Kosova, “shtet social”

Ekonomia November 20, 2018 - 08:33
Lexo Detajet
Image

Kosova shumë shpejt mund të shndërrohet në një shtet social me ndarjet buxhetore që po i planifikon për transferime sociale. Rritja e shpenzimeve të kësaj kategorie i ka alarmuar njohësit e çështjeve ekonomike, të cilët po kërkojnë kujdesin e Qeverisë së Kosovës në këtë aspekt, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka përmendur vërejtjet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar që vazhdimisht ia kanë bërë Kosovës rreth rritjes së shpenzimeve për skemat sociale. Sipas Gashit, buxheti i Kosovës do ta ketë të papërballueshme që të mbulojë një kosto kaq të lartë të skemave sociale.

LEXO EDHE: Beteja përfundimtare për INTERPOL-in

“Dy mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, të cilët janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdimisht i kanë bërë vërejtje në vitet e fundit Qeverisë së Kosovës rreth rritjes së shpenzimeve për skemat sociale. Aktualisht gati një e treta e popullatës së Kosovës janë përfshirë në skema sociale, që i bie se buxheti i Kosovës gati do ta ketë të papërballueshme një kosto kaq të lartë të kostos sociale. Kur them një e treta flas e moshës madhore, këtu nuk përfshihen fëmijët dhe pensionistët”, ka paralajmëruar eksperti i ekonomisë. 

Mes tjerash ai ka kërkuar kujdes të vendit në forcimin e sektorit privat, duke orientuar investimet në zhvillim të këtij sektori dhe rritje permanente ekonomike, pasi sipas tij varfëria mund të luftohet me vende të reja të punës e jo me skema sociale. “Nuk pajtohem se varfëria luftohet me skema sociale. Skemat sociale janë të nevojshme për personat me aftësi të kufizuar ose për personat e moshuar, ndërsa një numër shumë i vogël i personave duhet të përfshihet në skemën sociale. Në vend se të orientojmë fokusin e investimeve buxhetore në skema sociale, ne duhet ta orientojmë në zhvillimin e sektorit privat, sepse në këtë mënyrë ne prodhojmë zhvillim dhe krijojmë vende të reja të punës, që personat në vend se të përfshihen në skema sociale do të përfshiheshin në tregun e punës dhe përfitimi i tyre do të jetë shumë më i madh se ato mjete që i marrin nga skemat sociale”, ka përfunduar Gashi.

Me parashikimet fiskale të buxhetit për vitet në vijim pritet të ketë rritje për këtë kategori edhe në vitet 2020 e 2021. Derisa në vitin 2020 janë parashikuar 614 milionë euro për transferime sociale, në vitin 2021 kjo shumë pritet të arrijë në 615 milionë euro të tjera.

Qeveria premton kujdes në shpenzimin e buxhetit

Obligimet e parapara me projektbuxhetin e vitit që vjen duhet patjetër të përmbushen. Kështu deklaron Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj. Shatri në një prononcim për gazetën “Zëri” ka përmendur faktin se shpenzimet për këtë kategori po vijnë duke u rritur. Por, sipas tij obligimet medoemos duhet të përmbushen. “Obligimet duhet patjetër të përmbushen, sepse janë obligim ligjor. Është dukuri e cila po vjen duke u rritur - kategoria e transferimeve sociale. Rritja e kategorisë së transferimeve sociale merr pjesë në atë rritjen e përgjithshme të buxhetit. Është rritur buxheti dhe kjo e ka marrë pjesën e vet, por kanë rritje edhe shpenzimet kapitale, se nuk janë zvogëluar ato që të rriten këto”, ka thënë Shatri. Tutje ai ka kërkuar kujdes në shpenzimet për këto skema, duke sqaruar në mes tjerash se janë obligime ligjore që patjetër duhet të përmbushen. “Duhet të kemi kujdes, por është vend i varfër e ka nevoja shumë, janë obligime ligjore e s’ke çare pa i përmbushur. Deri më tash Kosova nuk është shndërruar në një shtet social, por tash po të mos ia vësh mendjen mundet, nëse rritet kjo kategori për t’u rritur jashtë kriterit atëherë mundet, por duhet të kemi kujdes. Ne jemi të vëmendshëm në atë punë”, ka theksuar këshilltari i kryeministrit.

