Prokuroria 'mbyll sytë' karshi raporteve të Auditorit

Ekonomia May 21, 2018 - 08:31
Lexoni më shumë detaje

Keqpërdorimi i parasë publike në institucionet e Kosovës është raportuar me dhjetëra herë në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), por ka mbetur e listuar si shkelje vetëm në faqen zyrtare të Auditorit pasi asnjëherë nuk ka arritur të marrë vëmendjen e duhur të Prokurorisë së Shtetit, ndonëse raportet janë publike dhe Prokuroria mund të ketë qasje të lehtë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Janë bërë dy vjet prejse prokurori i Shtetit dhe auditori i përgjithshëm ishin takuar, pikërisht për punën e shkeljeve që evidentohen nëpër institucionet e shtetit, të cilat marrin para nga buxheti i Kosovës.

Por prej atij takimi mbahet mend vetëm thirrja për bashkëpunim në rast të hetimit të veprave penale. Të paktën deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Prokuroria se ka filluar t’i marrë seriozisht keqpërdorimet e publikuara.

GazetaZëri ia ka përcjellë pyetjet me shkrim Zyrës për Informim në këtë institucion për të kuptuar nëse ka filluar me hetimin e rasteve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

LEXO EDHE: Hyseni premton se 'Trepça' do të jetë një

Kritika për punën e Prokurorisë në lidhje me këtë çështje ka drejtuar edhe anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Shqipe Pantina.

Ajo në një prononcim për Zërin ka thënë se problemi kryesor po qëndron te Prokuroria që nuk po merr hapa të mëtejmë në hetimin e shkeljeve.

“Prokuroria e ka për obligim ex officio të reagojë për shkelje të tilla. Por problemi qëndron te Prokuroria, për shkak se ata nuk marrin hapa të mëtejmë për t’i hetuar këto raste kur Auditori evidenton shkelje të rënda. Auditori i heton disa lloje të shkeljeve që janë procedurale, që nuk janë menaxhuar si duhet, por ka raste kur janë shkelje të pastra ligjore, natyrisht se për këtë është detyrë e Prokurorisë të merret dhe jo e Auditorit”, ka deklaruar Pantina.

Auditori: Hetimi mbetet në kompetencën e Prokurorisë

Faktin se raportet e Auditorit janë publike e ka potencuar edhe zëdhënësja për informim në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Qëndresa Mulaj.

Mulaj në një prononcim për “Zërin”, duke iu referuar Nenit 7 të Ligjit 05L-055, thotë se ZKA-ja publikon gjitha raportet e auditimit të cilat janë të hapura për Prokurorinë dhe për organet relevante në rastet kur konsiderojnë se ka elemente për hapa të mëtejmë.

“Siç përcaktohet me Nenin 7 të Ligjit 05/L-055, Zyra Kombëtare e Auditimit publikon të gjitha raportet e auditimit dhe ato janë të hapura për Prokurorinë ose për organet tjera relevante në rastet kur ata konsiderojnë se ka elemente të mjaftueshme për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm. Përveç kësaj, në rastet kur gjatë auditimit vërehet se mund të ketë shkelje ligjore njoftohen organet kompetente për zbatimin e ligjit”, është shprehur Mulaj.

Ajo ka theksuar bashkëpunimin e mirë me Prokurorinë e Shtetit, por nuk ka harruar të përmendë se kanë përgjegjësitë e ndara në punë.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka bashkëpunim shumë të mirë dhe komunikim të rregullt me Prokurorinë e Shtetit, por edhe përgjegjësi të ndara. Duke u bazuar në këtë mbetet në kompetencën e tyre hetimi ose jo i gjetjeve të paraqitura në raporte”, ka shtuar ajo.

Kalaja: Memorandumi i Prokurorisë me Auditorin, shfaqje publike

Të zhgënjyer me mosefikasitetin e Prokurorisë së Shtetit në zbardhjen e shkeljeve të institucioneve publike të Kosovës janë shprehur edhe njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare për Transparencë dhe Llogaridhënie (KUND), në një prononcim për “Zërin” ka thënë se në raportet e Auditorit çdo vit janë evidentuar parregullsi dhe keqpërdorime të mëdha sa i përket parasë publike dhe menaxhimit të parasë publike gati nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Thuajse të gjitha parregullsitë dhe keqpërdorimet e evidentuara nga ana e auditorit gjeneral kanë pasur elemente të veprave penale brenda këtyre parregullsive. Deri kohët e fundit, para dy vjetëve Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap sa i përket inicimit të hetimeve duke u bazuar në gjetjet e raporteve për të justifikuar moskapacitetin e Prokurorisë”, është shprehur Kalaja.

Ai ka përmendur inicimin e një nënshkrimi të memorandumit nga Prokuroria me Zyrën e Auditorit për hetimin e shkeljeve, që e ka quajtur shfaqje publike.

“Prokuroria e Shtetit pati iniciuar një nënshkrim memorandumi me zyrën e auditorit gjeneral, që t’i marrë të dhënat e gjeturat të auditorit gjeneral dhe t’i fillojë hetimet. Kjo ka qenë një ‘lojë’, shfaqje publike përndryshe ai memorandum është i vdekur dhe prej fillimit ka qenë i parëndësishëm të nënshkruhet, pasi raportet kanë qenë publike dhe Prokuroria ka mundur të hetojë hetime ex offico pa pasur nevojë të nënshkruajë memorandume me Auditorin”, ka thënë tutje Kalaja.

Sipas tij, Prokuroria është e painteresuar për inicimin e hetimeve dhe për ngritjen e aktakuzave për këto raste.

“Prokuroria nuk ka marrë asnjë hap as para memorandumit e as pas memorandumit nga gjetjet e evidentuara nga Auditori. Jo vetëm në këtë aspekt, por në të gjitha fushat Prokuroria është e painteresuar për inicimin e hetimeve, procedimin dhe ngritjen e aktakuzave për gjetjet e Auditorit e që janë gjetje me bollëk për ne fatkeqësisht”, ka thënë ai.

KDI: Auditorët mund ta ndihmojnë Prokurorinë në zbulimin e të vërtetës

Në anën tjetër këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Florent Spahija, në një prononcim për “Zërin” thotë se auditorët mund të jenë ndihmësit kryesorë të prokurorit në gjetjen e së vërtetës meqë janë profesionistë të lëmit që kanë audituar.

“Fillimisht jo të gjitha gjetjet e raporteve të Auditorit janë shkelje penale dhe vepra penale, por shumë nga gjetjet me të vërtetë kanë karakter penal dhe mund të hetohen nga Prokuroria e Shtetit. Konsideroj që Auditori duhet sipas detyrës zyrtare çdoherë që gjen shkelje penale te rastet që i auditon t’i dërgojë menjëherë te Prokuroria e Shtetit për hetime të mëtutjeshme. Madje auditorët mund të jenë ndihmësit kryesorë të prokurorit në gjetjen e së vërtetës, pasi ata janë profesionistë të lëmit që e kanë audituar”, është shprehur Spahija.

Ai ka përmendur edhe zotimin për bashkëpunim në mes të Prokurorisë dhe të Auditorit, për të cilin thotë se nuk ka sjellë ende rezultate konkrete.

“Prokuroria e Shtetit dhe Auditori së fundmi i kemi parë që janë zotuar se do të bashkëpunojnë në rastet të tilla, por rezultate konkrete nga ky bashkëpunim nuk kemi parë”, ka përfunduar këshilltari ligjor në KDI.