Të burgosurit e Burgut të Dubravës hyjnë në grevë

Kronika May 23, 2017 - 13:31

Të burgosurit e Burgut të Dubravës kanë marrë vendim që të hyjnë në grevë qe katër ditë me radhë.  Kështu bëjnë të ditur burimet e Zeri.info, sipas të cilave ky vendim ka ardhur pasi që të atyre u  janë ulur vizitat dhe pakot ushqimore.

Mirëpo, të kontaktuar nga “Zeri”, përfaqësuesit e Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk kanë dashur të përgjgjigjen gojarisht, ndonëse nuk e kanë mohuar që një gjë e tillë është e vërtetë.

Duke mos dhënë detaje, Shërbimi Korrektues ka kërkuar që pyetjet t’i përcillen në formë të shkruar, me anë të emailit.

Ndërkohë, në përgjigjen me shkrim, Jeton Kabashi, zyrtar për komunikim me publikun nga Shërbimi Korrektues, ka bërë të ditur se disa të burgosur kanë refuzuar të punojnë.

“Në bazë të pyetjeve tuaja, ju informojmë se disa të dënuar në Qendrën Korrektuese në Dubrave kanë refuzuar punën në shenjë pakënaqësie pas ndryshimit të disa neneve të Ligjit Mbi Ekzekutimin e Sanksioneve, që kanë të bëjnë me benificionet e të burgosurve”, ka deklaruar ai për “zerin”.

Kurse, pavarësisht se ata kanë refuzuar të punojnë, Kabashi ka thënë se një gjë e tillë nuk ka të bëjë me grevë.

“Pra, ju sqarojmë se nuk ka grevë por vetëm refuzim të punës”, ka shtuar ai./Zeri