Por eksperti i çështjeve ekonomike Muhamet Mustafa thotë se shteti social mund të bëhet vetëm në atë vend që ka ekonomi të fuqishme në nivel të zhvillimit dy-tri herë më të lartë se Kosova. Sipas tij, Kosova nuk mund të bëhet shtet social pasi i ka mundësitë e kufizuara buxhetore. “Shtet social mund të bëhet vetëm një shtet që ka një ekonomi të fuqishme në nivel të zhvillimit dy-tri herë më të lartë se Kosova. Kosova nuk mund të bëhet shtet social për arsye se i ka mundësitë e kufizuara buxhetore. Dhe GDP-ja e saj është e një madhësie që nuk mund t’i përballojë shpenzimet sociale. Në realitet ndahet shumë më tepër për asistencë sociale dhe për pakon sociale në Kosovë se në vendet e tjera”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa ka kërkuar një auditim të shpenzimeve sociale dhe largimin nga skemat sociale të të gjithë individëve që nuk i plotësojnë kushtet. “Duhet të bëhet një auditim i të gjitha shpenzimeve sociale dhe të hiqen nga këto skema sociale të gjithë ata që nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk e meritojnë, qoftë pensionet e caktuara, qoftë asistencë sociale. Dhe një pjesën që mbetet atëherë intervenimet të jenë më të dinjitetshme. Sepse ne edhe ndajmë më shumë, por të gjithë ata që marrin ndihmë sociale janë të pakënaqur, ndërsa ka individë që janë përfshirë në këto pako sociale të cilët nuk i plotësojnë kushtet dhe duhet të bëhet një reformim, një auditim dhe një zbatim më rigoroz i kushteve”, ka sqaruar ai.

Limani: Problemi social, i theksuar

Eksperti tjetër i ekonomisë Musa Limani duke analizuar projektbuxhetin e vitit që vjen ka përmendur faktin se në Kosovë problemi social është tejet i theksuar. “Projektbuxheti është paraparë si më i larti në Kosovë deri më tani, 2 miliardë e tre-katërqind milionë. Është një vlerë mjaft e madhe, por një pjesë e konsiderueshme e tyre ndahet për qarqe sociale, kjo tregon se në Kosovë problemi social është shumë i theksuar. Pagat mesatare janë të ulëta tek ne në krahasim me nivelin e çmimeve dhe për fat të keq ka disproporcion në mes të pagave më të larta dhe më të ulëta, përkatësisht mesatares së vendit. Gjithkund në botë lartësia e pagave caktohet në bazë të nivelit të çmimeve, kurse tek ne ka disa vite që nuk janë ngritur, kurse inflacioni është prezent”, ka shpjeguar Limani për gazetën “Zëri”.

Ai e ka quajtur hap të mirë ngritjen e pagave, por ka parashtruar dy kërkesa që Qeveria duhet t’i ketë parasysh. “Çdo vit ka pasur inflacion, në aspektin profesional dhe në atë social. Është mirë që është bërë rritja e pagave, por në kontekst të saj dy gjëra duhet t’i ketë parasysh Qeveria e Kosovës. Nuk ka rritje të pagave pa rritjen e prodhimit, ngritjen e produktivitetit. Kjo rritje e të hyrave tek ne zakonisht është nga importi në Doganë, që tregon se ekonomia e Kosovës është në nivel jashtëzakonisht të ulët, prandaj duhet të kemi parasysh t’i jepet theks orientimit të politikave zhvillimore në kuptimin që të ngrihen kapacitetet prodhuese”, ka potencuar njohësi i ekonomisë Limani. Ai po ashtu shtoi se Kosova nuk ka kapacitete prodhuese. “Ne nuk kemi kapacitete prodhuese, prandaj importi e mbush arkën në një arkë, por në tjetrën anë e rrit deficitin e bilancit të tregtisë së jashtme. Duhet të aprovohet Ligji mbi Pagat, i cili duhet të jetë një ligj që do të analizohet në mënyrë komplekse në aspektin politik, social e ekonomik që të bëhet balancimi i pagave të mos ketë kësi diferencash. Tek ne pagat janë bërë si dhëmbët e qenit, disa më të mëdha, disa më të vogla. Prandaj problemi social është shumë i rëndë në Kosovë, paraqet një sfidë. Duhet t’i jepet prioritet që Qeveria ta ketë parasysh zhvillimin ekonomik të vendit”, ka shtuar në mes tjerash./ZERI