Flet për herë të parë mjeku anestezist: S’kisha çfarë të bëja

Kronika May 17, 2017 - 14:45
Është marrë në pyetje nga grupi i hetimit mjeku anestezist dhe stafi që asistoi në operacionin e 16-vjeçares Blerta Pepa e cila humbi jetën pas ndërhyrjes në gju.

Mjekët kanë pohuar se pacientja Blerta Pepa nuk ka shenja të hipertermisë (temperaturës së lartë), pas injektimit të dozës së parë të anestesizë.

Për këtë arsye sipas mjekëve pas sasisë së parë, është vazhduar me injektimin e medikamentit në masën e përcaktuar për ndërhyrjet kirurgjikale.

Stafi mjekësor një zëri në dëshminë e dhënë për grupin e hetimit e ka cilësuar ngjarjen si “një rast fatkeq”, shkruan Panorama.

Mjekët në dëshminë e tyre kanë deklaruar se ky është një rast tepër i rrallë ndërsa ka shtuar se në rastet kur pacientët e demonstrojnë hiperterminë që në momentet e para të injektimit të anestezisë, ndalohet futja e mëtejshme e medikamentit në organizmin e pacientit dhe pasojat janë më të kontrollueshme.

Për këtë ngjarje prokuroria ka nisur hetimet me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm ndaj mjekut Tefik Zhurda dhe stafit që ka qenë pjesë e ndërhyrjes kirurgjikale.

Prokuroria ka urdhëruar mjekësinë ligjore të bëjë raportin e autopsisë për viktimën ndërsa ekspertim është urdhëruar të kryhet edhe për vetë mjekun Zhurda për të dokumentuar shkaqet dhe shkallën e tij të dëmtimit nga vetëinjektimi i ilaçit anestezik gjatë tentativës së vetëvrasjes pas humbjes së jetës nga pacientja.

Grupi i hetimit ka sekuestruar kartelën klinike dhe gjithë dokumentacionin e 15-vjeçares me qëllim që të shikohet nëse ekipi mjekësor ka qenë në dijeni të faktit se vajza kishte shfaqur reaksion nga medikamentet para ndërhyrjes në gju, pasi deri tani as ky moment nuk është verifikuar. /albeu.com