I vrari në Mitrovicë nuk ishte nxënës

Kronika December 07, 2016 - 12:06

 21-vjeçari nga Mitrovica, i cili mbeti i vrarë mëngjesin e së mërkurën në afërsit të gjimnazit “Frang Bardhi” nuk ishte nxënës i kësaj shkolle, e as i dy shkollave të tjera që  ndodhen në të njëjtin vend me gjimnazin, shkolla ekonomike dhe shkolla e mjekësisë.

Burime të gazetës kanë thënë se kësaj vrasjeje i ka paraprirë një konflikt i para disa ditëve me ç’rast kishte ndodhur një rrahje në mes të disa të rinjve, ku ishin përdorë shkopinjtë e drurit, transmeton zeri.info.

Ndryshe, të mërkurën në orët e mëngjesit, një 21-vjeçar është qëlluar katër herë me kallashnikov në rrugën “UÇK” në Mitrovicë, në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi”, e në atë pjesë ndodhen edhe shkolla ekonomike dhe shkolla e mjekësisë. Për pasojë i riu ka mbetur i vdekur në vend, transmeton zeri.info.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, toger Avni Zahiti, ka thënë se nuk dihen motivet kësaj vrasjeje të rëndë. “Nuk dihen motivet, ;policia është duke punuar për identifikimin e autorëve të kësaj vrasjeje”, ka qenë i shkurtër Zahiti.  Ai vetëm ka shtuar se ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës, por jashtë hapësirave të saj.

Me gjithë përpjekjet, gazeta nuk ka mundur ta sigurojë identitetin e viktimës./Zeri.