Realizohet një projekt 4-milionësh në zonën e Liqenit të Mitrovicës

Ekonomia April 25, 2018 - 08:11
Lexo detajet

Pas projektit për ndërtimin e objekteve përcjellëse të Liqenit Akumulues të Mitrovicës, së shpejti fillon projekti tjetër, ai i rregullimit të shtratit të lumit Ibër nga vigu deri te liqeni, për të cilin investohen 4 milionë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Brenda pak kohësh Komuna e Mitrovicës dhe Qeveria e Kosovës do t’i realizojnë dy projekte në zonën e Liqenit Akumulues në lumin Ibër, në Suhadoll të Mitrovicës, vlera e të cilave kalon 8 milionë euro.

Pas projektit për ndërtimin e objekteve përcjellëse të Liqenit Akumulues të Mitrovicës, që është pjesë e projektit të liqenit që ka vlerën prej 4.5 milionë eurosh, tani do të nisë projekti i rregullimit të shtratit të Ibrit nga vigu deri te Liqeni Akumulues, për të cilin investohen 4 milionë euro.

LEXO EDHE: Policia refuzon kandidatët me tatuazhe

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i tha “Zërit” të martën, se së shpejti do të fillojë të realizohet projekti i rregullimit të shtratit të lumit Ibër, i cili edhe më shumë do t’ia shtojë hijeshinë qytetit të Mitrovicës, tani kur ajo ka “detin” e vet, duke e bërë kështu edhe më atraktiv për vizitorët nga i tërë vendi.

Bahtiri, bashkë me përfaqësuesit e kompanisë “Infratek”, e kontraktuar nga Komuna e Mitrovicës për hartimin e projekteve të ndryshme, ka dalë në vendin ku parashihet të realizohet projekti për t’i dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tij në projektin ideor.

Gjatë diskutimit me ekspertët e kompanisë “Infratek” për hartimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit Ibër dhe të hapësirës përreth lumit ka kërkuar nga projektuesit që të gjitha elementet e dhëna nga Komuna të respektohen maksimalisht dhe që projekti të kryhet brenda pak ditësh, në mënyrë që të fillojë menjëherë puna për realizimin e tij.

Projekti i rregullimit të shtratit të lumit Ibër përveç shtratit të lumit, duke përfshinë edhe rregullimin e hapësirave, ashtu sikur që është vepruar më parë me rregullimin e pjesës nga ura kryesore mbi lumin Ibër, deri te vigu që lidh tre rrokaqiejt e pjesës veriore me pjesën jugore të qytetit.

Projekti që do të realizohet nis nga vigu i tre rrokaqiejve, pra aty ku përfundon pjesa e rregulluar më parë dhe vazhdon deri te Liqeni artificial në Suhadoll. Projekti, i cili do të kushtojë rreth 4 milionë euro, pritet të përfundojë në vitin e ardhshëm. 

Para këtij projekti, në hapësirat përreth Liqeni Akumulues në Suhadoll të Mitrovicës ka filluar realizimi i projektit të ndërtimit të objekteve përcjellëse, të cilin e përbëjnë nyjat sanitare, shtëpizat e shpëtimit, shtëpizat e zhytësve, shtigjet për ecje, shtigjet për çiklistë, hapësirat për lojëra të fëmijëve, hapësirat rekreative për të rriturit, amfiteatrin, pikat e shitësve mobilë dhe restorante.

Liqeni artificial në Suhadoll të Mitrovicës, përgjatë të cilit janë ndërtuar dy plazhe për ata që duan t’i kalojnë pushimet në Mitrovicë, është jetësuar në verën e vitit të kaluar. Gjatë verës së shkuar janë vërejtur pushues të shumtë jo vetëm nga Mitrovica, por edhe nga diaspora.

Projekti 4.5-milionësh është ende duke u realizuar, ndërsa deri më tani janë investuar 3 milionë euro.

Qytetarët e komunës së Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, por edhe ata të Kosovës, të cilët kanë buxhet familjar të vogël, që nga vera e vitit të kaluar mund t’i kryejnë pushimet verore në Liqenin Akumulues të Mitrovicës pa pasur nevojë që të shkojnë në bregdet.

Në anën tjetër, për ta realizuar projektin për Liqenin Akumulues të Mitrovicës është paraqitur nevojat e zhvendosjes së banorëve të 19 shtëpive që janë ndërtuar pa leje dhe në pronat e Komunës afër liqenit.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i tha “Zërit” se në kuadër të projektit parashikohet largimi i 19 shtëpive që janë ndërtuar në ato hapësira të Komunës, paraprakisht të uzurpuara.

“Në kuadër të projektit madhor, i cili i dedikohet Liqenit Akumulues parashikohet edhe zhvendosja e shtëpive të ndërtuara në pronën publike në këtë zonë. Unë kam kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët që ky projekt të realizohet dhe i cili do ta bëjë Mitrovicën qytetin më atraktiv në Kosovë”, tha Bahtiri, duke shtuar se ka pasur një takim informues me banorët që jetojnë në shtëpitë në afërsi të liqenit. 

Po ashtu Bahtiri siguroi se do të bëjë përpjekje maksimale për sigurimin e mjeteve financiare nga niveli qendror dhe sipas mundësive buxhetore të arrihet një zgjidhje për të gjitha familjet, shtëpitë e të cilëve janë pjesë e implementimit të këtij projekti.