Investimet e huaja bien për 43%

Ekonomia November 30, 2018 - 07:54
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se deri në fund të muajit gusht të këtij viti shuma e investimeve të huaja ka arritur vlerën prej 121.9 milionë eurosh e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi një rënie prej 43 për qind. Rënia më e lartë e investimeve të huaja u shënua në sektorin e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve financiare, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Investimet e huaja direkte (IHD) në vendin tonë vazhdojnë të bien nga dita në ditë pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të institucioneve se klima e biznesit në vendin tonë është duke ndryshuar në vazhdimësi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se deri në fund të muajit gusht të këtij viti shuma e investimeve të huaja ka arritur vlerën prej 121.9 milionë eurosh e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi një rënie prej 43 për qind.

“Në kuadër të strukturës së IHD-ve kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 119.9 milionë eurosh dhe shënoi rënie prej 38,6 për qind, ndërsa IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerë prej 2.0 milionë eurosh, 18.6 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017. Rënia më e lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve financiare, përderisa në patundshmëri dhe në sektorin e tregtisë u shënua rritje e IHD-ve 17,7, përkatësisht 38,7 për qind më shumë, e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin tremujor të vlerësimit të ekonomisë.

Aty më tutje thuhet se sa i përket origjinës së IHD-ve Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD-të deri në gusht 2018 (47.1 milionë euro), të pasuara nga Gjermania me 29.5 milionë euro, Shqipëria me 18.8 milionë euro.

Për 9 muaj regjistrohen 7404 biznese

Për dallim nga viti 2017, që ishte karakterizuar me numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara, deri në shtator të vitit 2018 janë regjistruar 7.404 ndërmarrje të reja ose 1.4 për qind më shumë të krahasuara me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Gjithashtu edhe numri i ndërmarrjeve të mbyllura ishte më i vogël, 982 sosh ose 17.5 për qind më pak të krahasuara me periudhën e njëjtët të vitit 2017.

“Vetëm në TM3 2018 janë regjistruar 2.212 ndërmarrje të reja, që është nivel i njëjtë me TM3 2017, ndërsa janë mbyllur 93 ndërmarrje ose 69,1 për qind më pak të krahasuara me TM3 2017. Aktiviteti ekonomik më i preferuar vazhdon të jenë sektori i tregtisë, ku u regjistruan 1.964 ndërmarrje të reja deri në shtator 2018 ose 0,7 për qind më shumë. Është inkurajuese rritja e numrit të ndërmarrjeve te sektori i prodhimit dhe ai i informacionit dhe komunikimit. Në sektorin e prodhimit u regjistruan 829 ndërmarrje të reja ose 14,5 për qind më shumë, ndërsa në sektorin e informacionit dhe të komunikimit u regjistruan 377 ndërmarrje të reja ose 12,9 për qind më shumë. Rritje e konsiderueshme e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara është shënuar edhe në sektorin e ndërtimtarisë, me 715 ndërmarrje ose 8,5 për qind më shumë etj”, thuhet më tutje në raportin e BQK-së.

Bie eksporti i mallrave

Deri në gusht 2018 sektori i jashtëm është karakterizuar me rritje të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 40,3 për qind, i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse sipas BQK-së i atribuohet rritjes së deficitit të mallrave dhe zvogëlimit të bilancit pozitiv të shërbimeve, përderisa bilancet pozitive të të ardhurave parësore dhe dytësore shënuan rritje.

“Deficiti në llogarinë e mallrave shënoi vlerën prej 814.1 milionë eurosh në TM3 2018, që paraqet një rritje vjetore prej 13,8 për qind. Përderisa në vitin 2017 ishte shënuar rritje e theksuar e eksportit të mallrave viti 2018 është duke u shoqëruar me rënie të eksportit të mallrave dhe me përshpejtim të rritjes së importit. Kjo ka ndikuar që shkalla e mbulueshmërisë së importeve me eksporte të ulet në 10,5 për qind në TM3 2018 nga 12,8 për qind sa ishte në TM3 2017”, thuhet në raportin e vlerësimit të ekonomisë.

Aty më tutje thuhet se në TM3 2018 eksportit i mallrave ka shënuar vlerën prej 95.9 milionë eurosh, që është për 8,7 për qind më pak i krahasuar me TM3 2017.

