Marrëveshja milionëshe përplas pushtetin dhe opozitën

Aktuale July 27, 2018 - 08:05
Deputetët e Kuvendit të Kosovës ‘përplasen’ për marrëveshjen milionëshe

Mosratifikimi i Marrëveshjes IPA 2017, prej së cilës Kosova do të përfitonte miliona euro ka përplasur pushtetin dhe opozitën. Në sallë ishin 84 deputetë, megjithatë kjo marrëveshje mori vetëm rreth 60 vota pasi opozita nuk e votoi në shenjë proteste ndaj qeverisë “Haradinaj”, e cila sipas opozitarëve duhet të bjerë. Pas këtij votimi është zhvilluar debat i ashpër ndërmjet krerëve të koalicionit qeverisës dhe opozitarëve, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, prej së cilës Kosova përfiton miliona euro, për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë të mos i votojnë projektligjet që paraqiten në Kuvend pasi kërkojnë rënien e qeverisë “Haradinaj”. Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje ka përplasur kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe kryeministrin Ramush Haradinajn me përfaqësuesit e opozitës, madje pati konfrontime edhe në mes të vet opozitarëve.

LEXO EDHE: Amerika s’deklarohet për opsionin e ndarjes

Duke iu kundërpërgjigjur kryeparlamentarit Veseli, i cili përmendi milionat që humben me mosratifikimin e IPA-s, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku tha se po i përmend milionat e humbur nga koalicioni siç janë 53 milionë euro për “Bechtel Enken”, 11 milionë euro të dhëna për serbët në veri, “36 milionë euro për t’i mbuluar humbjet e militantëve partiakë në PTK dhe 80 milionë euro për lista fiktive të veteranëve të luftës”.

“Interesi i Kosovës është ndërprerja e punës së këtij koalicioni që bën kaq shumë dëme, jeni të padijshëm, jeni të rrezikshëm, rrjedhimisht të dëmshëm. Hierarkinë e dëmeve të Kosovës, lart jeni ju, ligjet janë krejt poshtë. Unë i ftoj edhe një herë partnerët e tjerë të opozitës që të vazhdojnë bojkotimin e institucioneve të Kosovës në mënyrë që të kursejmë dëmin që po i bëhet Kosovës”, tha ai, shkruan tutje gazeta "Zëri". 

Kurse kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i tha Abdixhikut që të ketë kujdes me kualifikimet që ua bënë deputetëve. “Kualifikimet duhet të kenë shumë moral, burrni, dijeni dhe traditë se ajo që e fole ti më herët as të jetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, jo ne të vegjlit këndej të padijshëm, të rrezikshëm, mos me kualifikime se të gjithë kanë dinjitet. Kujdes t’u kisha lutur, ndaj respekt se secila prej nesh familja ka bërë për të bërë një gjysmë shkolle, pastaj ti nuk je ligjërues, as nuk je profeti Muhamet. Të padijshëm, të rrezikshëm janë çështje të rënda, unë nuk ta ndërpreva fjalën, por tjetër herë ta ndërpres dhe kam të drejtë”, tha ai.

Opozita ka 57 vota për rrëzimin e Qeverisë

Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ia dorëzoi Abdixhikut nënshkrimet e deputetëve të PSD-së për rrëzimin e Qeverisë, duke i thënë se LDK-ja nuk po bën asgjë për rrëzimin e saj. “Këto 12 nënshkrime të PSD-së i ke Lumir Abdixhiku, t’i dorëzoj. Juve të LDK-së e keni fare lehtë si partia më e madhe opozitare t’i ftoni të gjitha subjektet opozitare të ulemi dhe ta bëjmë një strategji e ta rrëzojmë këtë Qeveri”, u shpreh Sejdiu.

Sërish e mori fjalën Abdixhiku duke thënë se më shumë po kritikojnë LDK-së sesa Qeverinë. “Më vjen mirë që e keni kryer dhe i keni edhe nënshkrimet e LDK-së. Po besoj edhe të Vetëvendosjes dhe prej sodit zyrtarisht i kemi 57 nënshkrime. Na duhen edhe 4 nënshkrime për ta nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë”, tha ai duke ftuar që të vazhdojnë bojkotimin e institucioneve.

Kryeministri Ramush Haradinaj i siguroi deputetët se Qeveria nuk po punon për një subjekt politik, por për gjithë qytetarët. “Shumë mirë që nuk po mundet pozita t’i miratojë ligjet pa dakordim me opozitën sepse atëherë përmbajtja e ligjeve nuk qenka arrogancë e pozitës, por rezultat i kontributeve të ndërsjella. Shifrat që janë humbur sot, lërini jashtë luftës opozitare, janë ndjeshmëria e marrëdhënieve me BE-në”, është shprehur Haradinaj.

Katër kërkesat e PSD-së për dialogun përkrahen nga pjesa tjetër e opozitës

Deputeti Visar Ymeri, nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka paraqitur rezolutën katërpikëshe të propozuar nga kjo parti në Kuvend në lidhje me procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë. “1. Partitë politike pjesë e Kuvendit të Kosovës të dakordohen se përgjegjësia finale e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë i takon Kuvendit. 2. Me votë të kualifikuar, dy të tretat, Kuvendi e miraton platformën që do të shërbejë si dokument bazë për dialogim. 3. Me votë të kualifikuar, dy të tretat, Kuvendi mandaton bartësin ose bartësit e dialogut, të cilët do të mbahen përgjegjës nga Kuvendi dhe do të ndërmarrin vendime në dakordim me të. Kuvendi gjithashtu ka të drejtë t’i shkarkojë ata. 4. Kuvendi themelon një komision, i cili monitoron për së afërmi procesin. Ky komision të drejtohet nga opozita”, ka thënë Ymeri.

Lidhur me kërkesën e PSD-së ka folur shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka thënë që nuk duhet t’i frikësohemi dialogut me Serbinë. “Besojmë se konsensusi për dialogun me Serbinë është më shumë se i dëshirueshëm. E kemi obligim ndaj qytetarëve. Mbyllja e një kapitulli të një mosmarrëveshjeje me një shtet fqinj duhet të ndodhë. Është qëndrim i qartë i PDK-së, duhet të ulemi të punojmë bashkë që të kemi një platformë e ekip të përbashkët. Nuk duhet askush të frikësohet nga dialogu”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se për këtë proces Kuvendi duhet ta ketë fjalën e fundit sepse institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet.

“Institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet për të udhëhequr dialogun. Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për dialogun dhe kush del jashtë saj shkel vullnetin e të zgjedhurve të popullit”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje u pajtua me katërpikëshin e PSD-së, duke shtuar edhe ajo gjashtë pika për këtë proces, ku ndër të tjera kërkohet që të bëhet një agjendë e re në të cilën dialogu nuk do të udhëhiqej nga Thaçi, sepse sipas shefit të këtij Grupi Parlamentar Glauk Konjufcës, Thaçi nuk është kredibil. “Kërkojmë të ndalet ky format i dialogut, të mos diskutohen çështjet e brendshme, të ketë reciprocitet të plotë të të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe anasjelltas, reciprocitet politik dhe ekonomik ndaj Serbisë, të paditet Serbia për krimet në Kosovë dhe Hashim Thaçi të mos jetë udhëheqës i dialogut sepse nuk është njeri kredibil”, ka thënë Konjufca. /ZERI