Rukiqi: Koronavirusi mund të sjell pasoja në ekonomi

Rukiqi: Koronavirusi mund të sjell pasoja në ekonomi

Ekonomia March 13, 2020 - 11:00
Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes në përmasa të mëdha të koronavirusit në Kosovë vlerësohet se gjendja mund të përballohet për sa i përket furnizimit me gjëra esenciale për mbijetesë, si ushqim dhe barna, ngase Kosova po del të ketë rezerva shtetërore të mjaftueshme të mallrave për ta përballuar situatën.

Përderisa virusi “COVID-19” është duke u përhapur shpejt nëpër botë, Kosova vazhdon të mbetet imune ndaj tij. Në rast të shfaqjes dhe të përhapjes së koronavirusit në vend, Qeveria është e gatshme t’u dalë në ndihmë qytetarëve me ushqime e me barna esenciale, pasi qysh nga viti 2012 ka filluar grumbullimin e rezerva shtetërore, të cilat mund të shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore, shkruan gazeta "Zëri".

Kjo gjë është e rregulluar me Ligjin për Rezerva Shtetërore, i cili është miratuar në vitin 2010. Sipas këtij ligji, rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, të mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, të veprimeve terroriste, të veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës, gjësë së gjallë, të pasurisë, të trashëgimisë kulturore, të mjedisit, si dhe për dhënien e ndihmave humanitare në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Me planin strategjik bëhet sigurimi i depove për vendosje dhe për ruajtje të rezervave shtetërore të mallrave teksa me ligj është e përcaktuar se plani strategjik, programi vjetor, si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekrete shtetërore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ka thënë “Zërit” se përhapja e koronavirusit mund të ketë pasoja në ekonominë e vendit. “Po mund të ketë pasoja në ekonomi, veçanërisht në çrregullimin e tregut. Pikërisht pse nuk po shoh përgatitje kam kërkuar plan se si mund të veprohet në skenarë të ndryshëm, që nga çrregullimi i tregut e deri te ndonjë recesion i mundshëm në nivel global”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa për sa i përket rezervës shtetërore për mallra, Rukiqi theksoi se vendi i ka ato, por nevojitet një plan emergjent në rast se situata zgjat për një kohë më të gjatë.

“Kosova ka rezerva shtetërore, por nuk do të thotë se nuk duhet ta ketë një plan emergjent, në rast të krijimit të ndonjë situate që mund të zgjasë për një kohë më të gjatë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ditë më parë ai ka paralajmëruar edhe për disa nga ndryshimet që mund të sjellë përhapja e këtij virusi si në Kosovë, ashtu edhe në rajon. Ndër propozimet që ia ka bërë Qeverisë së Kosovës është hartimi i një sërë masash preventive dhe proaktive, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe recensionin në nivel global./ZERI

Lexo edhe Gjendja e rezervës shtetërore, e mjaftueshme edhe në rast të paraqitjes së koronavirusit
Ekonomia March 12, 2020