Tomë Gashi: Kryeprokurori Sylë Hoxha gënjeu, Astrit Dehari është vrarë

Kronika December 16, 2016 - 18:27

Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari ka thënë se Astrit Dehari, nuk është vetërarë, por plagët që ka marrë janë të natyrës vetëmbrojtëse.

“Në bazë të konstatimeve, ekspert kanë ardh në përfundim që të gjitha plagët në trupin e Astrit Deharit, janë plagë të vetëmrojtjes”, tha avokati Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës, duke thënë tutje se kryeprokurori Sylë Hoxha ka deklaruar rrejshëm kur ka thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë.

“Edhe unë kam qenë aty, por si vëzhgues, ekspertët ditën e djeshme na kanë dërgu një raport 14 fletëshe, janë konsultuar edhe provat nga prokuroria themelore në Prizren, nga Sylë Hoxha dhe Metush Syla”, tha ai.

“Ai ka deklaruar rrejshëm, sepse Sylë Hoxha – unë kam qenë në Prokurorinë e Shtetit në Prishtinë, kur e kam marrë këtë raport të autospsisë që na është dhënë me katër pika, të cilat Syla i ka keqpërdorur”.

“Sqarimi është se në pikën një dhe dy plagët të cilat janë gjetur janë të vetëshkaktuara, Sylë Hoxha disa orë më vonë e ka marrë të njëjtin raport por me këto pika, ky ka qenë mashtrimi fillestar nga ana e kryeprokurorit kinse hetimet i ka mbaruar. Ai ka deklaru që kinse i ka mbyll hetimet, e nuk kanë qenë të mbyllura”, tha Gashi.