Kadrijaj: Anulimi i tenderit për 'Bechtel & Enkan' nuk është i domosdoshëm

Kadrijaj: Anulimi i tenderit për 'Bechtel & Enkan' nuk është i domosdoshëm

Ekonomia March 13, 2020 - 10:18
Anulimi i tenderit për konsorciumin “Bechtel & Enka” mund ta dërgojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit. Kjo drojë është shprehur nga njohësit e çështjeve ekonomike, të cilët kanë shprehur shqetësimin se buxheti i vendit mund të dëmtohet shumë rëndë në rast se kompania turke ka qenë e rregullt në procedurat e tenderimit.

Javën e kaluar qeveria “Kurti” ka vendosur për ta anuluar vendimin e qeverisë “Haradinaj” për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”. Gjatë mbledhjes së Qeverisë u propozua që të mos vazhdohet edhe më tutje kontrata me konsorciumin turk. Megjithatë sipas njohësve të rrethanave ekonomike kjo çështje është parë me shqetësim, pasi në rast se kompania në fjalë ka qenë në rregull me procedurat e tenderimit, atëherë çështja mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas tyre, në rast se ndodh një gjë e tillë, Kosova do të humbë më shumë para sesa ka qenë e paraparë shuma e kontratës, shkruan gazeta "Zëri".

Në ndërkohë ministri i Infrastrukturës dhe i Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke e shtjelluar vendimin e Qeverisë për ta shkëputur kontratën me “Bechtel & Enka”-n potencoi se qëllimi është shpëtimi i 49 milionë eurove për ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”. “Kostoja e prezantuar nga ‘Bechtel & Enka’ ka vlerë prej 49.6 milionë eurosh. Kjo kontratë ende nuk është nënshkruar dhe ne si Ministri e Infrastrukturës kërkojmë që ky vendim të shfuqizohet”, tha ai.

Ai pohoi se kjo kompani për çdo muaj kërkon nga Ministria 1.18 milion euro edhe pse në mes të tyre nuk ka një marrëveshje të nënshkruar.

Në ndërkohë njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadrijaj ka vlerësuar se në rast se gjatë procedurave të tenderimit kompania në fjalë ka qenë e rregullt, nuk është e domosdoshme anulimi i tenderit.

“Nga ajo çka është parë deri më tani qeveria ‘Kurti’ vetëm dy gjëra ka ditur t’i bëjë dhe ato janë shkarkimet e anulimet dhe kjo i ka të dyja anët e medaljes. Pra nëse bëhet fjalë për ndonjë abuzim me punë është për t’u përgëzuar, por në rastin e kompanisë ‘Bechtel & Enka’ kemi të bëjmë me një kompani ndërkombëtare dhe nëse procedurat kanë qenë në rregull, e në këtë rast nëse Kosova humb në ndonjë kontekst gjyqësor vlerësoj se nuk është e domosdoshme anulimi i tenderit”, ka thënë Kadrijaj.

Sipas tij, pavarësisht se kostoja e ndërtimit të autostradës ka qenë e lartë, ai theksoi se kompania ka qenë shembull për ndërtimin e autostradave kualitative.

“Jam i vetëdijshëm se kostoja ka qenë e madhe për autostrada, por njëherësh ka qenë mësim për kompanitë vendore për rritjen e cilësisë dhe realizimin e projektit duke qenë shembull për vendet e rajonit për nivelin e autostradës. Sidoqoftë këtë vendim Qeveria e ka marrë me vetëdije dhe vlerësoj se për çdo epilog i merr përgjegjësit vetë, por njëherësh duhet ta ketë të qartë kryeministri dhe koalicioni qeverisës se nuk mund të eksperimentohet me fatin e shtetit dhe qytetarit për teke të tyre”, ka thënë ai. /ZERI

Lexo edhe Lamtumirë “Bechtel & Enka”, droja nga Arbitrazhi
Ekonomia March 12, 2020