Qeveria pret miratimin e platformës për dialogun

Aktuale May 21, 2018 - 08:46
Lexoni më shumë detaje

Qeveria e Kosovës është në pritje të miratimit të platformës për dialogun nga ana e Kuvendit.

Kështu kanë bërë të ditur për Zërin nga Zyra e Kryeministrit, të cilët thonë se nëse Kuvendi e hedh poshtë këtë platformë atëherë partitë dhe Qeveria duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Në anën tjetër, partitë politike kanë qëndrime të ndryshme rreth kësaj platforme.

LEXO EDHE: Prokuroria 'mbyll sytë' karshi raporteve të Auditorit

LDK-ja, Vetëvendosja, PSD-ja e Nisma Socialdemokrate janë pozicionuar kundër këtij dokumenti duke e quajtur të mangët dhe që kalon përgjegjësitë kushtetuese, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkohë ditë më parë po këtë dokument e ka shqyrtuar Komisioni për Punë të Jashtme, i cili me tri vota për dhe gjashtë kundër nuk e ka aprovuar.

Prandaj platforma do t’i shkojë seancës plenare me rekomandimin e këtij Komisioni që të mos miratohet me përmbajtjen aktuale.

Nëse Kuvendi e refuzon platformën duhet të gjendet një zgjidhje e përbashkët

Avni Arifi, nga zyra e kryeministrit Haradinaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se Qeveria tani po pret nga Kuvendi që të vendosë për platformën e dialogut, e cila tashmë i është dorëzuar Kuvendit.

“Se kur do të ketë debate e të trajtohet seriozisht kjo platformë unë s’mund të them ndonjë gjë. Tashmë i takon Kuvendit ta pranojë ose ta hedhë poshtë dhe nëse e hedh poshtë i takon partive parlamentare dhe Qeverisë, pra mekanizmave të shtetit që të ulen të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje, pasi po flasim për fazën e fundit për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë atëherë kjo kërkon që të jetë sa më gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar Arifi.

Ai më tej ka thënë se është çështje e partive politike se a do të ndryshohet diçka ose jo.  

“Tash se a do të ndërrojmë diçka në këtë modalitet në stacionin përfundimtar ose jo është çështje e të gjitha subjekteve politike. Qëllimi i platformës është që të ketë karakter sa më gjithëpërfshirës, por tash kjo u takon subjekteve politike”, ka thënë Arifi.

Kurse Time Kadrijaj, nga AAK-ja, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se me gjithë kundërshtimet që pati opozita gjatë shqyrtimit të platformës në Komisionin për Punë të Jashtme, në fund partitë opozitare do t’i japin propozimet e tyre për plotësimin e saj që në fund kjo platformë të kalojë.

“Është hera e parë që Qeveria ka ndërtuar një platformë, pavarësisht se atë ditë në Komision nuk ishin disa deputetë të koalicionit dhe me shumicë votash u votua, jo që ishin kundër dialogut por kishin arsyetime se është e paplotësuar. Megjithatë ky si dokument, të cilin Kryesia e procedon në seancë, mund të plotësohet edhe me një amendament që propozojnë partitë tjera parlamentare dhe në fund duhet të arrihet konsensusi”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë sa më shpejt dhe për këtë arsye platforma për dialogun do të vijë shpejt në njërën nga seancat e radhës.

Ndërkohë përfaqësuesi i PDK-së në Komisionin për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, në ditën kur u shqyrtua kjo platformë këmbënguli që presidenti Thaçi t’i përmbyllë bisedimet ashtu siç i ka filluar.

Por këtë e ka kundërshtuar deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, i cili ndonëse në pozitë tha se në këtë platformë ka një tejkalim të përgjegjësive kushtetuese, pasi Kosova është shtet parlamentar dhe Parlamenti si organi më i lartë duhet të jetë në ballë të zgjidhjes përfundimtare për këtë çështje.

Opozita është kundër platformës së Qeverisë për dialogun

Ndërsa Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka potencuar edhe një herë qëndrimin e LVV-së rreth kësaj platforme dhe në përgjithësi rreth dialogut me Serbinë.

Sipas tij, para se Kosova të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut duhet që të ndalet e t’i analizojë të arriturat e gjertanishme.

“E kemi bërë të njohur qëndrimin tonë për këtë çështje. Për të vazhduar dialogu së pari duhet të bëhet një analizë se cilat janë rezultatet e dialogut, çka ka fituar Kosova nga ai dialog, çka ka fituar Serbia, çka ka nevojë të dialogohet më tutje? Dialogu i gjertanishëm ka qenë plotësim i kërkesave të Serbisë dhe krijim i kushteve ligjore që Serbia të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Kurteshi tha se kjo formë e dialogut duhet të lihet anash njëherë e përgjithmonë dhe të punohet për një dialog ku Kosova i paraqet interesat e veta.

Ndërkohë kundër kësaj platforme është treguar edhe LDK-ja, e cila e ka cilësuar si të mangët.

Sipas tyre, ky dokument i Qeverisë është i dobët dhe injoron vërejtjet e opozitës të cilat kanë qenë krejtësisht parimore.

Kundër kësaj platforme janë edhe deputetët e Partisë Socialdemokrate.

Në ditën kur kjo platformë u shqyrtua në Komisionin për Punë të Jashtme deputeti Dukagjin Gorani ka kundërshtuar sidomos pikën 6. Sipas tij, kjo pikë e sjell Kuvendin para një akti të kryer dhe të nënshtruar, meqë thotë se Kuvendi konfirmon që presidenti është i autorizuar të udhëheqë dialogun.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Haki Abazi këtë platformë të Qeverisë e ka quajtur qesharake pasi deri më tani Kosova nuk ka përfituar asgjë nga dialogu.

Ai e ka kundërshtuar po ashtu pikën 6 të kësaj platforme, në të cilin thuhet se presidenti Thaçi do t’i udhëheqë bisedimet në fazën finale, pasi tha se duhet të ndryshohet qasja e jo të vazhdohet seria e dështimeve.

“Vendi është në drejtim të gabuar, i lënë jashtë Strategjisë për Zgjerim të BE-së, pa viza, pa ushtri, pa zhvillim ekonomik dhe me falimentim të ndërmarrjeve publike e mungesë të investimeve direkte, me çka duhet bindur këdo e më së shumit opozitën se kjo platformë do të ndërrojë drejtimin kur në fakt është platformë për të vazhduar serinë e dështimeve”, ka vlerësuar Abazi.