Shpenzimet janë sa të hyrat, rrezikohet stabiliteti buxhetor

Ekonomia July 27, 2018 - 08:41
Detajet

Të hyrat buxhetore në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë arritur 870 milionë euro, përderisa shpenzimet 855 milionë euro, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Vetëm 15 milionë euro janë realizuar më shumë të hyra sesa shpenzimet buxhetore për gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke e vënë në pikëpyetje kështu stabilitetin financiar të shtetit.

Të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar-qershor 2018 ka qenë 870 milionë euro, përderisa shpenzimet gjatë kësaj periudhe kanë qenë hiç më pak se 855 milionë euro.

Por Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se përafrimi i të hyrave dhe i shpenzimeve është në përputhje me dinamikat që parasheh buxheti shtetëror. Sipas tij, me këto rezultate nuk ka ndonjë veprim me të cilën destabilizohet rrjedha e të hyrave dhe e shpenzimeve buxhetore. “Nuk ka ndonjë veprim që destabilizon rrjedhën e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore. Nuk e rrezikon stabilitetin buxhetor. Më së miri është nëse përputhen të hyrat dhe shpenzimet me buxhetin e aprovuar. Kështu në fund të ligjit del se janë shpenzuar aq sa janë paraparë me buxhet për vitin 2018, ajo është më e mira”, ka deklaruar Shatri për “Zërin”.

LEXO EDHE: Tri sulme dhe një kanosje ndaj mjekëve këtë vit

Sipas Shatrit, realizimi i shpenzimeve në bazë të planifikimeve me buxhetin e aprovuar nuk ndodh qind për qind, për shkak të ngjarjeve të paplanifikuara.

“Zakonisht nuk ndodh 100 për qind se ndryshon rrjedha e përditshme prej asaj që kemi menduar kur kemi aprovuar buxhetin, ndërsa rezervat janë vetëm për raste të jashtëzakonshme siç janë tash dëmet e breshrit që kanë mbërritur në 7 milionë. Ato nuk janë paraparë në buxhet, por Qeveria ka rezervat në buxhet që i mbulon. Janë realizuar të hyrat më shumë sesa ka qenë e paraparë”, ka theksuar në mes tjerash ai.

Gazeta “Zëri” ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit dhe nga Ministria e Financave raportin 6-mujor të buxhetit, mirëpo këto institucione kanë thënë se raporti ende nuk është për publikim.

Musa: Kujdes me rezervat buxhetore!

Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike Lekë Musa, duke komentuar shifrat e shpenzimeve të Qeverisë, ka përmendur edhe ndëshkimet që Qeveria është dashur t’i paguajë si pasojë e mosplanifikimit të mirë buxhetor.

Musa ka thënë për gazetën “Zëri” se të gjitha këto probleme kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të mirë buxhetor dhe të stabilitetit makroekonomik fiskal.

“Ideja për të mbërritur në bilanc përafërsisht të barabartë është në rregull. Çështja qëndron te rezervat, si dhe te planifikimi buxhetor deri në fund të vitit. Duhet shikuar, a ka pjesë tjera të pagesës që duhet kryer për investime kapitale, si dhe për ndëshkime. Të gjitha këto janë probleme të mosplanifikimit të mirë buxhetor dhe të stabilitetit makroekonomik e fiskal”, ka deklaruar eksperti i ekonomisë.

Ai ka propozuar shqyrtimin e kornizës afatmesme në plotësimin e nevojave zhvillimore të vendit. “Në njërën anë, duhet të shqyrtohet çështja e kornizës afatmesme, e cila duhet t’i plotësojë nevojat zhvillimore të vendit dhe kjo të jetë në harmoni me mundësitë fiskale”, ka përfunduar në mes tjerash.

Problemet e Qeverisë - në planifikim buxhetor

Aspektin e planifikimit jo të mirë me buxhetin e shtetit nga Qeveria e ka komentuar edhe menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) Diana Metushi-Krasniqi.

Në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ajo ka përmendur edhe shpenzimet nga fondi i rezervave shtetërore, në të cilat thotë se ka probleme nga më baziket. “Kur marrim për bazë shpenzimet nga fondi rezervë, të cilat vetëm në tremujorin e parë janë shpenzuar afër 60% të shumës së rezervave për t’i mbuluar aktivitetet, të cilat mbi 50% janë shpenzime për shënime të përvjetorëve ose përmbushje të kërkesave ligjore të aprovuara para përfundimit të qarkores së dytë buxhetore të vitit 2017 shohim se ne kemi probleme me planifikime nga më baziket, për të cilat kemi njohuri shumë më herët se do të ndodhin e që vë në pikëpyetje përqindjet e realizimit të buxhetit”, është shprehur Metushi-Krasniqi.

Ndërsa duke analizuar raportin e qeverisjes së kaluar ajo e ka quajtur mashtrim vizual qasjen e raportit për mbishpenzime në mallra dhe në shërbime. “Nëse marrim për bazë raportin tremujor financiar për periudhën 1 janar – 31 mars 2018, edhe pse realizimi i buxhetit ka qenë rreth 20%, raporti pasqyron mbishpenzime për mallra dhe shërbime, subvencione dhe skema sociale, mirëpo vetëm 12% realizim të investimeve kapitale, e që në total e kanë përafruar vlerën dhe që është një mashtrim vizual i një planifikimi të mirë të buxhetit”, ka sqaruar ajo.

Në mbledhjen e fundit Qeveria ka votuar pro shqyrtimit të raportit gjashtëmujor financiar. Në këtë raport të hyrat e përgjithshme të Qeverisë arrinin shifrën e 870 milionë eurove ose për 6 për qind më shumë rritje duke krahasuar me gjashtëmujorin e vitit paraprak. Ndërsa edhe shpenzimet në shumën e 855 milionë eurove kanë shënuar rritje për 10 për qind më shume sesa periudha e njëjtë e vitit paraprak, rritje kjo për të cilën u tha se është shkaktuar nga ekzekutimi i lartë i investimeve kapitale. Kurse bilanci i pagesave në fund të kësaj periudhe u vlerësua si pozitiv. /ZERI