Kosovarët deri në fyt me kredi, rritje 10 për qind më 2019-n
FOTO: Zëri

Kosovarët deri në fyt me kredi, rritje 10 për qind më 2019-n

Ekonomia March 09, 2020 - 16:26
Qytetarët kanë shtuar kërkesat për marrje të kredive në bankat komerciale, që operojnë në vend. Në fund të vitit 2019 shuma e kredive që i kanë marrë kosovarët në banka kap vlerën 3 miliardë euro e që sipas BQK-së kjo shënon një rritje për 10%. Në anën tjetër, depozitat e qytetarëve në këto banka kanë arritur shumën rreth 4 miliardë euro
Image

Viti i kaluar ishte vit fitimprurës për bankat komerciale të Kosovës. Duke u bazuar në statistikat e publikuara së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vlera totale e depozitave të qytetarëve në këto banka ka arritur në rreth 4 miliardë euro. Në të njëjtën kohë shuma e kredive që i kanë marrë kosovarët në banka kap shifrën 3 miliardë euro, shkruan gazeta "Zëri".

Nga këto shifra më shumë se 2.6 miliardë euro janë para të kursyera nga ekonomitë familjare, teksa ndërmarrjet në banka kanë të depozituara rreth 750 milionë euro. Në anën tjetër, vlera e valutave të tjera të kursyera nga qytetarët e Kosovës arrin shumën e 165 milionë eurove. Duke u bazuar nga këto të dhëna të publikuara nga BQK-ja, depozitat në banka janë rritur për 16,2 për qind. Depozitat e ekonomive familjare janë rritur për 11,05 për qind, teksa ato të korporatave jofinanciare janë rritur për 19,5 për qind. “Rritje më të theksuar kishin depozitat e ekonomive familjare, pjesa më e madhe e të cilave përbëhet nga depozitat e transferuara. Norma e interesit në depozitat e korporatave jofinanciare shënoi rënie për 0,2 pikë përqindje, krahas periudhës së njëjtë të vitit paraprak, ndërsa norma e interesit në depozitat e ekonomive familjare shënoi rritje të lehtë për 0,04 pikë përqindje”, thuhet në raportin e vlerësimit tremujor të zhvillimeve makroekonomike të prezantuar nga BQK-ja, përcjell gazeta "Zëri".

1.1 miliard euro është vlera e kredive për ekonomitë familjare, teksa për korporatat jofinanciare kjo vlerë ka arritur në 1.9 miliard euro. Qytetarët janë duke marrë kredi në shifër të lartë, gjë që tregon edhe rritja për 10% në fund të 2019-ës. “Aktiviteti kreditor i sektorit bankar vazhdoi trendin e rritjes dyshifrore edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, i nxitur në nivel më të theksuar nga kërkesa kreditore në raport me ofertën kreditore. Kreditimi bankar është rritur ndaj pothuajse të gjithë sektorëve ekonomikë e veçanërisht baza e stokut të kredive u rrit më shumë për sektorin e ndërtimit dhe të prodhimit. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj ekonomive familjare është duke u rritur me ritëm të përshpejtuar, ku gjatë pesë vjetëve të fundit kreditimi ndaj këtij segmenti kishte rritje dyshifrore”, thuhet tutje në këtë raport.

Norma efektive e interesit për depozita në këtë muaj ishte 1,6 për qind, që e krahasuar me normën efektive të interesit në kredi paraqet dallim me 4,8 pikë përqindje. Në anën tjetër, kreditë e këqija sipas raportit të BQK-së aktualisht janë 2 për qind. “Sektori bankar vazhdon të ketë nivel të lartë të likuiditetit [raporti i mjeteve likuide ndaj gjithsej detyrimeve afatshkurtra] me 38,7 për qind, raporti kredi - depozitë është 77,6 për qind, ndërsa mbulueshmëria e kredive të këqija me provizione në këtë muaj ishte 135,7 për qind”, theksohet në raport, përcjell gazeta "Zëri".

Në Kosovë operojnë 10 banka komerciale, prej të cilave 8 janë me pronësi të huaj./ZERI