Hetohet drejtori i spitalit 'Isa Grezda' në Gjakovë dhe disa zyrtarë të tjerë

Kronika May 23, 2018 - 08:00
Lexo detajet

Kompania “EL- RI Graphic” me pronare Merlinda Shehu - Kaqi nuk i ishte përmbajtur kontratës në vlerë prej 10 mijë eurosh të nënshkruar me spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë në fund të vitit 2014 për furnizimin me uniforma të punëtorëve të këtij spitali. Kjo ka bërë që Prokuroria Themelore në Gjakovë të hapë hetime ndaj pronares së kësaj kompanie, drejtorit të spitalit Ahmet Asllani dhe disa zyrtarëve të tjerë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj drejtorit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë Ahmet Asllanit, si dhe pronares së kompanisë “EL- RI Graphic” Merlinda Shehu - Kaqi.

Rasti ka të bëjë me një tender në vlerë prej 10 mijë eurosh të  fituar nga kompania “EL-RI Graphic” në fund të vitit 2014 për furnizim me uniforma të stafit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

LEXO EDHE: Qeveria 'Haradinaj', e shpartalluar

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.

Kryeprokurori Selimaj ka thënë se përveç drejtorit të spitalit të Gjakovës dhe pronares së kësaj kompanie, nën hetim janë edhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Selimajt ka pohuar se javën e kaluar Njësiti i Krimeve Ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë për parregullsitë që kanë ndodhur gjatë këtij tenderi.

“Është ngritur një kallëzim penal kundër disa zyrtarëve të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, në krye me drejtorin e spitalit Ahmet Asllanin.

Ky kallëzim ka ardhur nga Njësiti i Krimeve Ekonomike në Gjakovë dhe është në pyetje një tender në vlerë prej 10 mijë eurosh”, ka thënë Selimaj.

Në këtë kallëzim penal, sipas kryeprokurorit, janë rreth 6 persona të dyshuar.

“Drejtori dhe zyrtarët e tjerë dyshohen për keqpërdorim, falsifikim të dokumenteve dhe disa vepra të tjera. Hetimet janë zhvilluar me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda dhe kanë pasuar kallëzimi penale.Tenderi kishte të bënte me furnizim të uniformave të punëtorëve  të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë”, u shpreh Selimaj.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar drejtorin ekzekutiv të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë Ahmet Asllanin, i cili tregon se çka nuk shkoi si duhet në këtë tender. Asllani i ka thënë gazetës “Zëri” se kompania “EL- RI Graphic” në Prishtinë me pronare Merlinda Shehu -Kaqi nuk i është përmbajtur kontratës për tenderin që kishte fituar.

“Sa i përket prokurimit ka qenë krejt në rregull, por kompania ‘EL- RI Graphic’ në Prishtinë, e cila kishte fituar tenderin për furnizimin e punëtorëve të spitalit me uniforma, nuk i ka sjellë komplet uniformat, por vetëm gjysmën e tyre. Kompania jo vetëm që nuk i ka sjellë komplet uniformat, por nuk i ka sjellë as numrat, të cilët i kemi porositur ne. Me një fjalë, na kanë sjellë uniforma sipas qejfit të vet”, u shpreh Asllani.

Ai thotë se vazhdimisht kanë kërkuar nga kompania që të kryejë obligimin e saj, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas Asllanit, shuma prej 10 mijë eurove sa ishte kontraktuar i ishte dhënë komplet kompanisë, por kjo e fundit kishte dërguar vetëm gjysmën e uniformave dhe si pasojë e kësaj rasti ka shkuar në Prokurori.

“Kompania i ka fajet, sa kam qenë unë ushtrues detyre i spitalit në momentin e fundit që të mos humbasin paratë i kemi ndarë për uniforma dhe nuk i kanë sjellë ato uniforma. I kanë sjellë vetëm 70% me rekomandim që është fundi i vitit e do t’i sjellin të tjerat pastaj, por s’i kanë sjellë”. Ne jemi detyruar që të mos humbin 10 mijë eurot e fundit i kemi qitur për uniforma të spitalit ‘Isa Grezda’ në Gjakovë”, thotë Asllani.

Ai madje nuk e sheh si problem kallëzimin penal ndaj tij, duke pohuar se është i pafajshëm dhe se e mirëpret hetimin e Prokurorisë rreth kësaj çështjeje.

“Njësia Hetimore e Policisë në Gjakovë na ka ftuar, është bërë kallëzimi penal në Prokurori dhe është bërë mirë që ka ndodhur kjo. Kallëzimi penal ndaj meje ndoshta është bërë, sepse unë është dashur ta lajmëroj më herët këtë rast, por kam pritur se mos po i sjellin dhe ka mbetur çështja deri tash. Unë nuk i kam marrë ato para, ajo kontratë është bërë në mënyrë ligjore dhe unë s’i kam njohur ata njerëz dhe nuk i njoh as sot”, është shprehur Asllani.

Në anën tjetër, gazeta ka provuar të bjerë në kontakt me pronaren e kompanisë “EL- RI Graphic” në Prishtinë, Merlinda Shehu – Kaqi, për të marrë një qëndrim të saj, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.