Amerikanët interesohen për 'Pendën e Kuçicës'

Ekonomia October 22, 2018 - 08:05
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Bekim Jashari, kryetar i Skenderajt, pasi një takimi që ka pasur me Daniel Cannon, bankier investiv i dalluar, tha se një ekip i ekspertëve të inxhinierisë nga Amerika do të vijnë për ta kryer një studim më të detajuar të fizibilitetit të “Pendës së Kuçicës”, për të vazhduar pastaj me hapa konkretë për ta realizuar projektin strategjik, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Penda e Kuçicës”, njëri prej projekteve më të mëdha në komunën e Skenderajt, i cili është iniciuar gjatë qeverisjes së Skenderajt të Ramadan Gashit (në vitin 2006), do të realizohet me mbështetjen e amerikanëve, pasi që ata kanë shprehur interesimin për të investuar në projektin e ndërtimit të Pendës së Kuçicës.

LEXO EDHE: Ndëshkimet 'po e hanë' buxhetin

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pasur një takim me Daniel P. Cannon, një njeri i zoti në financa ndërkombëtare dhe bankier investiv i dalluar, si dhe me avokatin e tij Julian Brew, me të cilët ka diskutuar për mundësinë e investimeve në komunën e Skenderajt.

Cannon, i cili fillimisht ka ardhur në Kosovë i interesuar vetëm për investime në sektor të teknologjisë kryesisht në kryeqytet, tashmë ka një interesim jashtëzakonisht të madh për investime specifike edhe në sektorë të tjerë në komunën e Skenderajt.

“Pjesa më e madhe e kohës që ishin së bashku i është kushtuar projektit të “Pendës së Drenicës” (Kuçicës), projekt ky që do të sjellë shumë të mira jo vetëm për qytetarët e Skenderajt, por për më shumë se 200 mijë banorë që do të zgjidhnin njëherë e përgjithmonë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, sikurse që do të përfitonte edhe sektori i bujqësisë nga uji i mjaftueshëm për ujitje të tokave”, tha kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, duke shtuar se ai ka shoqëruar amerikanët deri në fshatin Kuçicë, ku do të ndërtohet penda, siç e quan Jashari, e “Drenicës”. 

Inxhinierë nga Amerika do ta vizitojnë Drenicën

“Gjatë muajit dhjetor një ekip ekspertësh të inxhinierisë nga Amerika do ta vizitojnë Drenicën për të kryer një studim më të detajuar të fizibilitetit, për të vazhduar më tutje me hapa konkretë për këtë projekt strategjik”, tha kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.  

Ndryshe, sipas burimeve të “Zërit” Qeveria e Kosovës kishte ndarë 200 mijë euro për studimin e fizibilitetit, të cilin e ka kryer një kompani nga Prishtina.

Është një projekt që ka një kosto prej rreth 30 milionë eurosh, ndërsa projekti ka hyrë tashmë në mesin e projekteve që Qeveria e Kosovës synon t’i realizojë.

“Penda e Kuçicës”, sipas ideatorëve të projektit, do të ndërtohet në vendin e quajtur “Kërshi i Dubeçakut” dhe shtrihet në komunën e Skenderajt dhe të Zubin Potokut.

Parashikohet që gjerësia e pendës (liqenit) të jetë 200 metra, gjatësia 5 kilometra dhe thellësia 3 metra.

Sipas projektit, në liqenin që do të krijohet në Kuçicë do të mblidhen 25 milionë metra kub ujë, ndërsa mbushja e tij do të zgjasë të paktën 3 deri në 4 vjet.

Hidrocentrali i Kuçicës, sipas projektit të hartuar, do të prodhojë 4.5 megavat energji elektrike.

Kostoja e projektit, siç ishte precizuar, është 25 milionë euro, ndonëse tani janë bërë ndryshime dhe kostoja e projektit mund të jetë edhe më e lartë dhe të shkojë deri në 35 milionë euro. Gjatë realizimit të projektit nuk do të preket asnjë shtëpi e banorëve,

të Kuçicës, përveç livadheve që gjenden në mes të dyja bjeshkëve ku do të bëhet diga për ta ndalur ujin e lumit Klina, i cili buron në Stërmc të Epërm të Zubin Potokut.   

“Penda e Kuçicës” ishte paraparë të ndërtohet në vitet e ’70-ta

Në vitin 2006 përfaqësues të një konsorciumi austriak kishin ardhur në Kuçicë me qëllimin që ta analizojnë gjithë hapësirën dhe të bisedojnë me autoritetet komunale të Skenderajt dhe me ato qendrore në Prishtinë për zbatimin e projektit.

Por e tëra kishte mbetur vetëm një tentim për të bërë diçka dhe projekti, ndonëse i iniciuar para më shumë se 12 vjetësh, ishte harruar krejtësisht dhe më nuk ishte aktual në asnjërin nga tri mandatet e qeverisjes së Sami Lushtakut me Komunën e Skenderajt.

E në kohën kur me Skenderajn ka qeverisur Ramadan Gashi projekti i “Pendës së Kuçicës”, i iniciuar nga qeveria e tij komunale, nuk kishte gjetur mbështetje financiare te Qeveria e Kosovës.

Deri atëherë të gjitha qeveritë kishin anashkaluar Komunën e Skenderajt dhe sa për ilustrim në vitin 2007 buxheti që i është ndarë Komunës së Skenderajt për projekte kapitale ka qenë vetëm 50 mijë euro, ndërsa me ardhjen në pushtet të Hashim Thaçit dhe të Sami Lushtakut në krye të Skenderajt Qeveria e Kosovës ka investuar në komunën e Skenderajt në projekte të ndryshme mbi 80 milionë euro.

Penda e Kuçicës ishte paraparë të ndërtohet në vitet e ’70-ta, para asaj të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, në vendin e quajtur “Palluçka” të Kuçicës.