Seanca ndaj Limajt dhe të tjerëve u mbajt me dyer të mbyllura

Kronika September 20, 2017 - 17:22

 

Të mërkurën është mbyllur për mediat dhe publikun, gjykimi i rastit MTPT, ku për vepra të ndryshme që lidhen me korrupsionin po akuzohen ish-ministri Fatmir Limaj dhe të tjerët.

Në seancën e së mërkurës, mediat dhe publiku janë përjashtuar nga salla.

Kryetarja e trupit gjykues Marie Tuma, tha se seanca ishte e mbyllur, për arsye se do të diskutohet vetëm për çështje administrative, dhe se për këtë seancë nuk kishte asnjë dëshmitarë.

Pas seancës, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarit Endrit Shala, avokati Nysret Islami, nuk dha ndonjë detaj në lidhje me zhvillimin e seancës, por vetëm njoftoi se seanca e radhës do të mbahet më 26 shtator 2017.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë./Insajderi