Sipas raportit të BQK-së, kjo rënie e eksportit të mallrave ishte për shkak të ngadalësimit të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por edhe për shkak të stabilizimit të kërkesës së jashtme, e krahasuar me vitin 2017.

Rënia e eksportit, më e theksuar te prodhimet minerale

“Rënia e eksportit të mallrave gjatë këtij tremujori ishte më e theksuar te produktet minerale, te metalet bazë, si dhe lëkura dhe artikujt e saj. Në anën tjetër rritje të lehtë shënoi eksporti i produkteve të plastikës dhe gomës, eksporti i artikujve ushqimorë, eksporti i makinerive, materialeve elektrike etj. Si rezultat i rritjes së kërkesës së brendshme në vend, me rritje të konsiderueshme është karakterizuar importi i mallrave. Vlera e importit të mallrave në TM3 2018 ishte 910.1 milionë euro, që është për 10,9 për qind më shumë, i krahasuar me TM3 2017. Rritje e importit të mallrave u shënua pothuajse te të gjitha kategoritë, mirëpo rritja më e lartë u shënua tek importi i produkteve minerale, i metaleve bazë, i makinerive, materialeve elektrike etj.”, thuhet më tutje në raport.

Po ashtu bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 690.8 milionë eurosh deri në gusht 2018, një rënie prej 1.4 për qind e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara shënoi rritje vjetore prej 4,6 për qind, duke arritur në 1.1 miliard euro, ndërsa vlera e shërbimeve të importuara shënoi rritje prej 16,4 për qind dhe arriti në 417.0 milionë euro.

Në kuadër të eksportit të shërbimeve, shërbimet tjera të biznesit shënuan rritjen më të lartë prej 45,4 për qind, ndërsa shërbimet e udhëtimit, që përbëjnë kategorinë kryesore të eksportit (82,5 për qind), shënuan rritje prej vetëm 1,0 për qind.

Më tutje në raport thuhet se edhe tek importi i shërbimeve shërbimet tjera të biznesit shënuan rritjen më të lartë, të pasuara nga shërbimet pensionale dhe të sigurimit, ndërsa shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit shënuan rënie.

“Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore, deri në gusht 2018, shënoi vlerën prej 89.4 milionë eurosh (26.9 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017). Bilanci i të ardhurave nga kompensimi i punonjësve shënoi rritje për 8,4 për qind, ndërsa bilanci i të ardhurave nga investimet u zvogëlua për 44,2 për qind.

520 milionë euro nga remitancat

Në të njëjtën periudhë bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje për 11,6 për qind, që i atribuohet kryesisht nivelit më të lartë të remitancave. Remitancat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, arritën vlerën prej 520.3 milionë eurosh dhe shënuan një rritje vjetore prej 6,0 për qind.

Sipas raportit të BQK-së, remitancat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 41,1, përkatësisht 20,5 për qind e gjithsej remitancave.

“Një pjesë e konsiderueshme e remitancave është pranuar edhe nga SHBA-ja, gjegjësisht 6,5 për qind e gjithsej remitancave të pranuara në Kosovë. Llogaria financiare deri në gusht 2018 shënoi bilanc prej -77.9 milionë eurosh (-122.9 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017). Detyrimet, por edhe asetet shënuan nivel dukshëm më të ulët, të krahasuara me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Detyrimet shënuan vlerën prej 222.1 milionë eurosh (381.8 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017), ndërsa asetet shënuan vlerën prej 144.2 milionë eurosh (258.9 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017)”, thuhet në raport.

Rritje vjetore prej 4,2%

Në raportin e stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës më tutje thuhet se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) BPV-ja reale në gjysmën e parë të vitit 2018 shënoi rritje vjetore prej 4,2 për qind. Vetëm në TM2 2018 rritja reale e BPV-së ishte 4,7 për qind.

Kontributi kryesor në këtë rritje ka ardhur nga konsumi me 4,5 pikë përqindje dhe investimet me 4,2 pikë përqindje. Në anë tjetër, eksportet neto si pasojë e rritjes së theksuar të importit kanë ndikuar negativisht në rritjen e BPV-së me 4,0 pikë përqindje.

