Aforizma nga Niçe, t’i keni parasysh kur t’ju vijë kriza ekzistenciale e radhës

Jetë October 16, 2017 - 12:48

Niçes do t’i kishte pëlqyer shumë Tuiteri. Jo sepse i lejon masat të komunikojnë, jo sepse e donte teknologjinë, por për shkak të stilit të tij të shkrimit. Niçe e donte aforizmin, dhe më poshtë janë mbledhur disa nga më të mëdhatë që ia ka thënë. Të marrë si një e tërë, ata mund të ndihmojnë që të krijoni një ide të filozofisë së tij të përgjithshme.

Çfarë nuk më vret më bën më të fortë. (Perëndimi i idhujve, 1888)

Për Niçen, rritja psikologjike është një nga gjërat më të rëndësishme që ekziston. Përvojat nuk duhet të jenë të pëlqyeshme për të qenë të mira. Shpesh është vuajtja që i jep kuptim jetës sonë. Duke fituar përvoja, të mira apo të këqija, ne rritemi si njerëz, për aq kohë sa mbijetojmë, natyrisht.

Ai që lufton monstrat, duhet të bëjë kujdes, që të mos shndërrohet vetë në monstër. Dhe kur i ngul sytë gjatë humnerës, humnera do të të shohë dhe ajo ty në sy. (Përtej të mirës dhe të keqes)

Kërkoni të luftoni të keqen? Kujdes, mund të bëni dhe vetë diçka të tmerrshme. Keni të bëni me njerëz toksikë? Kujdes, njerëzit toksikë mund t’ju helmojnë. Përpiqeni të bëni një filozofi, e cila hedh poshtë nacionalizmin dhe lëvizjet e masës, duke përdorur stilin e teksteve të vjetër fetarë? Kujdes, nazistët mund t’ju shpallin profet.

Ajo që bëhet nga dashuria, gjithmonë zë vend përtej të mirës dhe të keqes. (Përtej të mirës dhe të keqes, aforizmi 153)

Niçe mendonte se kuptimi ynë për “të mirën” dhe “të keqen” është me të meta, duke treguar këtu se ajo që ne vlerësojmë, ndikon fort në atë që ne mund ta konsiderojmë një veprim të lig. Njerëzit shpesh bëjnë gjëra me motivacionin e “dashurisë”, që përndryshe ata kurrë nuk do t’i bënin. Është vlera e lartë që i vendosin asaj që dashurojnë, që e dëmton aftësinë tonë për t’i kritikuar ata.

Gjithmonë ka një farë çmendurie në dashuri. Por ka gjithmonë arsye në çmenduri. (Kështu foli Zarathustra Pjesa I, Kapitulli 7)

Ashtu si më sipër, tek një vëzhgues i jashtëm një person i rënë në dashuri mund të duket i çmendur. Sidoqoftë, personi në dashuri vepron në mënyrë mjaft racionale nga këndvështrimi i vet, i përcaktuar nga pasionet. Gjithmonë mendo për pikëvështrimin e tjetrit.

Njeriu nuk lufton për lumturinë; vetëm Anglezi e bën këtë. (Perëndimi i idhujve, Maksima, 12)

Niçe nuk ishte një fans i Utilitarianizmit, i cili e kishte origjinën angleze. Për të, kërkimi i kënaqësisë në vend të dhimbjes do të shpinte në një jetë të kotë, pa kuptim. Për të, nxitësi kyç i motivimit njerëzor është kërkimi i kuptimit, edhe nëse ky na bën të palumtur.

Disa lindin pas vdekjes. (Antikrishti)

Niçe kishte një zakon, të thoshte se pak njerëz do të ishin në gjendje të kuptonin librat e tij. Hyrja e tij tek Antikrishti e pasqyron këtë besim. Duke shkruar për disa audienca të ardhshme që mund t’i lexonin veprat e tij dhe shpresonte që t’i kuptonin ato. Kjo do të ishte “lindja” e tij.

Sekreti për të korrur sa më shumë fryte dhe gëzim nga ekzistenca është: të jetosh në mënyrë të rrezikshme! Ndërtojini qytetet tuaja në shpatet e Vezuvit! (Shkenca e gëzimit)

Kjo, përsëri, lidhet me idenë se një jetë e mërzitshme është e padëshirueshme, pavarësisht asaj që thonë llogaritësit utilitarë. Nuk mund të thuash që një shtëpi në shpatin e Vezuvit nuk do të ishte interesante.

