Tri sulme dhe një kanosje ndaj mjekëve këtë vit

Aktuale July 27, 2018 - 08:33
Detajet

Tre mjekë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë sulmuar nga pacientët dhe një tjetër është kanosur vetëm nga janari i këtij viti e deri më tani, bëjnë të ditur për “Zërin” zyrtarë të Policisë së Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se të gjitha këto raste janë proceduar në Prokurorinë e Shtetit. “Për t’i parandaluar rastet e tilla dhe për të ngritur nivelin e sigurisë kemi angazhuar nga dy policë, të cilët mbulojnë Qendrën Emergjente 24 orë me punë sekondare, si dhe patrullat e rregullta për mbulim të terrenit bëhen përgjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Rasti i fundit i sulmit ndaj stafit mjekësor është raportuar në Policinë e Kosovës gjatë kësaj jave.

LEXO EDHE: Marrëveshja milionëshe përplas pushtetin dhe opozitën

Lulzim Thaçi, infermier në Klinikën Emergjente në Prishtinë, të hënën që lamë pas është sulmuar fizikisht nga 49-vjeçari F. Rakovica, pasi ai i kishte kërkuar pacientit të merrte një udhëzim në hyrje të Klinikës, ndërsa ky nuk i ishte bindur infermierit kështu që ai e ka sulmuar atë fizikisht.

F. Rakovica kishte kërkuar trajtim mjekësor në këtë klinikë, pasi ishte thumbuar nga bleta, shkruan tutje gazeta "Zëri"

LEXO EDHE: Homazhe për Adem Demaçin

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se infermieri ishte sulmuar gjatë turnit të natës. “Të hënën rreth orës 03:05 minuta, në turnin e natës në vendin e punës sulmohet fizikisht infermieri i Klinikës Emergjente nga pacienti. Shumica e personave të cilët vijnë në klinikë janë pa udhëzime, pra të padrejtuar nga mjeku familjar. Në rastin në fjalë, infermieri i ka thënë të sëmurit meqenëse nuk ka udhëzim të shkojë në hyrje të Emergjencës dhe ta marrë udhëzimin. Ai nuk ka pranuar dhe aty ka filluar sulmi fizik”, ka thënë ai.

Lenjani ka treguar se stafi mjekësor qe 18 vjet ballafaqohet me ofendime dhe me të shara nga pacientë të papërgjegjshëm. Sipas tij, edhe nëse pala është e pakënaqur ata mund të drejtohen në organet drejtuese të klinikave dhe jo të ushtrojnë dhunë fizike, e cila krijon një pasiguri dhe paqëndrueshmëri në punë. “Ne kemi reflektuar disa herë në pjesën e medieve. Dhuna ndaj mjekut është dhuna ndaj një kujdesi mjekësor, i cili ofrohet për qytetarët. Janë mjekët të cilët janë në detyrë dhe të sulmohen fizikisht në vendin e punës  unë mendoj se është një akt barbar. Ne shprehim indinjatën e thellë dhe e konsiderojmë si një fenomen shqetësues. Dhuna ndaj mjekëve është e papranueshme pasi cilido që ofendon mjekun ose e sulmon fizikisht e sulmon atë që më parë ka shpëtuar dhjetëra-mija jetë”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se mossiguria në vendet e punës do ta detyrojë stafin mjekësor të largohet nga vendi.

Përkrahja e dhunës

 “Mirë ia paska bërë”, “Është dashur më shumë ta rrahë se këta e meritojnë” janë vetëm disa nga komentet që qytetarët i kanë bërë në lajmet e publikuara në “Facebook” nga portali “Zëri.info” dhe nga mediet tjera në lidhje me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj infermierit. Shumë nga komentuesit kanë qenë pro dhunës që është ushtruar tek infermieri, derisa po ashtu kanë thënë se edhe vetë do të vepronin njësoj ndaj stafit mjekësor.

