Beteja përfundimtare për INTERPOL-in

Aktuale November 20, 2018 - 08:20
Lexo Detajet

 

Image

Pas tri përpjekjeve të dështuara Kosova synon që sot përfundimisht të anëtarësohet në INTERPOL. Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, gjatë një bisede për gazetën “Zëri” është shprehur i bindur se gjatë ditës së sotme (e martë) Kosova do ta marrë lajmin e shumëpritur sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Të vendosur për një gjë të tillë janë shprehur edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët kanë thënë se Kosova do t’ia dalë të bëhet pjesë e INTERPOL-it, pavarësisht luftës së vazhdueshme që po bëhet nga Serbia për ta penguar këtë proces. Sipas tyre, Serbia ka humbur betejën qysh në momentin kur kërkesa e Kosovës për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it është vënë në rend dite.

LEXO EDHE: Thaçi i “vërsulet” Haradinajt

Në anën tjetër, përfaqësuesit serbë edhe gjatë ditës së djeshme kanë tentuar që ta heqin nga rendi i ditës kërkesën e Kosovës, por pavarësisht se rreth vetes kanë mbledhur pesë shtete (Kinën, Spanjën, Qipron, Argjentinën dhe Surinamin), nuk ia kanë dalë. Kjo, pasi që kërkesa e Serbisë është hedhur poshtë nga kryesuesi i INTEROPL-it, duke mos u vendosur fare në rend dite.

Pacolli: INTERPOL-i, ngjarja më e rëndësishme prej pavarësisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova e meriton anëtarësimin në INTERPOL, për shkak se institucionet e Kosovës kanë bërë punë të madhe në këtë drejtim.

Ndonëse sipas Pacollit rrugëtimi drejt INTERPOL-IT ka qenë dhe është ende sfidues, Kosova do t’ia dalë të bëhet pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare dhe nesër do të marrë lajme të mira në këtë drejtim.  

“Shpresoj që nuk do të ketë surpriza negative dhe Kosova nesër që nga ora 11:00 me kohën lokale do të jetë anëtare e INTERPOL-IT. Unë e di që shumë shtete do të votojnë pro, shumë shtete kanë premtuar votën, sidoqoftë votimi do të jetë i fshehtë, nuk e di se a do ta mbajnë fjalën krejt, por konsideroj që Kosova do ta kalojë këtë kompeticion”, ka deklaruar ai.

Një gjë e tillë sipas shefit të MPJ-së, paraqet një rëndësi të tejet të madhe për Republikën e Kosovës.   “Është shumë e rëndësishme, është tepër e rëndësishme, ndoshta ngjarja më e rëndësishme prej pavarësisë së Kosovës”, ka potencuar Pacolli për “Zërin”.

Megjithëkëtë Pacolli ka thënë se Serbia është duke vazhduar të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës, ndonëse kanë mbetur edhe pak orë deri te një gjë e tillë.

Xhemajlaj: Serbia e ka humbur betejën për INTERPOL-in

Pavarësisht lobimit të pareshtur të Serbisë për ta penguar Kosovën, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka konsideruar se Serbia tashmë ka dalë humbëse sa i përket çështjes së INTERPOL-it. “E para mendoj që Serbia tashmë ka humbur dje betejën e parë për të mos u votuar për të hyrë si pikë e rendit të ditës. Mbi 90 shtete prej 134 sa kanë qenë në votim e kanë votuar për ta futur në rend të ditës çështjen e INTERPOL-it, çështjen e pranimit të Kosovës në INTERPOL”, ka potencuar ai gjatë një bisede për gazetën.  Andaj sipas Xhemajlajt, Kosova do të bëhet pjesë e kësaj organizate. “Unë besoj fuqishëm që pasnesër çështja e Kosovës në INTERPOL është punë e kryer”, është shprehur ai, duke thënë që votimi do të bëhet tek më 21 nëntor.

 Pavarësisht lobimit të vazhdueshëm të Serbisë kundër Kosovës, Xhemajlaj ka thënë se nuk ka shumë shtete që janë kundër Kosovës në këtë drejtim. “Nuk ka shumë shtete që do të jenë kundër, ato shtete do të jenë nga lobimi i serbëve me aleatët e vet. Në anën tjetër është lobimi i shtetit të Kosovës me partnerët e vet që mendoj se kanë bërë maksimumin. Deri më tash të gjitha të dhënat, informatat na çojnë tek ajo që Kosova do të kalojë”, ka shtuar ai.  

