Tiranë, daja futet në sherr të mbrojë nipin, vritet me çifte nga 16-vjeçari

Kronika March 18, 2017 - 14:07

Një person ka gjetur vdekjen pas një përplasje me armë që pati gjatë ditës së djeshme në zonën e Bathores, në periferi të Tiranës.

Aleksandër Barlika u qëllua me çifte nga një 16-vjeçar me inicialet L.C i cili ka rënë në prangat e policisë. Tre persona të tjerë u arrestuan, mes të cilëve, babai i autorit, Rasim C, 49 vjeç, Altin Barlika 38 vjeç dhe nipi i këtij të fundit K. P 16 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Uniformat blu të kryeqytetit kanë mundur të zbardhin konfliktin e ndodhur duke vënë në pranga katër personat që u përfshinë në sherr me njëri-tjetrin në Bathore për motive që nga policia cilësohen si të “dobëta”. 

Sipas policisë, Alekasandër Barlika së bashku me vëllain e tij Altinin 38-vjeçar, i shkuan në ndihmë nipit të tyre i cili ishte konfliktuar me një bashkëmoshatar të tijin, 16-vjeçarin L.C, që më tej u bë edhe autor i vrasjes së ndodhur, transmeton Express.

Sipas policisë, sherri ka nisur mes dy të rinjve K.P dhe L.C.  Më tej në këtë sherr janë përfshirë edhe dy dajat e 16-vjeçarit K.P, Aleksandër dhe Altin Barlika si dhe babai i 16-vjeçarit tjetër, Rasim C. Ata janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin por më pas kanë shkuar deri në përdorim të armëve të zjarrit.

Dy vëllezërit Barlika të shoqëruar edhe nga nipi i tyre K.P kanë nxjerrë pistoletën dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj L. C., D. C. dhe Rasim C. Në këtë kohë duke përfituar nga rrëmuja e krijuar, 16-vjeçari L. C ka marrë një armë gjahu me të cilën ka qëlluar Aleksandër Barlikën i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra, ndërsa vëllai i tij Altin Barlika pësoi dëmtime të lehta trupore.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga policia një armë zjarri pistoletë TT me një krëhër dhe 8 fishekë dhe një çifte.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë veprat penale të ndryshme, "Vrasja me dashje", "Vrasja me dashje e mbetur në tentativë në bashkëpunim", "Plagosja e lehtë me dashje", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Moskallëzimi i krimit".