Hyseni premton se 'Trepça' do të jetë një

Ekonomia May 21, 2018 - 08:12
Lexoni më shumë detaje

Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” ka emëruar ushtrues të detyrës së drejtorit të “Trepçës” Miftar Hysenin, i cili ishte zëvendës i ish-drejtorit Ahmet Tmava, ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar se brenda dy javësh do ta procedojë në Qeverinë e Kosovës statutin e “Trepçës”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zhvillime pozitive janë shënuar në “Trepçë” pas zgjedhjes së Bordit Mbikëqyrës.

Bordi Mbikëqyrës, i cili udhëhiqet nga kryesuesi Ardian Syla, ka mbajtur një takim, në të cilin ka vendosur që ta emërojë ushtruesin e detyrës së drejtorit të “Trepçës”.

Bordi ka vendosur që këtë detyrë t’ia besojë ish-zëvendësit të Ahmet Tmavës Miftar Hysenit, i cili është zotuar se menaxhmenti do të punojë pandërprerë dhe do të tregojë transparencë, llogaridhënie dhe përkushtim deri në rimëkëmbjen e “Trepçës”, shkruan më tutje "Zëri".

Por edhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe është duke punuar intensivisht për  lëvizjen përpara të proceseve në “Trepçë” pas zgjedhjes së Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”.

LEXO EDHE: Gjobat e OSHP-së mbesin vetëm në letër

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Valdrin Lluka, kanë mbajtur dy takime brenda pak ditësh me Bordin Drejtues të “Trepçës”, nga i cili janë njoftuar për zhvillimet e fundit në “Trepçë”.

Tani për tani punë e parë që duhet bërë është hartimi i statutit të “Trepçës” dhe procedimi në Qeveri e në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka njoftuar se brenda dy javësh do ta procedojë statutin për ndërmarrjen “Trepça” në Qeverinë e Kosovës.

“Së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj kemi takuar Bordin Drejtues të ‘Trepçës’, të cilët na kanë informuar për punët e deritanishme rreth statutit të kësaj ndërmarrjeje shumë me rëndësi për Mitrovicën dhe për Kosovën në përgjithësi. Në këtë moment kemi një draft mjaft të kompletuar dhe ka mbetur përfshirja e disa komenteve shtesë. Brenda dy javësh do ta procedojmë statutin në mbledhje të Qeverisë dhe më pastaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Bordi do të punojë me intensitet të shtuar derisa të kemi funksionalizim të plotë të kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë ministri Lluka.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke folur për zhvillimet e fundit në “Trepçë”, tha se të gjithë janë duke punuar me përkushtimin më të madh për ringjalljen e “Trepçës”.

“Qeveria e Kosovës vitin 2018 e ka shpallur Vit të ‘Trepçës’. Andaj, të gjithë duhet të punojmë me përkushtimin më të madh që ky gjigant të ringjallet, të aktivizohen resurset dhe ‘Trepça’ të kthehet në misionin e saj - zhvillimin e Kosovës. ‘Trepça’ ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, andaj anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të ‘Trepçës’ duhet ta kenë në prioritet transparencën, llogaridhënien dhe përkushtimin deri në funksionimin e tërësishëm të të gjitha njësive afariste të Trepçës”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj inkurajoi anëtarët e Bordit Mbikëqyrës që të përkushtohen në zgjidhjen dhe në tejkalimin e të gjitha problemeve, veçmas në finalizimin e statutit, duke ofruar mbështetjen e pakursyer të Qeverisë.

“Me Bordin Mbikëqyrës të ‘Trepçës’ u dakorduam për hapat e mëtejmë të konsolidimit të menaxhmentit dhe për hartimin sa më të shpejtë të statutit të ‘Trepçës’. Qeveria është e përkushtuar që ‘Trepça’ të ringjallet dhe të kthehet në shërbim të zhvillimit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, thotë se deri më tani është punuar në hartimin e statutit, në regjistrimin e “Trepçës” si shoqëri aksionare, si dhe në zgjedhjen e bordit menaxhues.

Ndryshe, në mbledhjen e parë të Bordit Mbikëqyrës, e cila është mbajtur vetëm me anëtarët shqiptarë pasi serbët nuk kanë kandiduar fare për Bord, ndonëse konkursi ka qenë i hapur, anëtarët janë zotuar se do të punojnë për “Trepçën” si tërësi.

Ata nuk kanë pranuar që “Trepça” të ndahet në jug dhe në veri, siç është e ndarë Mitrovica.

Serbët e veriut vazhdojnë të këmbëngulin se “Trepça” është pasuri dhe pronë e Serbisë dhe se nuk do t’u bindet vendimeve të Prishtinës. Serbët vlerësojnë se “Trepça” në veri me minierat Cernac, Belloberdo dhe Metalurgjia e Plumbit në Zveçan do të menaxhohen nga serbët e veriut dhe nga shteti i Serbisë.

“Bordi Mbikëqyrës i ‘Trepçës’ dhe menaxhmenti aktual i ndërmarrjes janë zotuar se do të punojnë në zbatimin e detyrave të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në zhvillimin e ndërmarrjes duke rimëkëmbur gjigantin ‘Trepça’. Transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi deri në funksionimin e tërësishëm tëtë gjitha njësive afariste të ‘Trepçës’ do të jenë prioritet gjatë punës së Bordit Mbikëqyrës.

Ndërmarrja ‘Trepça’ do të funksionojë si tërësi”, ka këmbëngulur ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Miftar Hyseni.

Gjiganti kosovar “Trepça” brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione në Parkun Industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve. 

17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 objekte të këtij gjiganti gjenden në Serbi, 3 në Bosnjë e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.