Nis revidimi i listës esenciale të barnave

Aktuale October 13, 2018 - 08:09
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka filluar revidimin e listës esenciale të barnave, proces ky që pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Me revidimin e kësaj liste tani janë duke u marrë ekspertët e shëndetësisë, të cilët do të vlerësojnë kërkesat e spitaleve për produkte medicionale dhe do të vendosin se cilat prej tyre do t’i fusin në këtë listë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Të gjithë anëtarët e Komitetit teknik për revidimin e listës së barnave esenciale janë mjekë dhe farmacistë të deleguar nga institucionet shëndetësore nga tri nivelet e kujdesit shëndetësor (QKUK, spitalet e përgjithshme dhe Kujdesi Parësor Shëndetësor (KPSH). Në komitet janë të përfshirë edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, si dhe procesi mbikëqyret edhe nga Agjencia Antikorrupsion, shoqëria civile, Instituti Demokratik i Kosovës, instituti ‘Columbus’ etj.”, kanë thënë zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

LEXO EDHE: Mocioni, opozita po dështon qe 10 muaj

Sipas tyre, anëtarët e këtij komisioni do të vendosin për numrin e barnave të cilat pritet të futen në këtë listë.

“Këtë do ta vendosë Komiteti pasi të merren propozimet nga profesionistët shëndetësorë, subjektet farmaceutike dhe pasi të jetë analizuar secili produkt si për nga aspekti shkencor i ndikimeve të tij, ashtu edhe për nga kost-efektiviteti”, kanë thënë ata.

Përndryshe, sipas një njoftimi të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se afati i fundit për aplikimet për përfshirjen e barnave në listën esenciale është më 31 tetor 2018.

Në anën tjetër, zyrtarë për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë thënë për “Zërin” se MSH-ja me kohë ka kërkuar nga QKUK-ja të caktojë përfaqësuesit nga klinikat, mjekë specialistë të profileve të ndryshme dhe farmacistë si anëtarë të komunitetit teknik.

“QKUK-ja ka dërguar propozimet e saja dhe përfaqësuesit e QKUK-së janë përfshirë në Komitetin për Revidim të Listës Esenciale. Përfaqësuesit nga klinikat e QKUK-së kanë paraqitur kërkesat e klinikave, duke përfshirë edhe futjen në listë esenciale të barnave që nuk kanë qenë e që janë vlerësuar të rëndësishme dhe të domosdoshme të jenë në listë esenciale”, kanë thënë ata.

Berisha: Jemi në fund të përpilimit të kërkesave

Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Hamëz Berisha, ka treguar për gazetën “Zëri” se janë në përfundim të përpilimit të kërkesave për produktet që i duhen këtij spitali, të cilat kërkohen të futen në listën esenciale të barnave.

Sipas tij, edhe pse prapë ka mungesa në këtë spital, deri më tani shumica e kërkesave të tyre janë realizuar.

“Ne e kemi datën më duket deri në 15 tetor dhe e shohim planifikimin komplet të shërbimeve dhe pastaj dërgohet kërkesa në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK). Për Mitrovicën është pak më specifike. Vitin e kaluar kam pasur vetëm një ortoped, ndërsa këtë vit kam 6 ortopedë, ndërkohë nuk kemi produkte të listës esenciale. Tani është një kombinim komplet i reparteve për ta bërë listën që neve na duhet. Ndoshta duhet t’i planifikojmë edhe disa shërbime për të mos mbetur keq sikur me ortopedinë”, ka thënë ai.

Berisha ka treguar se ka pasur raste kur disa barna, të cilat kanë qenë në listë esenciale, janë asgjësuar për shkak se u ka dalë afati.

“Varet prej buxhetit se sa produkte munden me qenë në listë esenciale. Janë bërë porositë që janë dashur. Tani është duke u punuar në atë drejtim që të mos bëhet porosia në sasi më të madhe e që pastaj të mos na mbesin. Është një koordinim me të gjitha spitalet që në rast se vjen pak para datës së skadimit dërgohet prej barnatores në një tjetër”, ka thënë ai.

Hajrullahu: Kemi përgatitur kërkesat tona

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka treguar për “Zërin” se kanë përgatitur kërkesat e tyre për produktet medicionale, të cilat i nevojiten këtij spitali.

Sipas tij, lista esenciale po pretendohet të plotësohet me artikuj të cilët nuk kanë qenë më herët në listë.

“Ky është një proces afatgjatë, nuk është një çështje që kryhet brenda ditës, është fakt që është bërë revizioni i listës esenciale dhe po pretendohet të plotësohet me disa artikuj të cilët nga hera e kaluar nuk kanë qenë të përfshirë në listën esenciale. Janë komisionet të cilat punojnë në atë drejtim dhe tani momentalisht ende nuk është përmbyllur, ende është duke u reviduar lista esenciale. Jemi konsultuar edhe në nivel të ekspertëve. I kemi përgatitur kërkesat”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka thënë se në listën esenciale të deritanishme ka pasur edhe barna të cilat nuk kanë qenë esenciale.

“Ka pasur barna të cilat kanë hyrë në listë esenciale, por që nuk kanë qenë esenciale. Ata po duan të ndryshojnë barnat e tjera që janë të nevojshme të hyjnë në listë esenciale. Nuk është çështje kërkesa individuale, shqyrtohet lista, kërkesa e të gjitha spitaleve dhe pastaj shqyrtohen dhe merret vendim cilat të hyjnë në listë esenciale dhe cilat jo”, ka theksuar ai.

Kollçaku: Ende s`ka protokolle për revidimin e listës esenciale të barnave

Revidimin e listës esenciale të barnave anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, e ka cilësuar si një temë me interes shumë të madh.

Sipas saj, ende nuk ka protokolle sa i përket revidimit të kësaj liste.

“Aktualisht është duke u bërë revidimi i listës esenciale dhe ne jemi shumë të interesuar të shohim a po konsultohen klinikat, ekspertët shëndetësorë, duke u bazuar në kërkesat, pasi që ende nuk ka as protokolle dhe ne jemi shumë të brengosur pse gjatë revidimit të listës esenciale nuk po hartohen në të njëjtën kohë dhe protokollet dhe vetëm duke u bazuar në protokolle është dashur të bëhet revidimi i listës esenciale”, ka thënë ajo.

Përndryshe, këtë vit anëtarët e Komisionit për Shëndetësi kanë shprehur shqetësimet e tyre sa i përket listës esenciale të barnave, pasi që sipas tyre kjo listë ka përmbajtur barna joesenciale, të cilat kanë mbetur në stoqet e spitaleve me afat të skaduar.