Thaçi i “vërsulet” Haradinajt

Aktuale November 20, 2018 - 08:13
Lexo Detajet
Image

Presidenti i Kosovës të premten e kaluar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e neneve 92 dhe 93 të Kushtetutës pas vendimit të Qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri pronash që menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të Kllokotit, të Ranillugut dhe të komunave tjera, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Një veprim i tillë i presidentit Hashim Thaçi po vlerësohet si presion mbi kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ka dalë kundër idesë së kreut të shtetit për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Deputetë dhe njohës të çështjeve kushtetuese thonë se presidentit nuk i takon që të kërkojë sqarime nga Gjykata Kushtetuese për çështje që nuk lidhen me postin e presidentit.

Sipas tyre, Kushtetuesja do të duhej ta refuzonte këtë kërkesë të Thaçit, megjithatë ekspertët kushtetues vlerësojnë se edhe nëse Gjykata vlerëson se ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën nuk nënkupton se Qeveria duhet të dorëhiqet.

Kërkesa e zyrës së Thaçit:

Zyra ligjore e presidentit, duke u mbështetur në qëndrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të premten e kaluar ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e neneve 92 dhe 93 të Kushtetutës së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjen e një numri pronash që menaxhoheshin nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, të Kllokotit, të Ranillugut dhe të komunave tjera.

Në pjesën ku saktësohet kërkesa e zyrës ligjore të Presidencës thuhet se në pajtim me Kushtetutën, llojet e pronës duhet të jenë të rregulluara me ligj, ku do të hynte edhe rregullimi i pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës. “Republika e Kosovës nuk e ka Ligjin për Pronën Publike, që do të rregullonte në mënyrë të detajuar edhe çështjen e bartjes së pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës në shfrytëzim të komunave”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas interpretimit të Presidencës, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet që vendimet t’i marrë në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet.

Në argumentimin e zyrës ligjore të presidentit thuhet se procedura me legjislacionin në fuqi për kthimin e pronave nga komunat tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave përcakton se Agjencia Kosovare e Privatizimit është autoriteti që merr vendim për aprovimin e kërkesave të parashtruara nga autoritetet lokale.

Presidenca ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që t’i qartësojë rastet kur nuk ka procedurë ose kur nuk respektohet procedura përkatëse në fuqi. “A duhet t’i anulojë të gjitha vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës për shfrytëzim tek komunat në mungesë të bazës ligjore; dhe a duhet t’i rishikojë të gjitha vendimet, që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave dhe t’i respektojë procedurat sipas legjislacionit në fuqi për këtë çështje”, thuhet në kërkesën e zyrën e Presidencës.

Qeveria në mbledhjen e radhës vendos se si do t’i përgjigjet Thaçit

Zyra për informim në Qeverinë e Kosovës ka thënë për gazetën “Zëri” se ekzekutivi i vendit është duke i përcjellë këto zhvillime dhe se në mbledhjen e radhës së Qeverisë do të shqyrtohen mundësitë se si do të veprojnë më tutje. “Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje po i përcjell të gjitha zhvillimet për këtë çështje dhe sigurisht që do t'i shqyrtojë mundësitë se si do të procedohet më tutje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, sigurisht duke i respektuar gjithmonë institucionet tona dhe Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Kurse Rasim Selmanaj, deputet nga radhët e partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj - Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për “Zërin” se presidenti nuk duhet të merret me vendimet e tilla të Qeverisë. “Nuk e kam parë kërkesën e presidentit drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por ajo që mund të them është se detyrat e presidentit dhe të Qeverisë janë të ndara, prandaj nuk mendoj që kjo është punë e presidentit”, ka deklaruar Selmanaj.

Megjithatë ai është shprehur i bindur se kjo çështje nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. “Nuk besoj që në këtë kohë bëhet fjalë për zgjedhje. Sidoqoftë, mendoj se presidenti është mirë që t’i kryejë detyrat e veta dhe të mos merret me Qeverinë”, është shprehur Selmanaj.

Kurteshi: Thaçi po e kërcënon Haradinajn për t’i mbuluar tradhtitë e veta

Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Sami Kurteshi, ka thënë se përmes këtyre veprimeve presidenti Hashim Thaçi po bën përpjekje për t’i mbuluar tradhtitë ndaj vendit. Sipas Kurteshit, Thaçi nuk po pranon që të japë pjesë të vogla të Kosovës shteteve fqinje. “Presidenti nuk po do që toka e Kosovës të jepet pjesë-pjesë e livadhe-livadhe, por po thotë ose jep pjesë të madhe, ose më të vogla nuk shkon. Pra ai po do ta mbulojë tradhtinë e vet për faljen e territoreve, pasi ai e ka nënshkruar Demarkacionin me Malin e Zi dhe ia ka mësyrë edhe dhënien e territorit Serbisë”, është shprehur Kurteshi.