Përpjekja e fundit e Serbisë për ta penguar Kosovën

Pavarësisht kësaj, edhe pasi Kosova ka hyrë në rend dite, Serbia nuk e ka ndalur lobimin e saj për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Përkundrazi, Serbisë i janë bashkuar edhe pesë vende anëtare të INTEROPL-it (Kina, Spanja, Qipro, Argjentina dhe Surinami) në kërkesën që votimi për anëtarësimin e Kosovës të hiqet nga rendi i ditës në Asamblenë e Përgjithshme të këtij institucioni.

Megjithëkëtë, kjo kërkesë e Serbisë nuk ia ka dalë të hyjë fare në rend dite, pasi kryeshefi i INTERPOL-it e ka hedhur poshtë kërkesën në fjalë.

Ndërkohë teksa ka folur rreth luftës që po bën Serbia në këtë drejtim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së djeshme ka vlerësuar se Serbia është duke vazhduar lojën e saj për ta penguar Kosovën drejt anëtarësimit në INTERPOL. “Asgjë nuk është e pazakontë, Serbia këtë rol është duke e luajtur, nuk është korrekte. Këtu shihet loja e Serbisë, ajo mendon të përfitojë nga akuzat se Kosova është një çerdhe e terrorizmit, e fundamentalizmit dhe e gjërave të kota”, ka theksuar ai.

Sveçla: Nëse s’ka anëtarësim, topi te Qeveria

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme nga LVV-ja, Xhelal Sveçla, është shprehur optimist se Kosova do të bëhet anëtare e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare. E po qe se Kosova dështon të bëhet pjesë e INTERPOL-it këtë vit, atëherë Qeveria duhet të marrë masa kundrejt Serbisë. “Unë mendoj që realisht ka shanse për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Nëse nuk anëtarësohet për shkak të lobimit të Serbisë, atëherë topi është te Qeveria që ta rrisë taksën për mallra të Serbisë, ashtu edhe si kanë deklaruar”, ka potencuar deputeti i LVV-së.  

Pavarësisht këtyre njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka thënë se dështimi i mundshëm i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nuk do të ishte befasues. “Nuk do të befasohesha edhe nëse dështon anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, jo për shkak të reagimit të Serbisë, sa për shkak të një situate të krijuar, sidomos në muajt e fundit, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës, respektivisht me hapjen e mundësisë për t’u diskutuar me Serbinë edhe statusi i Kosovës”, është shprehur ai.

Megjithëkëtë sipas tij, gjasat janë më të mëdha që Kosova të pranohet në këtë organizatë sesa të mos pranohet. Mushkolaj më tej ka konsideruar se për dallim nga UNESCO-ja, institucionet këtë herë e kanë kuptuar se duhet punuar më shumë vetë për çështjen e INTERPOL-it. 

“Ndoshta është bërë lobim që publiku nuk e di dhe do të duhej të ndodhte edhe kështu, për shkak se lobimi nuk është vetëm publik, por ka edhe mënyra të tjera të lobimit me shtetet veç e veç. Por unë besoj që në përgjithësi ndryshe prej UNESCO-s, ku gjithë çështja e pranimit ose jo në këtë organizatë u pat lënë në besim të partnerëve ndërkombëtarë, kësaj here UNESCO-ja ka shërbyer si mësim dhe zyrtarët e Kosovës e kanë kryer punën më të madhe edhe vetë”,  ka nënvizuar ai.

Tri përpjekjet e dështuara

Prejse ka shpallur pavarësinë e saj, Kosova kishte dështuar tri herë të tjera që të bëhej pjesë e INTERPOL-it. Për herë të parë Kosova pati aplikuar që të anëtarësohej në këtë organizatë qysh në vitin 2010, por nuk ia pati dalë të hynte fare në rend dite për votim. Njëjtë pati ndodhur edhe pesë vjet më vonë, më 2015-n, por as atëherë Kosova nuk kishte arritur të bëhej pjesë e rendit të ditës. Ndërkaq, përpjekja e tretë e pasuksesshme për Kosovën në këtë drejtim kishte qenë vitin e kaluar, më 2017-n. Por këtë herë Qeveria e Kosovës kishte vepruar ndryshe, duke e tërhequr aplikacionin për t’u bërë pjesë e organizatës së policisë ndërkombëtare. Një tërheqje të tillë kryeministri Ramush Haradinaj e pati arsyetuar duke thënë se Kosova nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it./ZERI