Festa e Bajramit lë spitalet pa mjekë

Aktuale August 22, 2018 - 08:24
Lexo detajet
Image

Drejtorë e shumë specialistë në QKUK, ashtu si edhe për çdo festë tjetër, në festën e Kurban Bajramit kanë pushuar ndonëse edhe në këtë ditë ka pasur shumë pacientë që kanë kërkuar trajtim, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Mungesa e stafit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ditën e djeshme ka bërë që disa pacientë të marrim shërbimet mjekësore me vonesë. Drejtorë e shumë specialistë në QKUK, ashtu si edhe për çdo festë tjetër, edhe në festën e Kurban Bajramit kanë pushuar ndonëse edhe në këtë ditë ka pasur shumë pacientë që kanë kërkuar trajtim. M.Q. në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar se ditën e djeshme bashkëshortit të saj të shtrirë në njërën prej klinikave të QKUK-së nuk i është ofruar shërbimi mjekësor me kohë. Ajo është shprehur e pakënaqur me numrin e vogël të mjekëve që kanë kujdestaruar ditën e djeshme.

“Ditëve të tjera ka qenë shërbimi shumë i mirë, motrat kanë ardhur dhe janë kujdesur mirë për bashkëshortin tim. Dje ka pasur më pak mjekë, më është dashur disa herë t’i thërras për ta kontrolluar atë dhe mezi kanë ardhur. Shërbimi ka qenë shumë më i dobët se herëve të tjera. Duhet që edhe për festa të ketë më shumë staf dhe të punojnë edhe ata mjekë që janë më të mirë”, ka thënë ajo.

LEXO EDHE: Sejdiu: Ideja e Thaçit për kufijtë nxit tension

Në anën tjetër, zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për “Zërin” se ditën e djeshme kanë punuar vetëm ekipet kujdestare.

“Ekipet kujdestare janë në çdo klinikë dhe ofrohet shërbimi për pacientët e shtrirë. Punohet sikur në vikend, punojnë vetëm ekipet kujdestare si në çdo festë tjetër si është e rregulluar”, kanë theksuar ata. 

Ditën e djeshme gjatë qëndrimit të stafit të gazetës “Zëri” në QKUK është vërejtur një numër i vogël i stafit mjekësor, mirëpo një numër i madh i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në ato klinika e sidomos në Klinikën Emergjente. Në mungesë të drejtorëve të klinikave asnjë nga stafi mjekësor nuk ka pranuar të flasë rreth shërbimeve që po ofroheshin. Mungesë të stafit mjekësor ditën e djeshme ka pasur edhe në Spitalin e Gjilanit, sidomos në Klinikën Emergjente.

Drejtori klinik i këtij Spitali Nysret Hajrullahu ka thënë për “Zërin” se në Emergjencë punojnë vetëm tre mjekë e ditën e djeshme ka punuar ai të cilit i ka rënë kujdestaria. Sipas tij, për shkak të mungesave në Emergjencë stafin e zëvendësojnë edhe mjekë të profileve të tjera.

“Në Emergjencë janë tre mjekë që punojnë dhe kujdestarojnë, mirëpo aty është nevoja shumë më e madhe edhe për tre të tjerë. Ka edhe mjekë të tjerë që kujdestarojnë dhe e plotësojnë atë vakum, por megjithatë për mjekë specialistë të emergjencës kemi mungesë. Në Emergjencë ata të tre punojnë varësisht nga orari i kujdestarisë, nëse ka specialistë mirë, nëse jo e mbulon kirurgu, internisti dhe mjekë të profileve të tjera. Nuk guxojmë të lëmë vakum aty”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka treguar se për këto mungesa ata kanë kërkuar ndihmë edhe nga SHSKUK-ja. Ndërsa sipas tij përveç stafit mjekësor në Emergjencë ka mungesa edhe të infermierëve.

“Kemi mungesë të infermierisë përveç në disa profileve të tjera që janë të plotësuara. Nuk kemi mjaftueshëm staf as në Patologji”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, drejtori i Spitalit të Gjakovës Ahmet Asllani në një prononcim për gazetën ka treguar se në këtë Spital ditën e djeshme është punuar si herëve të tjera.

Sipas tij, stafi mjekësor ka qenë i mjaftueshëm.

“Për çdo festë në spitalin tonë ofrohen shërbimet me kujdestari sikur të shtunave dhe të dielave dhe festave të tjera. Dy mjekë janë në Kirurgji kujdestarë, dy në Gjinekologji, një në Interno e një në Pediatri. Të gjitha shërbimet ofrohen si çdoherë. Në çdo festë stafi i mesëm dhe ai i lartë japin kujdestari me staf normal dhe të plotë. Stafi është i mjaftueshëm dhe po të ketë nevojë ne i kemi edhe ekipet dhe i dalim në ndihmë. Kujdestaritë janë me rregullore të brendshme dhe në bazë të Ligjit të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, numri i rasteve që kërkojnë trajtim në këtë spital është i njëjtë si në vikend, si në festa të tjera dhe siç ka thënë ai, nuk ka pasur ankesa nga pacientët për vonesë të shërbimeve mjekësore. Përveç festave këtë vit një pjesë e stafit mjekësor nuk janë gjetur në vendet e tyre as gjatë orarit të punës, për këtë ka pasur edhe disa suspendime dhe ndëshkime të stafit mjekësor.