Deputeti i Vetëvendosjes më tej ka thënë se Thaçi po ngre çështje të tilla si kjo për dhënien e tokave për komuna ose edhe tjera kinse në mbrojtje të të drejtave të njeriut, por që sipas Kurteshit nuk janë çështje të presidentit.

Sipas Kurteshit, Thaçi me këto veprime po e kërcënon Qeverinë që ose të ndryshojë qëndrim për idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë, ose përballet me zgjedhje të parakohshme. “Çështje e presidentit është çështja e unitetit të popullit dhe disa kompetenca që ai po i keqpërdor. Është e qartë se presidenti po e kërcënon Qeverinë, pasi kjo është shumë e dobët, nuk i ka numrat dhe varet prej shumë faktorëve e një prej tyre është edhe presidenti, prandaj ai po luan me Qeverinë”, ka përfunduar Kurteshi.

Berisha: Thaçi po i tejkalon kompetencat e presidentit

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Durim Berisha, ka thënë për gazetën “Zëri” se institucioni i shefit të Shtetit ka pësuar transformime drastike jo në aspektin formal të definimit të tij, por në mënyrën e ushtrimit të funksioneve kushtetuese. “Përderisa ish-presidentja Jahjaga nuk kishte as aftësitë minimale që t’i ushtrojë këto kompetenca, presidentit Thaçi nuk po i mjafton korniza kushtetuese e kompetencave të tij. Prandaj kjo kërkesë, sikurse tjerat që janë dërguar nga ai brenda vitit 2018, sidomos duke u bazuar në rrethanat politike, nuk mund të konsiderohen ndryshe përpos tejkalim i rolit të tij si shefi i shtetit dhe tentativë për të kthyer rolin dhe funksionin e presidentit të shtetit dhe të Gjykatës Kushtetuese në pjesëmarrës politikë”, ka vlerësuar Berisha.

Ai më tej ka thënë se realisht as kjo kërkesë dhe as kërkesat e mëhershme të referuara nga ish-presidentët nuk kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat përcaktohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Gjykata Kushtetuese ka interpretuar Nenin 84 të Kushtetutës shumë gjerë, duke e dekontekstualizuar dhe duke e nxjerrë jashtë kufijve kushtetues, të cilët në rastin e gjykatave kushtetuese ‘kelseniane’, ku bën pjesë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kanë një juridiksion të përcaktuar qartë dhe interpretimi i tij në raport me organet shtetërore duhet të bëhet sa më ngushtë. Për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk guxon të kthehet në një pjesëmarrës aktiv politik ose në një institucion që i shërben politikave ditore të bartësve të funksioneve kushtetuese”, ka shtuar Berisha.

Në fund ai ka thënë se momentumi kur po dorëzohet kjo kërkesë, jo për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimeve të Qeverisë, por kërkesë për interpretimin e një neni kushtetues, paraqet një veprim i cili ngre tensionet mes Qeverisë dhe një presidenti që nuk po pajtohet me margjinën e rolit që ia ka përcaktuar Kushtetuta. “Mirëpo, edhe nëse Gjykata Kushtetuese, e cila nuk do të duhej të përfshihej në këto beteja politike, del me një qëndrim se këto vendime janë të pakushtetuese nuk nënkupton se Qeveria duhet të dorëhiqet. I vetmi që mund të shkarkohet për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Gjykata Kushtetuese është presidenti i shtetit sipas procedurës së paraparë me Kushtetutë”, ka përfunduar Berisha.

Kurse drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë precedent të tillë që presidenti të merret me çështje, të cilat nuk janë në kuadër të funksionit dhe të kompetencave të tij. “Zakonisht presidenti ka dërguar kërkesa për sqarime për çështjet që janë lidhur me funksionin e tij. Pra para se të marrë vendime për ndonjë çështje ka kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese se a është ai vendim konform Kushtetutës. Por në rastet të tilla kur është një vendim i Qeverisë dhe që nuk ka lidhje me presidentin, atëherë edhe mund të kuptohet si një lloj lufte që ka filluar në mes të presidentit dhe të kryeministrit për shumë çështje, e sidomos për dialogun. Pra është një lloj presioni ndaj Qeverisë nga ana e presidentit”, ka deklaruar Demhasaj./ZERI