Produktet e patateve të Vushtrrisë eksportohen në shtete të BE-së

Ekonomia October 13, 2018 - 08:14
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Drejtori për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Vushtrrisë, Miran Haliti, ka precizuar se me patate kanë qenë të mbjella 1.129 hektarë në gjithë rajonin e komunës së Vushtrrisë, nga të cilat janë nxjerrë saktësisht 22.580 tonë patate. Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, ka thënë se produktet e patates së Vushtrrisë eksportohet në katër shtete të BE-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

E njohur në gjithë Kosovën, por edhe jashtë saj, me sipërfaqe të mëdha të mbjella me patate, Vushtrria është bërë eksportuesi më i madh i produkteve të patates në shtetet e BE-së.

LEXO EDHE: Nis revidimi i listës esenciale të barnave

Prodhimi i patates këtë vit ka shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar për shkak të dëmeve nga të reshurat dhe përmbytjet, por megjithatë, sipas kultivuesve të patates, rendimentet kanë qenë të kënaqshme.                                                                         

Drejtori për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural i Komunës së Vushtrrisë, Miran Halili, ka thënë se në gjithë rajonin e komunës së Vushtrrisë kanë qenë të mbjella me patate saktësisht 1.129 hektarë, ndërsa rendimenti mesatar, sipas të parit të bujqësisë së Vushtrrisë, ka qenë 20 tonë për një hektarë.

“Në tokat e komunës së Vushtrrisë kanë qenë të mbjella me patate saktësisht 1.129 hektarë dhe rendimet kanë qenë të kënaqshme. Mesatarisht 20 tonë për një hektar janë nxjerrë nga arat e Vushtrrisë. Dëmet nga të reshurat dhe përmbytjet në sipërfaqet e mbjella me patate kanë qenë 27 mijë euro”, ka thënë drejtori Halili, i cili ka shtuar se prodhuesit e patates nuk kanë probleme me plasimin e patates në treg, pasi që kompania “Pestova” ka marrëveshje me prodhuesit dhe se pothuajse i gjithë prodhimi dorëzohet në këtë kompani.

Sipas drejtorit Halili, nga arat e komunës së Vushtrrisë janë nxjerrë saktësisht 22.580 tonë patate. 

Në vitin 2017 ishin nxjerrë 30 mijë tonë patate

Në vitin e kaluar ndërkaq, sipas të dhënave të së njëjtës drejtori, e cila udhëhiqej nga Arta Haxhaj, rendimentet kanë qenë më të larta, pasi që nga arat e Vushtrrisë në vitin 2017 ishin nxjerrë 30 mijë tonë patate.

“Plasimi i prodhimtarisë së patates ne tregun vendor dhe atë të jashtëm deri më tani konsiderohet relativisht i mirë”, siguron drejtori Halili.

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka pohuar se Vushtrria vazhdon të jetë prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i patates dhe produkteve të saj. “Produktet e patates së Vushtrrisë, përkatësisht të ‘Vipa Chips – Pestova’, eksportohen në katër shtete evropiane dhe ky është një patriotizëm dhe krenari e vërtetë për Kosovën.

Si institucione duhet të punojmë më shumë në përkrahjen e bujqve nga Vushtrria, sepse kultivimi i patates nuk është një aktivitet i lehtë dhe se bujqit e fermerët nga Vushtrria meritojnë respektin maksimal pasi që kanë ditur t’i shfrytëzojnë begatitë e Vushtrrisë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Eksportimi i produkteve të patates së Vushtrrisë në katër shtete të Bashkimit Evropian është një sukses i madh jo vetëm për Vushtrrinë, por për të gjithë vendin, pasi që Kosova gjendet në një moment ku aktualisht ka bilanc negativ tregtar”, tha kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

E ndërkaq drejtori i kompanisë “Vipa Chips - Pestova”, Bedri Kosumi, ka ripërsëritur se kompania ka vazhduar me suksese, sidomos në prodhim kualitativ dhe eksportin e prodhimeve të patates.

Ai ka thënë se suksesi qëndron edhe në kultivimin e patates kualitative nga bujqit e kësaj ane, ndërsa ka ripërsëritur bashkëpunimin me të gjithë prodhuesit e vendit.

“Bashkëpunimi është çelës i suksesit dhe ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë ata që merren me prodhimin e patateve në vendin tonë, duke filluar që nga bujku e deri të institucionet lokale e qendrore dhe donatorët që operojnë në Kosovë”, theksoi Kosumi.

18 sera për fermerë

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Vushtrrisë, Miran Halili, ka potencuar se Komuna është përkujdesur që të investojë edhe në fushat e tjera të bujqësisë së komunës.

Sipas tij, Komuna ka investuar rreth 400 mijë euro për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë së komunës dhe bujqit e kësaj ane.

“Komuna e Vushtrrisë ka ndihmuar në sektorë të ndryshëm të bujqësisë: ka ndarë 3 rrotoballera, 18 serra me sipërfaqe prej 2 arësh, 15 serra me sipërfaqe prej 0.5 arësh, 6 makina për nxjerrjen e patates, 5 makina për nxjerrjen e qepëve, ka mundësuar kredi bujqësore ku interesin e ka mbuluar Komuna, ka dhënë 6 makina për shpërndarjen e plehut organik, ka ngritur pemishte me dredhëza me sipërfaqe prej 10 hektarësh, ka shpërndarë bimë aromatike mjekësore (BAM) në sipërfaqe prej 2.5 hektarësh”, ka precizuar drejtori Halili.

Sipas tij, buxheti i DEBPZHR-it që ka poseduar për t’i ndihmuar fermerët në forma të ndryshme ka qenë 401 mijë euro për gjithë territorin e komunës së Vushtrrisë.

Ai siguroi se për të gjitha llojet e prodhimeve bujqësore, sipas kërkesës së fermerëve, u janë dhënë këshilla profesionale nga ekspertët e kësaj drejtorie.