Kryetari i Prizrenit gjykohet në Gjilan

Kronika September 22, 2017 - 12:41

Gjykata e Apelit ka caktuar Gjykatën Themelore në Gjilan si kompetente për ta gjykuar Ramadan Mujën dhe pesë të akuzuarit e tjerë për shpërdorim të pozitës zyrtare, njofton Klan Kosova.

Apeli vendosi kështu pas kërkesës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren.

R.M.,S.P.,A.A.,K.U.,A.T. dhe M.K., akuzohen për shkak të veprës penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit, nga neni 422 paragrafi 1 e 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që kjo çështje penale, t’i kalojë në kompetencë ndonjë gjykate tjetër, me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet i akuzuari R.M., është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku  kryetari i gjykatës dhe një gjyqtarë janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit vlerësoj Gjykata Themelore në Prizren, është jo-kompetente për ta gjykuar këtë çështje,  për shkak se ekzistojnë pengesa juridike dhe faktike ashtu siç parashihen në dispozitat e nenit 37 të Kodit të Procedurës Penale.