Ndërsa në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj infermierit Lulzim Thaçi Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar të dyshuarin F. Rukovci.
Kështu ka bërë të ditur Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës. Sipas tij, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

“Më 23.07.2018 është raportuar për një sulm ndaj një mjeku në QKUK. Njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar. I dyshuari  F. Rukovci 49 vjeç është shoqëruar në SP-Jugu dhe pas intervistimit me rekomandimin e prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë. Deri te sulmi dyshohet të ketë ardhur si rezultat i një mosmarrëveshje në mes të mjekut dhe të dyshuarit lidhur me tretmanin mjekësor. Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që e karakterizojnë atë”, ka thënë ai.

85 raste të sulmit ndaj personave zyrtarë vetëm në këtë vit

Zyrtarë për informim në Policinë e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se që nga janari i këtij viti e deri më tani janë raportuar 85 raste të sulmeve ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, këtu përfshihen edhe punëtorët shëndetësorë. “Në vitin 2017 kanë qenë 234 raste të raportuara të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti janë raportuar 108 raste. Në vitin 2017 janë raportuar 159 raste të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti 85 raste”, kanë thënë ata.

Zyrtarë për informim në PK kanë thënë se veprimet që i ndërmarrin janë konform ligjeve të vendit. “Të gjitha veprimet policore ndërmerren konform ligjeve të aplikueshme në vend sipas konsultimeve relevante edhe me prokuroritë kompetente, si dhe gjithnjë duke u bazuar në procedurat standarde të operimit për veprime policore në mënyrë sa më profesionale”, kanë thënë ata. 

Syla: Nëse s’ka siguri do t’i zhveshim mantelet dhe do të shkojmë në shtëpi

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovës (FSSHK), Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se nëse nuk mbrohen mantelbardhët, atëherë ata do ta lënë punën. “Ne do t’i zhveshim mantelet e bardhë dhe do të shkojmë në shtëpi nëse nuk bëhet një ligj i veçantë që na mbron, siç e mbron policin, pjesëtarin e FSK-së, etj. Kam kërkuar edhe takim me të gjitha instancat duke përfshirë këtu edhe ministrin e Drejtësisë”, ka thënë ai.

Syla i ka quajtur banditë dhe rrugaçë ata persona të cilët nxisin dhunë ndaj punëtorëve shëndetësorë. “Kush po i kryen 8 milionë shërbime, kush po ofron ndihmë kur po aksidentohen, po vrahen e po vetëvriten? Turpi nuk paska kufij. Banditët dhe rrugaçët  sjellin dhunë psikofizike ndaj punëtorit shëndetësor”, ka theksuar ai.

FSSHK-ja menjëherë pasi është sulmuar fizikisht infermieri në Klinikën Emergjente në Prishtinë kishte reaguar duke shfaqur shqetësimin e tyre për këtë fenomen. “Ky fenomen shqetësues, dhuna ndaj mjekëve ka pasoja të shumta jo vetëm për mjekët, por edhe për vetë të sëmurët, për cilësinë e shërbimit, për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, për marrëdhëniet mjek–pacient dhe për mbarë shoqërinë. Vazhdimësia e këtij fenomeni në këto ritme dëshmon se nevojitet një vlerësim më serioz dhe një angazhim më i madh. Cilido që ofendon ose godet mjekun–infermierin duhet të jetë i qartë se ka përpara personin që ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish”, thuhej në reagimin e tyre.

Statistikat e sulmeve ndaj mjekëve

Sipas një ankete të realizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, 381 mjekë të cilët janë anëtarë të Odës kanë qenë viktima të sulmeve fizike dhe verbale nga pacientët dhe nga familjarët e tyre. Sipas kësaj ankete të realizuar gjatë vitit 2018, 81% prej 381 mjekëve të anketuar janë shprehur se janë sulmuar verbalisht, 1,4% janë sulmuar fizikisht, ndërsa pjesa tjetër (17,6%) ka përjetuar të dyja llojet e sulmeve, atë fizik dhe verbal. Anketa me këto të dhëna është prezantuar nga kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në qershor të këtij viti. /ZERI