Ministria e Yagcilar, 44 mijë euro për dreka e darka

Ekonomia May 23, 2018 - 08:03
Lexo detajet

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë vitit që lamë pas Ministria e Administratës Publike vetëm për dreka e darka zyrtare ka shpenzuar hiç më pak se 44.457 euro. Sipas Auditorit, në pagesën e testuar në shumën 1.064 €, përveç faturës në të cilën përshkruheshin numrat e kuponëve fiskalë, nuk kishte dokumentacion mbështetës të mjaftueshëm, i cili tregon qartë qëllimin e drekës zyrtare ose listën e pjesëmarrësve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Plot shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin që lamë pas për Ministrinë e Administratës Publike (MAP), e cila është drejtuar nga Mahir Yagcilar.

Në këtë ministri Auditori ka gjetur se një pagesë në shumën e 1 mijë e 64 euroshe për shtrimin e drekave zyrtare nuk ka pasur asnjë dokumentacion për ta treguar qëllimin për kë është shtruar.

LEXO EDHE: Hetohet drejtori i spitalit 'Isa Grezda' në Gjakovë dhe disa zyrtarë të tjerë

Por, kjo nuk është shkelja e vetme që Auditori ka evidentuar në Ministrinë që është drejtuar nga Mahir Yagcilarit.

Në MAP është nënshkruar një kontratë në shumën e 47 mijë e 988 euroshe në emër të shërbimeve të mirëmbajtjes higjienike në Pallatin e Drejtësisë, duke përdorur procedura të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë.

Duke u bazuar në raportin e Auditorit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se Ministria e Administratës Publike (MAP) shpenzon para nga buxheti i shtetit në shtrimin e drekave zyrtare, por nuk ofron dokumente përkatëse për qëllimin e tyre.

Ministria e udhëhequr nga Mahir Jagcilar, pavarësisht se i ka zvogëluar shpenzimet në dreka zyrtare gjatë vitit që lamë pas, nuk ka ofruar dëshmi për qëllimin e drekave të shtruara në vlerën e 1 mijë eurove, të cilat kanë mundur të mos jenë shpenzuar për aktivitete që zhvillohen brenda këtij institucioni. Të paktën kështu bëhet e ditur në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në këtë institucion.

“Shpenzimet për dreka zyrtare për vitin 2017 janë 44.457 €, ose 3% më pak se në vitin paraprak. Pavarësisht kësaj, në pagesën e testuar në shumën 1.064 €, përveç faturës në të cilën përshkruheshin numrat e kuponëve fiskalë, nuk kishte dokumentacion mbështetës të mjaftueshëm, i cili tregon qartë qëllimin e drekës zyrtare ose listën e pjesëmarrësve”, theksohet në raport.

Me këto shpenzime pa arsyetime të organizimit Auditori  paralajmëron se shtohet rreziku që Ministria të paguajë për aktivitete që nuk përkojnë me objektivat e Ministrisë dhe fondet publike të shpenzohen në mënyrë joracionale.

Mospublikimi i kontratës gati 50 mijë euroshe

Ndonëse me Ligj të Prokurimit Publik, të cilit i referohet Auditori, lidhja e kontratës me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë mund të bëhet vetëm në rastet kur për arsye teknike ekziston vetëm një operator i mundshëm ekonomik, ose për shkak të ekzistimit të të drejtave ekskluzive të autorit në rastet e urgjencës ekstreme, ZKA-ja ka gjetur se në MAP është nënshkruar një kontratë me procedurë të negociuar pa publikim njoftimi për kontratë.

“Gjatë testimit të pagesave identifikuam se më datën 10.10.2017 Ministria ka nënshkruar kontratë në shumën prej 47.988 € në emër të shërbimeve të mirëmbajtës higjienike në Pallatin e Drejtësisë, duke përdorur procedura të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë. Ky lloj i shërbimeve nuk parashihet në nenin e lartcekur të ligjit. Fillimisht për këtë shërbim AQP-ja kishte zhvilluar procedurat e tenderimit, mirëpo nuk kishte arritur të shpallë fituesin për shkak të ankesave nga OE-ku procesi ishte anuluar nga OSHP-ja. Si rrjedhojë, MAP-i ka zhvilluar këtë lloj procedure”, bëhet e ditur në raportin e ZKA-së. Por, as me mbylljen e avancave për udhëtime zyrtare në këtë institucion nuk qëndrojnë më mirë. Ndonëse Auditori bën të qartë se avancat për udhëtime zyrtare sipas kërkesave ligjore duhet të mbyllen brenda afatit prej 14 ditësh, në Ministrinë e Administratës Publike një shumë prej 673 eurosh nuk është mbyllur për më tepër se një vit të tërë dhe akoma vazhdon të jetë e hapur. “Avancat për udhëtime zyrtare sipas kërkesave ligjore duhet të mbyllen brenda afatit prej 14 ditësh. Ne konstatuam se shuma prej 673 € nuk ishte mbyllur për më tepër se një vit dhe ende vazhdon të jetë i hapur”, theksohet më tutje në raport.

MAP-i lidh kontrata pa i zotuar mjetet financiare në tërësi

Autoritetet kontraktuese duhet të zotojnë mjete para inicimit të procesit të prokurimit, që rezulton me ngritjen e obligimit aktual, thotë Auditori.

Pavarësisht këtij rregulli, Ministria e Administratës Publike (MAP) kishte kryer procedura të prokurimit për “Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në qendrën e paraburgimit në Prishtinë” ndonëse nuk ka zotuar fonde.

Kjo është njëra ndër gjetjet e tjera që Auditori ka evidentuar në këtë ministri.

“Sipas Nenit 36.1 të LMFPP-së, Nr. 03/L-048, autoritet kontraktuese duhet të zotojnë mjete para inicimit të procesit të prokurimit, që rezulton me ngritjen e obligimit aktual. MAP-i kishte kryer procedura të prokurimit për projektin ‘Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në qendrën e paraburgimit në Prishtinë’ edhe pse nuk kishte fonde në disponueshmëri. Sipas dokumentacionit të ofruar, vlera e parashikuar për këtë projekt ishte 300.000 €, derisa disponueshmeria e mjeteve për këtë projekt ishte vetëm 50.000 €. Më qëllim të realizimit të këtij projekti MAP-i ka kryer transferin e mjeteve prej 250.000 € nga projekti “Ndërtimi i UM”. Në tri raste zotimet ishin të pjesshme në raport me planifikim dhe një rast zotimi nuk ishte përkatës për kontratën e nënshkruar”, thuhet më tutje.