“Konsumi privat ka kontribuuar me 3,8 për qind. Ky kontribut pozitiv mbështetet nga zhvillimet pozitive që janë regjistruar në burimet kryesore të financimit të konsumit privat. Kredia e re për konsum, remitancat dhe kompensimi i punëtorëve kanë përshpejtuar trendin e rritjes, duke shënuar rritje vjetore prej 16,8, 9,0, përkatësisht 3,5 për qind në TM2 2018. Tregues tjetër i rritjes së konsumit privat në TM2 2018 është edhe rritja e importit të mallrave të konsumit, i cili shënoi rritje prej 5,8 për qind”, thuhet në raport.

Përveç konsumit privat, edhe konsumi publik si rezultat i rritjes së shpenzimeve rrjedhëse prej 7,2 për qind kontribuoi pozitivisht në rritjen e BPV-së reale. Kontributi pozitiv i investimeve totale i atribuohet kryesisht rritjes së kredive për investime prej 28,7 për qind në TM2 2018, ndërkohë që edhe importi i mallrave kapitale shënoi rritje prej 24,8 për qind.

Kontributin më të madh në rritjen e BPV-së reale në TM2 2018 e kishin aktivitetet financiare

Sipas metodës së prodhimit, kontributin më të madh në rritjen e BPV-së reale në TM2 2018 e kishin aktivitetet financiare dhe të sigurimit (0,9 pikë përqindje), tregtia dhe administrimi publik (0,6 pikë përqindje secila), ndërtimtaria (0,5 pikë përqindje) etj. Ndërsa furnizimi me energji elektrike shënoi kontribut negativ (0,2 pikë përqindje) në rritjen e BPV-së reale.

Edhe pse të dhënat zyrtare nga ASK-ja për BPV-në reale në TM3 2018 nuk janë publikuar ende, të mbështetur në tregues tjerë me frekuencë më të lartë publikimi, rritja ekonomike në këtë tremujor kundrejt tremujorit paraprak pritet të jetë më e ulët, kryesisht si rezultat i zhvillimeve negative në sektorin e jashtëm (rënies së eksportit dhe rritjes së importit), por edhe ngadalësimit të rritjes së burimeve të financimit të konsumit. Në bazë të trendëve aktualë, eksportet neto pritet të përkeqësohen në TM3 2018.

Eksporti i mallrave ka shënuar rënie prej 8,7 për qind, ndërsa importi i mallrave është rritur për 10,9 për qind. Edhe eksporti i shërbimeve në muajt korrik-gusht 2018 ka shënuar rënie prej 3,4 për qind, ndërsa importi i shërbimeve është rritur për 7,6 për qind.

Sa i përket konsumit, pritet një rritje më e ngadalësuar e krahasuar me tremujorin paraprak.

“Kredia e re për konsum ka shënuar rënie prej 6,9 për qind, ndërsa remitancat shënuan rritje të ngadalësuar prej 3,7 për qind në muajt korrik-gusht 2018. Sinjal tjetër i pritjeve për një rritje më të ngadalësuar të konsumit privat është edhe ngadalësimi i rritjes së importit të mallrave të konsumit prej 3,4 për qind (5,8 për qind në tremujorin paraprak). Në anën tjetër, shpenzimet rrjedhëse të Qeverisë, të cilat shënuan rritje prej 11,8 për qind, pritet të zbusin efektet negative të ngadalësimit të konsumit privat në konsumin e përgjithshëm. Treguesit e tërthortë për investimet private ofrojnë sinjale pozitive në TM3 2018”, thuhet në raport.

Po ashtu importi i mallrave kapitale, si dhe kreditë e reja për investime kanë shënuar rritje prej 25,1 për qind, përkatësisht 6,4 për qind. Gjithashtu numri i bizneseve të reja i korrigjuar me numrin e bizneseve të mbyllura ka regjistruar rritje prej 10,7 për qind në TM3 2018.

Sipas projeksioneve të BQK-së, aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2018 do të shënojë një përmirësim të lehtë, i krahasuar me vitin 2017, duke arritur normën prej 4,3 për qind (4,2 për qind në vitin 2017).

Ky përmirësim i lehtë i atribuohet kryesisht stimulit të përforcuar fiskal, si dhe rritjes së kreditimit dhe remitancave gjatë vitit 2018, të cilat pritet të vazhdojnë të jenë burime të qëndrueshme për financimin e aktivitetit ekonomik.