Alarm nga lodrat e rrezikshme

Ekonomia August 22, 2018 - 08:53
Lexo detajet
Image

Një pjesë e lodrave për fëmijë, që po shiten në tregun vendor, pas analizave të bëra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë rezultuar të rrezikshme. Nga 15 mostra lodrash që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka dërguar në një laborator në Holandë 12 prej tyre janë cilësuar të rrezikshme për përdorim, duke shkaktuar te fëmijët edhe dëmtime të përhershme në sistemin e riprodhimit, shkruan gazeta "Zëri". 

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka filluar me konfiskimin dhe asgjësimin e lodrave të rrezikshme të fëmijëve pas rezultateve të frikshme nga analizat e bëra. Vetëm për 8 muajt e parë të këtij viti nga importi i lodrave Dogana e Kosovës (DK) ka grumbulluar 2.4 milionë euro. Duke iu referuar statistikave zyrtare që Dogana ka dhënë për gazetën “Zëri”, listës së importuesve të mëdhenj të lodrave të fëmijëve u prin shteti i Kinës, mostrat e të cilit vend rezultuan si të rrezikshme.

LEXO EDHE: Festa e Bajramit lë spitalet pa mjekë

Menjëherë pas shtetit të Kinës renditen Serbia dhe Turqia, duke zotëruar primatin e tre importuesve më të mëdhenj të lodrave. Gazeta “Zëri” është interesuar edhe për llojin e lodrave të cilat importohen. Në bazë të përgjigjeve të doganës janë renditur lodrat si kukullat, trenat elektrikë, duke përfshirë shinat, sinjalet dhe plotësues të tyre, komplete lodrash për ndërtim prej plastike e materiale tjera, lodra që paraqesin kafshë ose figura të tjera jonjerëzore ndryshe nga ato të mbushur.

Por nuk mungojnë as instrumentet, aparaturat muzikore lodra, lojërat enigmë (puzzle), të ngjashme nga druri e lodra të tjera të vendosura në grupe ose në pajisje të caktuara, lodra e modele që kanë të trupëzuar një motor prej plastike, armët lodër, modele në miniaturë të fituara me derdhje metali, pajisje portale edukative elektronike interaktive të dizajnuara për fëmijë, lodra të tjera prej plastike e joplastike. Lodra më e rrezikshme e fëmijëve ka rezultuar “Slime” e markës “Barrel o Slime”, në të cilën është gjetur se është tejkaluar elementi kimik Bori.

 Hasani: Inspektorati ka ndaluar importin e lodrave nga tregu aziatik

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, menjëherë pas rezultateve të analizave thotë se i ka drejtuar kërkesë Inspektoratit për ta ndaluar importimin e lodrave që janë cilësuar si të rrezikshme. Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ministri Hasani ka shprehur shqetësimin e tij edhe për lodrat të cilat i përdorin fëmijët në çerdhe. “Menjëherë pas marrjes së rezultateve unë kam kërkuar nga Inspektorati që të ndalojë importimin e të gjitha lodrave nga tregu aziatik, që kanë rezultuar të rrezikshme dhe nuk i kanë përmbushur kriteret. Gjithashtu ne jemi të shqetësuar edhe për lodrat që gjenden në duart e fëmijëve nëpër çerdhe”, është shprehur ministri.

Më tutje ai ka përmendur edhe takimin e zhvilluar me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) Shyqiri Bytyqin për t’i treguar rezultatet shqetësuese të lodrave. “Ministri Bytyqi ka kërkuar që këto lodra të hiqen nga të gjitha çerdhet publike dhe private që funksionojnë në Kosovë”, ka treguar Hasani. Për të shtuar vigjilencën e prindërve në blerjen e lodrave për fëmijët ministri ka listuar edhe lodrat të cilat i përkasin rrezikshmërisë së lartë. “Lodra të rrezikshme për përdorim të cilat nuk e kanë kaluar testin e konformitetit në katër komponentë dhe janë klasifikuar si të rrezikshme janë: revole (e cila nuk ka markë), por dihet origjina, nga Kina; lodër kimike (Slime) e markës ‘Barrel O Slime’; lodra uji të markës ‘Bath Tub’; set kafshësh të markës ‘Animal Toys’, kukull e markës ‘Happy Girl’; kafshë lodër e markës ‘Poultry’ dhe lodra, vetura e aeroplanë të ‘Fly Line’”, ka sqaruar në mes të tjerash ai. Përfundimisht ministri ka bërë të ditur se kanë konfiskuar këto lodra dhe janë duke i ndjekur procedurat për asgjësimin e tyre.

Kaçaniku: Të mos i lejojmë këto veprime neglizhente

Shqetësimin e tij për rrezikshmërinë e lodrave të fëmijëve e ka shprehur edhe kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” Kaçaniku tregon se këtë shqetësim e kanë shprehur prej kohësh, për të cilin nuk kanë marrë përgjigje asnjëherë.

“Ne vite me radhë kemi reaguar për lodrat. Natyrisht, ato reagime ne i kemi bërë e i bëjmë në vazhdimësi me bashkëpunim me mediet. Ne asokohe nuk patëm marrë përgjigje. Sikur nuk po marrim përgjigje për kërkesa dhe reagime të tjera”, ka thënë Kaçaniku. Veprimet neglizhente sipas Kaçanikut nuk duhet lejuar më tej. Ai ua ka kujtuar Qeverisë dhe institucioneve të tjera se edhe familjet e tyre janë konsumatorë.

“Përfundimisht dhe detyrimisht Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera nëse asgjë duhet të binden se edhe vetë janë konsumatorë dhe familjet e tyre”, ka shtuar në mes të tjerash përfaqësuesi që mbron të drejtat e konsumatorëve. Ndërsa menjëherë pas publikimit të rezultateve të analizave të lodrave ditë më parë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ka kërkuar nga çerdhet e fëmijëve në Kosovë t’i largojnë nga përdorimi lodrat që po cilësohen të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.