Arifi: BE-ja përkrah Asociacionin sipas Kushtetutës së Kosovës

Aktuale June 19, 2018 - 08:04
Mësoni më shumë shumë detaje

Delegacioni kosovar, i kryesuar nga koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, gjatë ditës së djeshme ka prezantuar të arriturat në procesin e dialogut me Serbinë para përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Arifi ka treguar për gazetën Zëri se gjatë këtij takimi Kosova ka ngritur çështjen e moszbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë.

LEXO EDHE: Raporti për vizat, javën tjetër

Ai po ashtu njoftoi se janë dakorduar me zyrtarët e BE-së që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të formohet konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës pa kompetenca shtesë.

Në anën tjetër, aspak e kënaqur me procesin e dialogut dhe me përgatitjen e palës kosovare në këtë proces është opozita, shkruan më tutje "Zëri".

Opozitarët për gazetën deklaruan se pala kosovare nuk ka se çfarë të prezantojë para shteteve të BE-së pasi nuk është arritur asgjë nga ky proces.

E njohësit e çështjeve politike theksuan se moszbatimi i marrëveshjeve të arritura po e vë në pikëpyetje rezultatin e dialogut.

Arifi: Ngritëm çështjen e moszbatimit të marrëveshjeve

Shefi i negociatave me Serbinë Avni Arifi ka njoftuar për gazetën “Zëri” se të hënën në Bruksel kanë prezantuar rezultatet e punës së tyre në procesin e dialogut.

Ai ka thënë se BE-ja hapur u nda e kënaqur me performancën e Kosovës në këtë proces.

“Sot përpara BE-së dhe 28 anëtarëve të saj Kosova ngriti çështjen e moszbatimit të Marrëveshjes së Energjisë, të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, të moshapjes së urës së Mitrovicës, të mosnjohjes së diplomave nga ana e Republikës së Serbisë dhe të pengesave serioze në lirinë e lëvizjes”, ka thënë ai.

Tutje Arifi tha se është përkrahur nga BE-ja që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë kompetenca shtesë dhe se do të jetë brenda ligjeve të Kosovës.

“Sot delegacioni i Kosovës, i përkrahur edhe nga BE-ja, bëri edhe një herë të qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në asnjë mënyrë nivel i tretë i pushtetit, por do të jetë Asociacion brendapërbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha ai.

Kurteshi: Pala kosovare s’ka çfarë i prezanton Brukselit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi tha se pala kosovare edhe pas kaq vitesh të negociatave vazhdon të jetë e papërgatitur për këtë proces.

“Palën kosovare e karakterizon mospërgatitja për pjesëmarrje në negociata që nga viti 2006 dhe po vazhdon edhe tani edhe me këtë lloj platforme që po e plasojnë. Që në fillim paralajmërojnë se janë negociata të rënda dhe kjo do të thotë se pala kosovare do të vazhdojë që të lëshojë pe edhe në të ardhmen”, tha ai.  

Ai tha se Kosova ka humbur edhe synimin fillestar që ishte njohja reciproke duke e zëvendësuar me synimin për ulëse në Kombet e Bashkuara.

“Tani po flasin për koncesione të reja, nuk po flasin më për njohje reciproke, por për një ulëse në Kombet e Bashkuara që është plotësisht në mospërputhje me orientimet fillestare të Kosovës dhe të atyre që kanë përfaqësuar”, tha Kurteshi.

Ai tutje ka thënë se pala kosovare nuk ka se çfarë i prezanton Brukselit sa i përket të arriturave nga dialogu.

“Mendoj që nuk kanë çfarë të thonë atje sepse ndryshe deklarojnë këtu, por atyre në Bruksel s’kanë çfarë t’u thonë pasi ata e dinë papërgatitjen e kosovarëve”, përfundoi ai.

Kusari-Lila: Pala kosovare t’i kërkojë zgjidhje BE-së

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se pala kosovare në këtë takim me shtetet anëtare të BE-së para se të prezantojë diçka duhet të kërkojë zgjidhje.

“Ne nuk kemi pasur proces normal të dialogimit prej vitit të kaluar, pasi nuk ka pasur takime që mund të tregojnë ndonjë rezultat. Krejt çfarë ka pasur janë përpjekjet e Qeverisë për platformën për të autorizuar presidentin që të udhëheqë dialogun. Prandaj ky takim më tepër sesa të prezantojnë diçka është që të kërkojnë një zgjidhje tjetër, e cila ishte dashur që të vijë si propozim nga Qeveria dhe jo që mund të tregojnë diçka atje”, ka thënë ajo.

Tutje ajo tha se Kosova nuk ka një vizion të qartë se si do të rrjedhë ky proces edhe në këtë fazë të fundit.

“Shihet që nuk ka një vizion të qartë se nga do të shkojë procesi i dialogut”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se vetëm njohja reciproke është skenari i cili kërkohet dhe është skenari i pranueshëm që mund të normalizojë rajonin, por që është në dorë të BE-së. 

Krasniqi: Moszbatimi i marrëveshjeve po vë në pikëpyetje rrugëtimin e dialogut

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se pjesa dërrmuese e proceseve që do të duhej përfunduar për këto tetë vjet sa kanë zgjatur negociatat me Serbinë nuk janë përfunduar si duhet.

Sipas saj, Kosova deri më tash është dashur të ketë perspektivë të qartë evropiane dhe njohje nga të gjitha shtetet e BE-së.

“Marrëveshjet e arritura duhet të ishin zbatuar dhe palët duhet të ishin afër marrëveshjes së njohjes reciproke, e cila pa diskutim që nuk duhet të prekë rendin kushtetues të funksionimit unitar të shtetit të Kosovës dhe integritetin e saj territorial. Ndërsa pesë shtetet anëtare të BE-së duhet të kishin njohur progresin e bërë në mes të palëve duke i ofruar njohjen shtetit të Kosovës dhe perspektivën e qartë evropiane”, ka thënë ajo.

Krasniqi tutje tha se Kosova nëpërmjet këtij procesi duhet të mbyllë çdo çështje të hapur që ka me Serbinë, duke përfshirë edhe njohjen.

Vetëm në këtë mënyrë siç ka thënë ajo mund të themi që dialogu Kosovë - Serbi ka arritur t’i përmbushë synimet e saj.

Ndërkohë moszbatimin e marrëveshjeve e sheh si një problematikë të veçantë që hedh poshtë gjithë rrugëtimin e këtij procesi.

“Moszbatimi i marrëveshjeve është një problematikë e këtij procesi që vë në pikëpyetje edhe vetë rezultatet e tij. BE-ja në këtë rast ka refuzuar të luajë rolin e interpretuesit të marrëveshjeve duke e limituar rolin e saj vetëm në ndërmjetësues. Mungesa e mekanizmave zbatues dhe mungesa e sanksioneve të qarta për palët që nuk i zbatojnë marrëveshjet e arritura nga ana e BE-së ka bërë që palët të mos i zbatojnë marrëveshjet për të cilat vetë janë dakorduar”, tha ajo.