Tahiri kërkon themelimin e zonës ekonomike në Banjskë (DOKUMENT)

Ekonomia May 21, 2018 - 09:03
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ia ka dërguar edhe zyrtarisht kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt propozimin që zona ekonomike për bizneset amerikane të themelohet në Banjskë të Vushtrrisë, në një sipërfaqe prej 238 hektarësh. Kjo sipërfaqe e tokës i ishte dhënë në shfrytëzim Burgut të Smrekovnicës në vitin 1984 për kullota të bagëtive, por ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka vendosur që pronën t’ia kthejë Komunës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka zyrtarizuar idenë e tij që të ofrojë 238 hektarë tokë komunale në Banjskë të Vushtrrisë për themelimin e zonës ekonomike për investime të jashtme amerikane.

Këtë ide të tij Tahiri e pati bërë publike në ceremoninë e fillimit të punëve në segmentin rrugor “M2” të autoudhës Prishtinë - Mitrovicë, në Gojbulë.

Përveç vlerësimit që kryetari Tahiri bëri për rëndësinë ekonomike të ndërtimit të këtij segmenti rrugor që lidh Vushtrrinë me kryeqytetin dhe me Mitrovicën, ai po ashtu theksoi gatishmërinë e Komunës së Vushtrrisë për të ofruar 238 hektarë tokë në fshatin Banjskë, për ndërtimin e zonës ekonomike për investimet e jashtme amerikane.

LEXO EDHE: Qeveria pret miratimin e platformës për dialogun

“Pikërisht kjo rrugë lidh edhe zonën e gati 250 hektarëve që ka Komuna e Vushtrrisë në fshatin Banjskë, që mund të dedikoheshin për zonë ekonomike për investimet e jashtme amerikane. Kjo zonë tashmë mund të jetë shumë e përshtatshme dhe Komuna e Vushtrrisë mund t’i marrë vendimet e nevojshme që atë zonë ta japë për atë qëllim”, pati thënë kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, në prani edhe të presidentit të vendit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan më tutje "Zëri".  

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahir, i ka dërguar të premten kryeministrit të Kosovës, Ramaush Haradinajt një letër me të cilën e ka siguruar kryeministrin e vendit se Komuna e Vushtrrisë ka vendosur që 238 hektarë tokë në Banjskë t’i japë për zonën ekonomike për investime të jashtme amerikane.

“Komuna e Vushtrrisë në kuadër të prioriteteve të saj rëndësi të veçantë është duke i kushtuar themelimit të zonës së lirë ekonomike përmes së cilës krijohen mundësitë e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të komunës. Në këtë zonë mendojmë të iniciojmë tërheqjen e bizneseve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat do të sjellin kapitalin e tyre privat me çka do të krijohen mundësitë e zhvillimit më të madh ekonomik të komunës, por edhe të gjithë rajonit të veriut të Kosovës, që ka ngecur për shkaqe tashmë të njohura politike. Gjithashtu do të krijohen edhe vende të reja të punës me çka do të përmirësohej standardi dh mirëqenia e qytetarëve të këtij rajoni”, ka thënë Tahiri.

 Ai në letrën e tij dërguar kryeministrit Haradinaj me propozimin që zona ekonomike për investime të jashtme amerikane të vendoset në Banjskë të Vushtrrisë ka sqaruar se në Banjskë ekziston parcela në sipërfaqe prej 76.86.65 hektarësh, është e bonitetit të ulët dhe gjendet në një vend shumë të përshtatshëm për themelimin e zonës ekonomike.

“Krahas kësaj në zonën kadastrale Smrekovnicë është një parcelë prej 138.40 hektarësh, si dhe në zonën kadastrale në Pasomë një parcelë prej 23.27 hektarësh, gjithsej 238,54 hektarë. Kjo parcelë është në afërsi të rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, më saktësisht në pjesën në mes të komunës së Vushtrrisë dhe asaj të Mitrovicës. Gjithashtu ky lokacion është jolarg hekurudhës Mitrovicë – Vushtrri – Shkup e që ka qasje në Korridorin 6, hekurudhë e cila kalon nëpër qytetin e Vushtrrisë”, ka precizuar Tahiri.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka sqaruar kryeministrin Haradinaj se themelimi i kësaj zone ka rëndësi në dy aspekte: aspektin ekonomik (sepse synohet sjellja e bizneseve nga Amerika, të cilët kanë treg në Evropë dhe që ndihmon zhvillimin e rajonit verior të Kosovës, si një rajon me ngecje ekonomike) dhe aspektin politik (sepse themelimi i kësaj zone do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin politik, jo vetëm për pjesën e veriut të Mitrovicës, por edhe për gjithë pjesën veriore të Republikës së Kosovës).

Kjo sipërfaqe e tokës i ishte dhënë në shfrytëzim Burgut të Smrekovnicës në vitin 1984 për kullota të bagëtive, por ajo nuk ishte shfrytëzuar asnjëherë.

Me ardhjen në krye të Ministrisë së Drejtësisë së ministrit Abelard Tahiri kjo pronë i është kthyer sërish Komunës së Vushtrrisë.

 

Image

Image