Gjatë vitit 2017 u ngritën 109 aktakuza ndaj zyrtarëve të shtetit

Kronika December 20, 2017 - 17:49

Ministra e kryetarë komunash, policë e mjekë, drejtorë komunalë e punëtorë të administratës publike. Janë këto pozitat që mbanin, ose mbajnë, kontingjenti i mbi 100 personave që prokurorët kosovarë i kanë akuzuar për korrupsion në vitin 2017.

Express sjell detajet nga aktakuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale dhe krejt prokuroritë themelore të vendit.

Korrupsioni si vepër penale është një nga kriteret për liberalizimin e vizave. Bashkësia ndërkombëtare dhe akterë të ndryshëm në vazhdimësi kritikojnë Qeverinë që nuk po bën mjaft në luftë kundër këtij fenomeni, që i ka prekur nivelet më të larta të zyrtarëve publikë.

Prokuroria e Shtetit në anën tjetër thotë që këtë vit ka akuzuar për korrupsion mbi 100 persona.

“Gjatë vitit 2017 në shtatë prokuroritë Themelore dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, prokurorët kanë ngritur gjithsej 76 aktakuza kundër 109 personave, për veprën penale të “korrupsionit”, për personat e nivelit të lartë”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë. 

Prokuroria e Shtetit deklaron se nga hetimet dhe aktakuzat për korrupsion nuk kanë qenë të paprekshëm edhe njerëzit më të pushtetshëm në vend.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti ka ngritur 8 aktakuzë kundër 28 personave, për pozita të ndryshme si: Ministër, Kryetar Komune, ish-kryetar Komune, sekretar të Ministrisë, drejtorë, avokat, mjekë, jurist, etj”, thuhet në një përgjigje për gazetën Express.

Prokuroria më e madhe themelore në vend, ajo e Prishtinës që ka në përgjegjësi po ashtu hetimin e veprave penale që prekin nivelet e zyrtarëve më të ulët se ministra e kryetarë komunash, thotë se ka akuzuar 38 persona të këtyre pozitave.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë këtij vitit ka ngritur 30 aktakuza kundër 38 personave me pozita të ndryshme, që janë të nivelit të lartë dhe që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. 

Prokuroria Themelore e Prizrenit  në anën tjetër ka ngritur 7 aktakuza kundër 8 personave,  prej tyre me pozita si policë, mjekë, drejtor, këshilltarë, e që kanë të bëjnë me veprën e korrupsionit, ndërsa për të njëjtën vepër Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur 8 aktakuza kundër 13 personave me pozita të ndryshme.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në përgjigjet e Prokurorisë së Shtetit thuhet se ka ngritur 2 aktakuzë kundër 2 personave njëri prej tyre është mjek, ndërsa tjetri është zyrtar i gjendjes civile, aq sa ka ngritur edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës, kurse Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur 15 aktakuza kundër 15 personave, prej tyre dy ish –kryetar të komunave si dhe zyrtar të tjerë të përfshirë në korrupsion.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur 4 aktakuza kundër 11 personave me pozita të ndryshme që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë.