Gjyqtarët e ''luksit''

Ekonomia June 19, 2018 - 08:18
Mësoni më shumë shumë detaje

Gjyqtarët kosovarë bëjnë jetë luksoze. Përveç pagave të majme kanë nën pronësi shtëpi e vetura të cilat vlejnë dhjetëra mija euro. Disa prej tyre janë zhytur edhe në borxhe për shkollim të bashkëshortëve e të tjerë kanë dëshmuar që janë meraklinj të tokave bujqësore, pasi në formularët e pasurisë kanë deklaruar toka në vlerë të 100 mijë eurove, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ankoheshin vazhdimisht për paga të vogla dhe thirreshin si të varfër, por deklarimi i pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion ka nxjerrë në pah pasurinë e tyre gati milionëshe.

Vetëm shtëpitë ku ata jetojnë kalojnë vlerat qindra mija euro dhe veturat të cilat i vozisin kushtojnë deri në 24 mijë euro.

Shumë prej tyre nuk kanë arritur t’i kryejnë as detyrimet financiare ndaj bankave për shkollim të bashkëshortëve.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka deklaruar pasuri prej gjysmë milioni eurosh, shkruan më tutje "Zëri".

Mbi 500 mijë euro është vlera e pasurisë që Shala ka deklaruar në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

LEXO EDHE: Arifi: BE-ja përkrah Asociacionin sipas Kushtetutës së Kosovës

Në këtë shumë përfshihet një shtëpi 150 mijë euro, lokal afarist 250 mijë euro, tokë bujqësore 120 mijë euro, shtëpi-lokal 51 mijë euro dhe veturën e tipit “Nissan Terano” me vlerë ta padeklaruar.

Shala nuk qëndron keq as me të hyrat vjetore, një pjesë të konsiderueshme, të cilën e siguron nga mëditjet që burim financimi kanë Gjykatën e Apelit, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Institutin Gjyqësor të Kosovës (IGJK), Zyrën e Presidentit (ZKP), Odën e Përmbaruesve Privatë (SHRAP), (UNCHR), nga të cilat i siguron jo më pak se 5 mijë e 540 euro në vit.

Ndërsa merr dy paga një nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), 17 mijë e 532 euro, si dhe tjetrën nga PZAP-i, 5 mijë e 583 euro.

Gjyqtari me veturë të 24 mijë eurove

Gjyqtari Arben Hoti nuk vozit veturë të çfarëdoshme për t’i kryer punët e tij. Vetura, të cilën Hoti e ka deklaruar, kap vlerën e 24 mijë eurove, ndërsa pasuria totale e tij shkon deri në 553 mijë euro.

Në shumën e pasurisë së tij gjysmëmilionëshe përfshihet një shtëpi e përbashkët familjare 330 mijë euro, shtëpia në bashkëpronësi me gruan 158 mijë e 500 euro, banesa 65 mijë euro nga shitja e tokës, si dhe vetura e tij që kushton jo më pak se 24 mijë euro në total.

Për nga pasuria nuk qëndron keq as ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, tani gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda.

Ibrahimi posedon në total pasuri të 211 mijë eurove, banesa 36 mijë euro, trualli 40 mijë euro, shtëpi banimi e papërfunduar 25 mijë euro, garazh po ashtu e papërfunduar 2 mijë euro, një banesë 31 mijë e 500 euro, një tjetër e fëmijëve 77 mijë euro.

Vetura që vozit Ibrahimi është e tipit “BMW”, e cila vlen 4 mijë euro, të cilën thotë se e ka siguruar nga shitja e veturës së vjetër dhe nga ndihma e pjesëmarrjes së djalit.

Paga vjetore e ish-kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë arrin në 16 mijë euro, ndërsa 163 mijë euro është shuma totale e detyrimeve financiare ndaj bankave.

Kryetarja e Kushtetueses në kredi për shkollim të bashkëshortit

Pagave të gjyqtarëve po ua shohin hairin edhe partnerët me të cilët jetojnë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Ramaj-Hajrizaj, ka hyrë në kredi 5 mijë euro për ta shkolluar bashkëshortin e saj.

Të paktën kështu ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion. Ndryshe, ajo posedon pasuri në vlerë të 210 mijë eurove.

Banesa të cilën e ka deklaruar kryetarja e Kushtetueses vlen 90 mijë euro, shtëpia 70 mijë euro, toka 50 mijë euro, vetura “Audi A6” pronë e bashkëshortit 14 mijë euro, si dhe një biznes “Start Nation LL.C”, në të cilin bashkëshorti i saj thuhet të jetë aksionar 100 për qind. Paga vjetore e Arta Ramaj-Hajrizajt kap shumën e 37 mijë e 307 eurove, ndërsa mëditjet 2 mijë e 318 euro.

Kryetari i Supremes i blen djalit banesë 45 mijë euro

Ndryshe nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Supremes Enver Peci ka hyrë në borxh 45 mijë euro ndaj bankave për blerje të banesës për djalë.

Peci në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) ka të deklaruar një shtëpi-ndërtesë 20 mijë euro, banesë në shfrytëzim me qira vlerën e së cilës e ka regjistruar 0, veturë të blerë nga kursimet familjare 6 mijë e 700 euro. Paga e tij vjetore arrin në 18 mijë e 629 euro, ndërsa mëditjet 436 euro.

Gjyqtari Beqir Kalludra ka trashëguar 19.735 metra katrorë tokë të 100 mijë eurove të cilën e ka deklaruar si pronë të përbashkët.

Vetura e Kalludrës vlen 6 mijë euro, llojin e të cilit nuk e ka specifikuar. Ndërsa paga vjetore e tij kap shumën e 15 mijë e 268 eurove.

Kreu i KGJK-së i blen tokë 11 mijë euro bashkëshortes

Hiç më pak se rreth 300 mijë euro pasuri të paluajtshme ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) Nehat Idrizi.

Në këtë shumë hyjnë një banesë në vlerë 120 mijë euro, e cila sipas deklaruesit është e përbashkët dhe e blerë në vitin 2001, një shtëpi e trashëguar në vlerë prej 30 mijë eurove, e cila i takon kreut të KGJK-së.

45 hektarë tokë në vlerë 26 mijë euro, e cila sipas deklaruesit është e përbashkët, 6 hektarë tokë e blerë në vlerë 6 mijë euro e përbashkët, 60 hektarë mal të trashëguar në vlerë 7 mijë euro që i takon deklaruesit.

Në pasurinë e paluajtshme Idrizi ka edhe 5 hektarë truall të blerë në vitin 2011 në vlerë të 40 mijë eurove, një banesë të papërfunduar 87 m², e cila u takon fëmijëve të tij dhe ka vlerë deri në 48 mijë euro, si dhe tokë dhuratë e bashkëshortes në vlerë mbi 11 mijë euro.

Në pasurinë e luajtshme Idrizi ka deklaruar veturën e tij të blerë në vitin 2016 në vlerë 9 mijë euro.

Kreu i KGJK-së nuk qëndron keq as me para të gatshme që ka kursyer në banka. Idrizi ka mbi 17 mijë euro të kursyera, 10 mijë të tij dhe 7 mijë të fëmijëve të tij.

I pari i Këshillit Gjyqësor nuk i ka punët mirë me detyrimet financiare.

Mbi 35 mijë euro kredi ka deklaruar se i ka në emër të bashkëshortes së tij. Idrizi ka të hyra vjetore deri në 24 mijë euro dhe mëditje deri në 1000 euro.

Prokurori me armë

Zef Prenrecaj, drejtor në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, posedon armë të 1 mijë eurove.

Veç pasurisë së luajtshme e të paluajtshme në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion Prenrecaj ka deklaruar edhe armën, llojin e të cilit nuk e ka specifikuar. Banesa të cilën e ka deklaruar kap shifrën e 81 mijë e 987 eurove.

Ndërsa vetura që ai vozit është e tipit “BMW”, e cila vlen 8 mijë euro.

Drejtori në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD) është zhytur edhe në borxhe për pasurinë që zotëron. 70 mijë euro është shuma e detyrimeve financiare të tij ndaj bankave për blerjen e dy banesave.

Ndërsa përveç tyre ai ka deklaruar se është në kredi 30 mijë euro për renovim dhe 2 mijë euro për një kredit kartel-visa.

Veç pasurisë së deklaruar Prenrecaj nuk qëndron keq as me të ardhurat e tij vjetore.

Të hyrat e tij në vit kapin shumën e 12 mijë e 816 eurove. Pavarësisht kësaj, edhe familjarët e tij që jetojnë në vendet perëndimore i sigurojnë shumë të majme në pasurinë e tij.

Ai ka deklaruar 8 mijë e 100 euro të ardhura nga familjarët që i jetojnë jashtë vendit. Por Prenrecaj nuk i siguron këto të ardhura vetëm nga familjarët.

Në krijimin e pasurisë i ndihmojnë edhe familjarët e bashkëshortes, që ia sigurojnë 2 mijë euro në vit në formë huaje.