Shpërblim kush ofron informata për vrasjen e Ivanoviqit

Kronika January 16, 2018 - 14:48

Policia e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar ka bërë të ditur se është duke punuar intenzivisht për hetimin dhe zbardhjen e vrasjes së sotme të Oliver Ivanoviç, njofton 'Zëri.info'. 

Për identifikimin sa më të shpejt të kryerësve të këtij akti kriminal, Policia e Kosovës është duke kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

Për këtë, Policia ka ofruar 10 mijë për këdo që ofron informacione lidhur me këtë rast.

Gjeni të plotë njoftimin e Policisë:

Lidhur me rastin e vrasjes së z.Ivanovic, të ndodhur sot rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saja relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

 

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejt të kryerësve të këtij akti kriminal, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

 

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofron një shpërblim prej 10.000 euro (dhjetëmijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar:

Tel:-080019999 ose

192, dhe

e-mail: [email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe.