Ndëshkimet 'po e hanë' buxhetin

Ekonomia October 22, 2018 - 07:59
Lexo detajet!
Image

Konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” nuk është i vetmi që po kërkon miliona euro nga buxheti i shtetit për mosrealizim të kontratës. Po ashtu kompania “Limak”, e cila e ka marrë me koncesion Aeroportin e Prishtinës, po kërkon nga Qeveria e Kosovës edhe gjithsej 84 milionë euro për zgjerim të pistës, derisa nga kjo shumë Qeveria është pajtuar t’ia japë 34 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndëshkimet për mospërmbushje të kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka”, kompani kjo që po e ndërton autostradën Prishtinë – Shkup, në njërën anë dhe kërkesa astronomike prej 84 milionëve e kompanisë “Limak”, e cila e ka në menaxhim aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, “po e hanë” buxhetin e shtetit tonë.

LEXO EDHE: Shteti nuk ua ndal pensionet veteranëve të rremë

Qeveria e Kosovës kohë më parë ka marrë vendim që për zgjerim të pistës “Limak Kosovo International Airoport JSC” t’ia japë 34 milionë euro, por kjo e fundit po kërkon edhe 50 milionë euro më shumë, gjithsej 84 milionë euro e që është shumë e parave është e papërballueshme për arkën e shtetit.

Ministria e Infrastrukturës po zotohet se nuk do t’ia paguajë asnjë cent më shumë se 34 milionë euro koncesionarit aktual turk “Limak Kosovo International Airoport JSC” për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP).

Por, ndryshe nga ministri Pal Lekaj, që drejton dikasterin e Infrastrukturës, po alarmon eksperti i ekonomisë Hekuran Murati me analizën e tij për shqyrtimin e kontratës për zgjatjen e pistës së aeroportit “Adem Jashari”.

Duke u bazuar në gjetjet e raportit “Shqyrtimi i kontratës për zgjatjen e pistës së aeroportit ‘Adem Jashari”’, thuhet se ka indikacione që nga 34 milionë euro dëmtimi i buxhetit për zgjatjen e pistës së Aeroportit të rritet për 50 milionë të tjera, që në total i bie të jetë 84 milionë euro. Konkludime këto që po mohohen nga vetë ministri Pal Lekaj.

Lekaj: Investimet në zgjatjen e pistës buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë 34 milionë euro

Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” Lekaj ia ka vënë fajin qeverisjes së kaluar për ndëshkimet e tanishme, duke përfshirë rastin e “Bechtel & Enkas” e tani të koncesionarit aktual turk “Limak Kosovo International Airoport JSC”.

“Investimet në zgjatjen e pistës së ANP ‘Adem Jashari’ buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë 34 milionë euro dhe asnjë cent më shume. Ne nuk kemi pse lëshohemi në komentimin e raporteve, sepse secili e ka të drejtën ta shikojë nga këndi i vet, por jemi në respektim të vendimeve. Kontratën si të tillë e kemi gjetur të nënshkruar dhe çdo kontratë kur nënshkruhet kthehet në dokument obligues për t’u zbatuar”, ka deklaruar ministri, teksa shprehet se kanë punuar që dëmi i të dyjave të jetë i nivelit më të ulët buxhetor.

“Janë dy tema të ndryshme dhe ju e dini që të dyja janë trashëguar nga e kaluara, për të cilat jemi angazhuar që dëmi eventual i tyre të jetë sa më minor. Dhe ne ende s’kemi realizuar asnjë pagesë, as për të parën e as për të dytën, por përderisa janë vendime të Qeverisë ne jemi të obliguar si institucion i linjës që të njëjtat t’i zbatojmë”, ka shtuar në mes të tjerash ai.

Përsëritet rasti i “Bechtel & Enka”-s

Shuma prej 84 milionësh që po paralajmërohet të paguhet po krahasohet me pagesën e njëjtë që Qeveria detyrohet t’ia paguajë “Bechtel & Enka”-s. Të paktën kështu thotë analiza e detajuar e Hekuran Muratit për kontratën e zgjatjes së pistës së Aeroportit.

“Kontrata për zgjatjen e pistës së Aeroportit është në kundërshtim me ligjet në fuqi, sepse me anë të saj Ministria e Infrastrukturës në njërën anë po investon paratë publike në një biznes privat, kurse në anën tjetër kryerjen e punëve në vlerë 34 milionë euro ia ka dhënë kompanisë ‘Limak Kosovo International Airport JSC’, koncesionarit aktual, pa zhvilluar fare procedurë tenderimi”, thuhet në raport.

Më tej përshkruhen edhe mënyrat sesi parashihet të rritet pagesa prej 84 milionësh për koncesionarin turk “Limak”.

“Për më tepër, ka indikacione që dëmtimi i buxhetit të rritet edhe për 50 milionë euro të tjera, pra në total 84 milionë euro, ngjashëm sikurse në rastin me ‘Bechtel & Enka’-n, ku nga 14 milionë euro dëmtimi i buxhetit u rrit në 53 milionë euro. Kësaj radhe po tentohet që kjo të bëhet me një marrëveshje kompensimi, që në emër të pagesës për kontratën Qeveria të heqë dorë nga pranimi i tarifës koncesionare për 5 vjetët e ardhshëm”, thekson raporti.

Madje kontrata për zgjatjen e pistës ndonëse në vlerë milionëshe, si shumë të tjera u mbajt larg syrit të taksapaguesve.

Qeveria në kompensim të kostos thuhet se detyrohet të heqë dorë nga të hyrat e taksës koncensionare për 5 vjetët e ardhshëm.

Kjo taksë sipas analizës së raportit për 5 vjetët e ardhshëm i bie të ngrihet në 84 milionë euro.

Ndonëse këto borxhe do të detyrohen të paguhen nga buxheti shtetëror, Qeveria ende nuk e ka kryer pagesën ndaj asnjërës.

Për pagesën e “Bechtel & Enka”-s u paralajmërua se nëse nuk kryhet deri në fund të dhjetorit ka mundësi për rritje të gjobës.

Pavarësisht se autostrada “Arbën Xhaferi” ishte planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018, zvarritja e punimeve po i kushton miliona euro buxhetit të shtetit.

Në bazë të publikimeve kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ishte nënshkruar më 11 korrik 2014 në shumën prej 599 milionë e 944 mijë e 263 eurosh e 55 centëve.

Por kjo shifër kishte ndryshuar kah në fillim të shtatorit të 2015-ës, çmimi qe rritur mbi 8 milionë euro. Shifra kishte arritur vlerën 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 centë.

Mushkolaj: Kryeministri nuk po nguron t’ua plotësojë kërkesat të gjithëve

Pagesat e tilla për ndëshkime nuk po i konsiderojnë të drejta njohësit e çështjeve politike e ekonomike në vend. Ata po e krahasojnë kryeministrin Ramush Haradinaj me “babadimrin” që nuk po nguron t’ua plotësojë kërkesat të gjithëve.

“Kryeministri prej momentit kur e ka marrë postin e ka zgjedhur këtë mënyrë të shpërndarjes së parave të buxhetit për të zgjidhur probleme, siç i ka quajtur ai. Çdokush që ka kërkuar për t’ia rritur pagën, qoftë për të përfituar nga buxheti i shtetit, kryeministri nuk ka përtuar që t’ia plotësojë dëshirën. Pra në këtë rast kryeministri Haradinaj është shfaqur si një babadimër që plotëson dëshira me para të buxhetit sesa si një menaxher që duhet t’i zgjidhë problemet, por jodomosdomërisht duke ofruar para të buxhetit”, ka thënë Mushkolaj.

Qeverinë “Haradinaj” thotë se e mban mend për mungesë të planifikimeve financiare në aspektin se si ka menaxhuar me paratë e taksapaguesve si pronë e tij.

“Tash jemi në një situatë të vështirë, ku janë shpenzuar pjesa më e madhe e rezervave shtetërore, rishikimi i buxhetit nuk është bërë fare sivjet, kryeministri dhe partia e tij vazhdon të propozojë edhe rezoluta që të ndahen edhe më shumë para, siç është rasti për fëmijët, për veteranët, “Bechtel” e “Limak”. Do të ketë shpenzime të tjera, nëse për diçka shquhet kjo Qeveri, përnjëmend për mungesën totale të planifikimeve financiare dhe për qasjen ndaj parasë publike thuajse është para në pronë të kryeministrit e jo e të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.