Shala: Duhet të ketë fushata vetëdijesuese për përdorimin e mjeteve piroteknike

Shala: Duhet të ketë fushata vetëdijesuese për përdorimin e mjeteve piroteknike

Ekonomia December 19, 2019 - 12:45
Detajet

Shteti i Kosovës edhe këtë vit ka importuar sasi të madhe të mjeteve piroteknike nga shteti i Kinës. Hiç më pak se 6.3 milionë euro është vlera e 81 mijë kilogramëve mjete piroteknike, që janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2019, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Kosova shpenzon mbi 6 milionë euro në fishekzjarrë

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, i ka thënë gazetës Zëri se institucionet e sigurisë në vend duhet të bëjnë matjen e barutit në mjetet piroteknike dhe të shohin nëse i tejkalojnë parametrat e BE-së. “Lidhur me përdorimin e mjeteve piroteknike në Kosovë llogaritet sipas shifrave zyrtare mbi 100.000 kg mjete dhe nëse merret parasysh edhe fakti tjetër që origjina e këtyre mjeteve është kryesisht nga Kina, po e dëshmon që institucionet e sigurisë duhet të analizojnë në laboratorët e saj sasinë e barutit të piroteknikës që të jenë konform parametrave të BE-së”, ka thënë Shala.

Sipas tij, viteve të kaluara ka pasur lëndime të shumta nga këto mjete, për shkak të sasisë së tepërt të barutit në to. “Në vitet e kaluara kemi pasur aksidentet të shumta me lëndime nga këto mjete piroteknike, ku sasia e tepërt e barutit ka shkaktuar shpërthim më të lartë sesa është e paraparë me masat standardizuese që jepen në përshkrim të atij mjeti”, ka thënë tutje ai.

Sipas Shalës, janë të nevojshme fushatat vetëdijesuese në prag të festave të fundvitit. “MPB-ja, përkatësisht Departamenti për Siguri Publike është dashur që nga data 20 dhjetor deri më 1 janar ta bëjë një fushatë vetëdijesuese se si duhen të përdoren këto mjete edhe nga kush e të mos kemi raste ku fëmijët e moshës 5-vjeçare t’i përdorin ato pa prezencën e personit kujdestar. Përpos aspektit proceduralo-doganor në Kosovë nuk kemi ndonjë plan konkret se si mundemi t’i mbrojmë konsumatorët nga këto mjete”, ka thënë ndër të tjera ai. //ZERI