosovës”,  ka thënë Petroniq.

Situatë e qetë mbretëron edhe në jug të Mitrovicës. Përveç ndonjë incidenti që ka të bëjë më shumë me vjedhje, arrestime për drogë dhe për prostitucion, në jug të Mitrovicës nuk është shënuar asnjë rast tjetër kriminal që cenon sigurinë e qytetarëve.

Në anën tjetër, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës ka prezantuar raportin vjetor të punës për vitin 2017.

Zëvendësdrejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në jug, nënkolonele Afërdita Mikollvci, ka thënë se rastet kriminale kanë shënuar rënie për 6,3 për qind në krahasim me një vit më përpara, veprat penale për 3,5 për qind dhe veprat penale kundër pasurisë kanë shënua rënie për 5,5 për qind.

Toger Fitim Zahiti tha se suksesi më i madh i Policisë është se është zbritur zbulueshmëria e veprave të përgjithshme kriminale në vitin 2017. 

“Zbulueshmëria e veprave kriminale në vitin 2017 është zbritur në 44,1 për qind”, ka precizuar ai.

E ndërkaq, zëvendësdrejtoresha e  Policisë Rajonale të Mitrovicës, nënkolonele Afërdita Mikullovci theksoi se nga  të dhënat e publikuara shihet qartë  se objektivat e Policisë janë arritur në vitin 2017 dhe kjo është me të vërtetë  për t’u vlerësuar.

“Puna jonë shihet vetëm nga rezultatet konkrete, të cilat në vitin 2017 janë evidente dhe inkurajuese. Zbulueshmëria e aktiviteteve kriminale prej 70,1 për qind nuk është arritur në asnjë komunë tjetër dhe kjo flet qartë për punën e mirë që policët kanë bërë. Qytetarët e Mitrovicës besoj se janë të kënaqur me këtë punë”, tha nënkolonele Afërdita Mikullovci.