Burri që vrau gruan në Pogradec- me probleme mendore, kjo është dëshmia në gjyq

Kronika September 25, 2017 - 11:08

“E vrava nga xhelozia, dyshoja se më tradhtonte”.

 Kështu është shprehur Bashkim Mekolli para grupit hetimor lidhur me motivin e vrasjes së gruas së tij një ditë më parë në Pogradec, Demirkë Mekolli.

Ai e goditi disa herë me sqepar dhe thikë, derisa e la të vdekur në vend. “I kërkoja llogari, por ajo nuk më përgjigjej siç duhet”, ka vijuar më tej ai. Burimet zyrtare nga Policia e Korçës thanë për “Panorama Online” se autori i ngjarjes është i sëmurë mendor. Ai pritet të dalë nesër para gjykatës për të mësuar edhe masën e sigurisë që do vendoset ndaj tij.

Familja e viktimës po përballej me varfëri të vazhdueshme dhe i vetmi mjet jetese ishte ndihma ekonomike që ata merrnin, rreth 30 mijë lekë të vjetër. Për shumë vite ata kanë jetuar në një shtëpi në periferi të fshatit.

 Por banesa vetëm sa vinte e rrënohej, ndaj vetë Bashkimi e kishte shitur një vit më parë. Më pas bashkë me familjen ai kishte shkuar për të jetuar në banesën e të atit. Prej një viti i moshuari u ka lënë njërën prej dhomave të shtëpisë, por edhe marrëdhënia e tij me djalin ishte e krisur. Ai thuajse nuk fliste fare me të për shkak të grindjeve të mëparshme, të cilat sipas tij, ishin për arsye banale dhe vinin si pasojë e gjendjes mendore të të birit.

75-vjeçari, edhe pse jetonte në të njëjtën banesë me djalin dhe nusen, nuk fliste fare me ta. Ai e kishte humbur bashkëshorten e tij 14 vite më parë, duke vazhduar kështu jetën e tij i vetëm.

Në momentin që kishte mësuar për shitjen e shtëpisë së Bashkimit, ai përsëri kishte pranuar ta ndihmonte të birin, duke i hapur derën dhe duke i vënë në dispozicion njërën nga dhomat. Shpesh e ndihmonte edhe me para nga pensioni i tij, pasi ndihma ekonomike që merrnin ishte e pamjaftueshme për të jetuar.

Dy muaj më parë, Bashkimi kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së tij psikologjike që sa vinte e rëndohej dhe ishte diagnostikuar me depresion.

Menjëherë ai ka nisur të përdorë medikamente për t’u kuruar, por pavarësisht kësaj, mjekimi nuk ka dhënë rezultat dhe ai ka arritur deri në vrasjen e bashkëshortes.

Djali i tyre 16- vjeçar ndodhet në Itali te të afërmit e nënës së tij. Ata kishin gjetur si mundësi të vetme për ta larguar nga kjo situatë e vështirë familjare dhe i kishin dhënë edhe mundësinë e vazhdimit të shkollës në shtetin fqinj. Prej disa muajsh Bashkimi dhe Demirka kishin autorizuar motrën e viktimës përmes një prokure që ta merrte djalin në Itali dhe të vazhdonte jetesën atje. Siç mësohet, edhe vetë çifti po planifikonte që me kalimin e kohës të merrnin rrugën e emigracionit, pasi në fshatin e tyre në Pogradec ata nuk kishin asnjë mundësi jetese./Indeksonline