Nëse duhet të ngrihet një tempull, një tempull duhet të shkatërrohet. (Në esenë Mbi Gjenealogjinë e Moralit, Seksioni 24)

Niçe dëshironte krijimin e një sistemi të ri vlerash. Megjithatë, ai kuptoi se kjo do të kërkonte refuzimin e vlerave të vjetra, që kishin dominuar Evropën që nga rënia e Romës. Ky fakt e shqetësonte, por nuk e frenonte atë.

Vetë fjala “Kristianizëm” është keqkuptuese – në të vërtetë pati vetëm një kristian, dhe ai vdiq në kryq. (Antikrishti, Seksioni 39)

Pavarësisht gjithë kundërshtimeve të tij ndaj kristianizmit, Niçe shpesh fliste me vlerësim për Jezusin. Për pjesën më të madhe të asaj që nuk pëlqente tek kristianizmi, ai ia vinte fajin Shën Palit, ndërkohë që vlerësonte Krishtin për krijimin e vlerësimeve morale, një hap drejt Ubermensch.

Nuk ka fakte, ka vetëm interpretime.

Niçe ishte njeri i perspektivës. Ai mendonte se nuk kishte të vërteta objektive metafizike, por më tepër kishte një sërë skemash subjektive, që mund të bëheshin të vërteta ose vlera. Jo të gjitha perspektivat janë të barabarta në këtë pikëpamje, por askush nuk ka një monopol mbi faktet. Ky botëkuptim do të ndikonte më vonë në sociologun e njohur Max Veber.

Mënyra më e sigurt për të korruptuar të rinjtë, është t’u kërkosh që të vlerësojnë ata që mendojnë njësoj dhe jo ata që mendojnë ndryshe. (Agimi, 297)

Niçe e urren “tufën”. Ai shpesh shkruante kundër ideve dhe mënyrave të masave, në favor të mendimtarit të lirë, i cili ngrihej mbi to. Kjo deklaratë është një shembull i qartë i këtij botëkuptimi.

Ekziston në botë vetëm një shteg, përgjatë të cilit nuk mund të ecë askush, përveç teje: ku të shpie? Mos pyet, nisu dhe zbuloje. (Meditime të pakoha, Schopenhaueri si mësues)

Filozofia e Niçes është një filozofi ekzistencialiste. Ajo nuk mund që thjesht të studiohet, duhet të jetohet. E njëjta gjë mund të thuhet për jetën tuaj.

Platoni është i mërzitshëm. (Perëndimi i idhujve, çfarë u kam borxh të lashtëve)

Fjalë më të vërteta nuk janë thënë ndonjëherë.

Ka dy narkotikë evropianë, alkooli dhe kristianizmi (Antikrishti)

SHmangia e jetës tënde duke shkuar tek e përtejmja, si në kristianizëm, ose vrasja e dhimbjes me alkool, janë tabu për Niçen. Shmangia e dhimbjes tuaj me secilën prej këtyre mjeteve, pengon rritjen, pasi secili prej tyre, në mënyrën e vet, të thotë se gjërat janë mirë kështu siç janë.

Bëhuni ata që jeni! (Kështu foli Zarathustra)

Filozofia e Niçes, e përmbledhur këtu në një fjali, mund të tingëllojë e huaj për këdo që nuk mund të pranojë konceptin e fatit. Por si një filolog klasik, Niçe ishte mjaft i njohur me sistemin e lashtë grek të zotave dhe perëndeshave, si një mënyrë për të kuptuar marrëdhënien midis natyrës dhe veprimit njerëzor. Tek Niçe, sistemi i krishterë lufton kundër pasioneve tona kafshërore, të cilat grekët i kuptonin si pjesë thelbësore të natyrës njerëzore. Kështu të bëhesh ai që “me të vërtetë je” do të thotë të thyesh dhe hedhësh tutje prangat, që e pengojnë njerëzimin nga potenciali i tij i plotë. Një propozim i rrezikshëm, kjo është e sigurt. / Përgatiti: Bota.al